PD po përpiqet ta përkthejë fitoren e Trump-it si fund të drejtësisë së re nga SHBA

Nga Mero Baze Luçiano Boçi, është ai që ka artikuluar në mënyrë më të sinqertë atë që shpreson gjithë PD-ja për fitoren e Trump-it. Ai e shikon fitoren e tij si një shpresë që drejtësia e re në Shqipëri të marrë fund dhe të anulohen të gjitha proceset gjyqësore ndaj Berishës dhe familjes së tij, […]

Nëntor 12, 2024 - 20:00
 0
PD po përpiqet ta përkthejë fitoren e Trump-it si fund të drejtësisë së re nga SHBA
Reklamë
Reklamë

Nga Mero Baze

Luçiano Boçi, është ai që ka artikuluar në mënyrë më të sinqertë atë që shpreson gjithë PD-ja për fitoren e Trump-it. Ai e shikon fitoren e tij si një shpresë që drejtësia e re në Shqipëri të marrë fund dhe të anulohen të gjitha proceset gjyqësore ndaj Berishës dhe familjes së tij, duke përfshirë edhe heqjen e “non grata”. Nuk është se ka ndonjë informacion për këtë, por ka si argument se edhe ndaj Trump-it kishte qindra procese gjyqësore në SHBA dhe ato po i mbyllin pasi ai fitoi.

Me pak fjalë, në mendjen e PD-së është që Reforma në Drejtësi në Shqipëri, mbështetësja kryesore e të cilës është SHBA dhe BE, tani do të marrë fund me fitoren e Trump-it.

Reklamë
Reklamë

Sinqeritetit të Boçit i parapriu Sali Berisha dy ditë më parë, me një sulm të paprecedentë ndaj Altin Dumanit, kreut të SPAK, për të cilin nuk kurseu fyerje personale, poshtëruese për këdo, për t’i treguar se tani kohët po ndryshojnë.

Deklaratat e tij kërcënuese ndaj kryeprokurorit të SPAK bëhen në një kohë kur ai dhe një pjesë e madhe e opozitës pro tij, po e përjetojnë fitoren e Trump-it në SHBA si një fat të ngjashëm me Berishën.

Madje SPAK po trajtohet në opinionin publik prej opozitës si një “i deklasuar” që ka lidhje me armiqtë e përmbysur në SHBA nga pushteti popullor i Trump-it.

Kjo gjuhë banale dhe e neveritshme e opozitës ngre disa rreziqe për shpresat e opozitës më shumë se sa për SPAK-un dhe drejtësinë e re.

Rreziku i parë është që rrit shumë vigjilencën e SHBA dhe BE ndaj sulmeve të SPAK-ut dhe mosprekjes së tyre as ligjërisht dhe as politikisht, duke krijuar një shans të ri zhgënjimi për opozitën pas disa javësh kur ndonjë zyrtar i lartë i SHBA-së të deklarojë se një nga prioritetet e politikës së SHBA-së në Shqipëri do të jetë mbështetja e SPAK-ut.

Kjo do të jetë kova e parë e ujit të ftohtë për duartrokitjet e papremtuara nga askush për Berishën dhe opozitën pro tij. Për më tepër që u duket dhe vetja fitues si Trumpi, ndërkohue që janë shumë herë më keq se Kamala me vota.

Rreziku i dytë i madh është që vetë SPAK-u, në mënyrë proaktive, të fuqizojë veprimtarinë ndaj Berishës dhe të ketë të drejtën që i jep ligji të shikojë rolin e tij në prishjen e provave në këtë proces, duke kërcënuar prokurorët nga penxherja, duke kërcënuar me fëmijët dëshmitë para SPAK-ut dhe duke kërcënuar gjithashtu dhe me dëshmitarë të tjerë që i thërrasin në shtëpi.

E vërteta është se Berisha, me aktivitetin e përditshëm politik nga penxherja dhe sjelljen si shantazhues i drejtësisë, ka tejkaluar çdo normë ligjore për masën e sigurisë së tij – arrest me burg në shtëpi. Dhe tani po përpiqet ta përdorë këtë shkelje ligji si prioritet kundër drejtësisë.

Dhe së fundmi, kjo retorika e fundit të drejtësisë së re me ardhjen e Trump-it është një fyerje e madhe dhe për vetë Presidentin e zgjedhur të SHBA-së, të cilin e trajtojnë, sikur të kenë kryetar të seksionit të PD-së në Kodër Kamëz, dhe i japin direktiva nga maja e penxheres së Berishës.

Duke krijuar një pritshmëri fiktive për hallet e tyre, berishistët nga ana tjetër po përgatisin pa dashje një përgjigje kundër pritshmërive të tyre koordinuar mes SHBA dhe BE për reformën në drejtësi, duke ia afruar fundin shpresave të tyre, me duart e tyre. Si gjithmonë.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

thuaje.com Thuaje.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.