Heqja e non-gratës së Berishës, oferta politike e opozitës për shqiptarët
Nga Ervis Iljazaj Që nga zgjedhja e Donald Trump si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbështetësit dhe simpatizantët e Sali Berishës janë shumë të entuziazmuar dhe e konsiderojnë këtë fitore si triumfin e demokracisë, lirisë dhe luftës ndaj sistemit mafioz të Sorosit. A thua se Donald Trump u zgjodh president të Shqipëri dhe […]
Nga Ervis Iljazaj
Që nga zgjedhja e Donald Trump si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbështetësit dhe simpatizantët e Sali Berishës janë shumë të entuziazmuar dhe e konsiderojnë këtë fitore si triumfin e demokracisë, lirisë dhe luftës ndaj sistemit mafioz të Sorosit. A thua se Donald Trump u zgjodh president të Shqipëri dhe jo në Amerikë.
Kanë disa ditë që krijojnë idenë se hallet e PD-së dhe opozitës, madje dhe të Shqipërisë mbaruan. I gjithë ky entuziazëm është sa absurd po aq edhe i dëshpëruar. Tregon dëshpërimin e thellë në të cilën ka rënë kjo parti, saqë zgjedhjen e një personi në krye të Shtëpisë së Bardhë e konsiderojnë si shpresë për militantët e tyre.
Në fakt, shumica e njerëzve që e kanë analizuar fitoren e Trump, e kanë bërë si amerikanë dhe jo si shqiptarë. Ata kanë folur se sa mirë do të jetë Amerika me Presidentin Trump, dhe se si ai mund t’i zgjidhë problemet e shumta të saj nga ekonomia, inflacioni apo emigracioni. Donald Trump edhe mund t’i zgjidhë këto probleme dhe mund të jetë një president shumë i mirë për amerikanët. Çështja është se ne duhet të mendojmë si shqiptarë dhe si europianë, dhe jo si amerikanë. Askush nuk ka bërë analiza se si presidenca e tij do të ndikojë për Europën, NATO-n apo çështjen e Kosovës, çështje të cilat janë thelbësore për fatin tonë. Mirëpo, entuziazmi për Trump dhe çështjet që do zgjidhë ai në Amerikë me sa duket është më i madh se sa hallet tona dhe të kontinentit ku ne jetojmë.
Mbështetësit e Berishës kuptohet se përse janë entuziastë. Ata janë duke iu thënë shqiptarëve se tashmë non-grata për liderin e tyre do të hiqet, madje për këtë shprehen të bindur. Përtej faktit nëse kjo mund të ndodhë ose jo, heqja e non-gratës së Berisësh duket sikur është oferta e vetme politike që Partia Demokratike ka për shqiptarët, duke parë retorikën e tyre publike. Kur Berisha u shpall non-grata, oferta politike e tij ishte lufta ndaj mafias së Sorros dhe lobimet e tij për ta shpallur të padëshirueshëm. Kur fillojë gjyqi ndaj tij në SPAK, oferta politike, që vazhdon edhe sot,, ishte lufta ndaj SPAK dhe drejtësisë. Këtë gjë e kanë shprehur qartë publikisht, që kur të vijnë në pushtet do ta zhbëjnë Reformën në Drejtësi. Tashmë me fitoren e Trump, oferta politike, pra alternativa e opozitës për shqiptarët, është heqja e non-gratës së Berishës.
Mirëpo, si lufta ndaj Soros, si lufta ndaj SPAK, apo tani heqja e non-gratës së Berishësh nuk janë halle që shqetësojnë qytetarët shqiptarë. E pikërisht për këtë arsye, sa herë që thërrasin mosbindje civile ajo dështon. Është normale, pasi populli nuk mund të ndjekë nga mbrapa për hallet e liderit, por për hallet e tij. Ata që e kanë ndjekur tashmë nga pas dhe kanë besuar iluzionet që u jepen si ushqim, siç është ky i fundit për heqjen non-grata, janë vetëm militantët e Partisë Demokratike dhe ndjekësit më të flaktë të zotit Berisha.
Deri më tani, askush se di se si mund të jetë Shqipëria e Partisë Demokratike. Nuk e dinë sepse PD, nuk shfaq asnjë vizion për shëndetësinë, për arsimin, për punësimin, për bujqësinë apo për turizmin. Askush nuk mund ta imagjinojë dot Shqipërinë e PD-së, pasi ajo nuk ia ka përcjelljë atë qytetarëve të saj. Të vetmen gjë që ka bërë deri më tani, është përcjellja e halleve të liderit të saj sikur janë hallet e njerëzve.
Meqë janë shumë të entuziazmuar nga fitorja e Trump, duhet dhe ta kuptojnë se ai fitoi sepse kishte një vizion të qartë për Amerikën, dhe amerikanët e njihnin atë. Po ashtu dhe kundërshtarja e tij kishte një vizion të qartë për Amerikën, dhe amerikanët votuan atë që ju duk më mirë për jetën e tyre dhe familjarëve të tyre.
Pikërisht këtë gjë Partia Demokratike nuk po bën dot. T’ju oforjë shqiptarëve një Shqipëri sipas vizionit të saj dhe shqiptarët ta kenë të qartë atë. Dhe të imagjinosh që vetëm 6 muaj përpara zgjedhjeve, Partia Demokratike ende nuk e ka një kandidat për kryeministër. Ndoshta sepse po presin që Trump t’i heqë non-gratan Berishës, si zgidhja e vetme që ata kanë për momentin. Por, me të gjitha gjasat duhet të presin pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri.
What's Your Reaction?