Historia tragjike në Spanjë, dy vëllezërit e mitur gjenden të pajetë dy javë pas përmbytjeve
Trupat e Ruben dhe Izan Matias Calatayoud, përkatësisht 3 dhe 5 vjeç, u gjetën pranë Cataroja, pothuajse 10 kilometra nga shtëpia e tyre
Trupat e Ruben dhe Izan Matias Calatayoud, përkatësisht 3 dhe 5 vjeç, u gjetën pranë Cataroja, pothuajse 10 kilometra nga shtëpia e tyre në Torrent, një periferi e qytetit të Valencias, ku humbën kur përmbytjet goditën në tetor, tha një zëdhënës i mbrojtjes civile.
Halla e tyre Barbara Sastre i tha transmetuesit shtetëror spanjoll TVE javën e kaluar se nëna e djemve ishte duke punuar në Valencia dhe babai i tyre ishte me fëmijët në shtëpinë e familjes kur përmbytja goditi në orën 18:30.
Zhurmat e ujit të rrjedhshëm në rrugë i trembën fëmijët dhe babai i tyre i futi në dhomën e ndenjjes për t’i qetësuar, por uji kaloi nëpër muret brenda shtëpisë. Të tre u larguan”, tha ajo për TVE.
Babai i tyre, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, u përpoq t’i kapte, por ata u rrëmbyen nga uji, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve EFE.
Ai mbijetoi duke u mbajtur në një pemë, shtoi TVE, dhe qëndroi atje për katër orë para se të shpëtohej me lëndime të rënda.
Sastre i tha TVE-së se pritja për lajme kishte “shpërbërë” familjen.
Ekipet e shpëtimit në kërkim të personave të zhdukur kanë intensifikuar përpjekjet e tyre në përrenjtë e afërt dhe ligatinat Albufera dhe në det duke përdorur anije speciale kërkimi.
Deri dje autoritetet kishin konfirmuar vdekjen e 223 personave nga përmbytjet e 29 tetorit, ndërsa 17 persona janë ende të zhdukur.
Mbrëmë, një paralajmërim i ri është dhënë për rajonin e Valencias së bashku me zonat e tjera përgjatë bregdetit spanjoll, duke përfshirë qytetin e Malaga në jug.
Shërbimet e urgjencës evakuuan disa banorë nga shtëpitë e tyre në rrezik përmbytjeje, u kërkuan qytetarëve të lëviznin në një zonë më të lartë dhe mbyllën shkollat në Malaga, Valencia dhe disa komunitete në Katalonjë. /vizionplus.tv
What's Your Reaction?