Kompensimi, ish-pronarët morën vetëm 10 milionë euro! Janë shpërndarë vetëm 24% e fondeve të parashikuara
Ministria e Drejtësisë raportoi se deri në muajin e tetë vitit, në programin e kthimit dhe kompensimit të pronave, që është nën varësinë e saj, janë shpërndarë vetëm 24% e fondeve të parashikuara në fillim të vitit. Kjo do të thotë se nga pak më shumë se 4 miliardë lekë, apo rreth 40 milionë euro, […]
Ministria e Drejtësisë raportoi se deri në muajin e tetë vitit, në programin e kthimit dhe kompensimit të pronave, që është nën varësinë e saj, janë shpërndarë vetëm 24% e fondeve të parashikuara në fillim të vitit.
Kjo do të thotë se nga pak më shumë se 4 miliardë lekë, apo rreth 40 milionë euro, janë shpërndarë 10 milionë euro.
Konkretisht, duke u ndalur në disa zëra, që përbëjnë këtë program specifikisht për kompensimin, raporti i monitorimit i këtij institucioni vlerëson se sa i takon produktit “Përfitues nga fondi fizik dhe financiar të kompensuar”, ai është realizuar 100%, duke kompensuar 90 subjekte me fond 254.4 milionë lekë dhe për 4 subjekte është mbyllur procedimi. Fondi i kompensimit ka qenë gjendje në Bankën e Nivelit të dytë.
“Produkti “Vendimet e ankimuara në Gjykatë”, është realizuar rreth 100%. Gjatë 8-mujorit të vitit 2024 janë mbyllur 211 çështje dhe ndërkohë janë hapur për shqyrtim 192 çështje të tjera. Projekti “Blerje pajisje elektronike”, ka ardhur autorizimi nga AKSHI në fazën e lidhjes së kontratave me operatorët ekonomikë.
Produkti “Shpërndarja e fondit të Aluiznit” është realizuar 100%. Ky produkt është realizuar nga të ardhurat e realizuar nga ndërtimet informale të derdhura në llogari të ATP nga ASHK, gjatë kësaj periudhe janë kompensuar 276 subjekte me fond 327,360,580 lekë. Gjatë 8-mujorit janë pranuar 763 aplikime” thuhet në raport lidhur me tre produktet e tjera.
Ministria nënvizon se realizimi i shpenzimeve të personelit ishte në masën 131.6 milionë lekë nga 256.2 milionë lekë pra rreth 51%, pasi në Shërbimin për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave ka 10 vende vakante. Realizimi i shpenzimeve operative është 19.8 milionë lekë, nga 56.6 milionë lekë të planifikuara për vitin 2024, ose rreth 35%. Gjatë këtij 8-mujori janë lidhur 9 kontrata që e shtrijnë aktivitetin gjatë vitit 2024.
Kthimi dhe kompensimi i ish-pronarëve është një nga çështjet më të ndjeshme në vend, për shkak të përmasave financiare, por edhe ndikimeve sociale që ka ai.
Një raport i KLSH-së i vitit të shkuar nënvizonte se në 7 vjet ishin ekzekutuar vetëm 4.5% e vendimeve dhe me këto ritme, ai është një proces i parealizueshëm, sipas angazhimeve që janë marrë në ligjin e vitit 2015./ Monitor
What's Your Reaction?