Amerika votoi për paparashikueshmëri dhe ne duhet të mësohemi shpejt me këtë

Nga Veton Surroi 1. Ekziston në mendjen time një thjeshtësim me të cilin përpiqem t’i kuptoj zgjedhjet presidenciale amerikane. Kam lexuar brenda kësaj jave, prejse Donald Trump është rizgjedhur president, analiza të thella, të ndërlikuara e të përimtësuara sociologjike, politike e filozofike – që të gjitha duke treguar për një fenomen apo fenomene. Njëra analizë […]

Nëntor 13, 2024 - 18:30
 0
Amerika votoi për paparashikueshmëri dhe ne duhet të mësohemi shpejt me këtë
Reklamë
Reklamë

Nga Veton Surroi

1.

Ekziston në mendjen time një thjeshtësim me të cilin përpiqem t’i kuptoj zgjedhjet presidenciale amerikane.

Reklamë
Reklamë

Kam lexuar brenda kësaj jave, prejse Donald Trump është rizgjedhur president, analiza të thella, të ndërlikuara e të përimtësuara sociologjike, politike e filozofike – që të gjitha duke treguar për një fenomen apo fenomene. Njëra analizë thotë se kjo është fitore e rrjeteve sociale dhe aftësisë së mesazhit primitiv – sa më primitiv mesazhi, aq më i pranueshëm për shumicën e popullatës. Tjetra thotë se kjo është humbje e një klase politike – pra fjala është për Partinë demokratike – e cila qe e paaftë të organizohet për një fushatë, dhe u vonua me kandidaturën e Harrisit. E treta thotë se e tërë bota po kthehet nga nacionalizmi – nëse është e mundur që të fitojë nacionalizmi në Itali, Francë e Holandë, pse të mos jetë e mundur në Amerikë?

Dhe, këto janë vetëm tri prej disa qindra që janë ofruar me seriozitetin e tyre; që të gjitha kanë meritat e veta dhe më duket se do të kërkonin shkrime të gjata për t’u thelluar, shpjeguar apo kundërshtuar.

Por, në kokë kam një thjeshtësim që mund të distilojë në fund tërë këtë debat në një garë mes të parashikueshmes dhe të paparashikueshmes.

Donald Trump u premtoi qytetarëve amerikanë të paparashikueshmen dhe ata në shumicë ia dhanë votën.

2.

Në gara presidenciale, thonë konsulentët zgjedhorë, hapësira më e rëndësishme për ta fituar është ajo e “kandidatit të ndryshimit”. Për një arsye a tjetrën, votuesi pret ofertën për ndryshime (natyrisht për të mira) dhe lufta për këtë hapësirë bëhet edhe nga presidentët e suksesshëm në mandatin e tyre të parë, qoftë republikan apo demokrat.

Por Donald Trump shkoi një hap më tutje. Ai e pozicionoi këtë garë mes të parashikueshmes dhe vetes. Katër vjetët e parashikueshëm me Kamala Harrisin si presidente do të ishin katër vjetët e një politike që i ngjason pak a shumë asaj të presidentit Biden. Në sytë e shumicës së votuesve amerikanë që ia dhanë votën Trumpit, do të ishte një politikë e cila toleron imigracionin masiv nga vendet e Amerikës Latine nëpër kufirin e Meksikës, përqendrohet në luftëra të pafund (këso here Ukraina dhe Gaza), merret me shtetndërtime nëpër botë, por jo shtetndërtim brenda vendit, merret me çfarëdo pakice (seksuale, racore, kombëtare), por jo edhe me shumicën e bardhë dhe të varfëruar.

Përballë të parashikueshmes, Donald Trump ofroi të paparashikueshmen. Po, ishte kandidati i parë presidencial i shpallur kriminal nga një juri. Po, ishte njeriu i cili i priu sulmit kundër Kongresit më 6 janar. Po, ishte njeriu që mund të jetë akuzuar për çdo gjë – prej mizogjinisë, mungesës së nivelit intelektual, përzierjes së interesave ekonomike e të tjera personale me ato shtetërore – por në fund ishte njeriu i cili ofroi që Amerika e katër vjetëve të tij të mos jetë e parashikueshme sikur ajo e demokratëve. Dhe, basti i tij politik fitoi: çkado që të fliste a bënte, shumica e votuesve amerikanë ia dhanë votën njeriut që tha se sjellja e Amerikës nuk do të mund të parashikohet. Së paku jo me sistemin matës të deritanishëm.

3.

Instinkti i Trumpit kishte të drejtë dhe ne të gjithë të tjerët, duhet të mësohemi me këtë. Bota është krejt tjetër, është e paparashikueshme ende pa ardhur Trumpi në pushtet. Kush do të mund të paramendonte para tre vjetësh se Rusia do të futej në luftë pushtuese në Ukrainë duke thyer rendin evropian të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore? Kush mund të paramendonte se Izraeli mund të ushtronte një luftë gjenocidi në Gazë me transmetim televiziv të përnatshëm të një bote perëndimore e cila në themelet e demokracisë së saj ka betimin që kurrë më nuk do të lejojë përsëritjen e gjenocidit?

E, megjithatë këto ndodhën dhe për të nuk mund të akuzohet Trumpi. Për më tepër, në garën presidenciale zonja Harris premtoi të parashikueshmen: që SHBA-ja do të vazhdojë t’i përkrahë Ukrainën dhe Izraelin. Presidenti tashmë i zgjedhur, Trump, premtoi të paparashikueshmen, fundin e luftërave.

Tash, në gjendjen e sotme ka disa skenarë se si do të shtjellohet e paparashikueshmja dhe asnjëri nuk do të jetë i kënaqshëm. Në Ukrainë lufta mund të ndalet (armëpushim i përkohshëm e i gjatë) me ngrirjen e vijave të tanishme të frontit. Kjo do të thoshte një luftë e papërfunduar, me legjitimimin e pushtimeve ruse dhe me pamundësimin që Ukraina për një kohë të gjatë as të ëndërrojë për anëtarësim në NATO. Në Izrael, lufta mund të ndalet (armëpushim i përkohshëm) me spastrim të vazhdueshëm etnik të palestinezëve, niveli i të cilit varet nga intensiteti i gjenocidit.
Për dikë kjo do të duket si arritja e paqes, qoftë e përkohshme. Për dikë tjetër do të jetë shpërblim i agresionit, përfshirë edhe krimet kundër njerëzimit. Për botën, këto do të jenë konturat e rendit të ri botëror.

Ja si duken vetëm dy (ndonëse të rëndësishme) pika të së paparashikueshmes.

Shtetet evropiane kanë disa javë të mësohen me këtë botë të re. Në të nuk mund të fshihen prapa të parashikueshmes – se lufta në Ukrainë apo ajo në Gaza do të marrin fund vetvetiu; se në fund ato edhe ashtu janë përgjegjësi amerikane dhe se evropianët janë aty për të asistuar. Apo nuk mund të fshihen prapa paaftësisë së vet të theksuar në trajtimin e negociatave Kosovë-Serbi, me parashikueshmërinë e rolit amerikan të një ndihmësi qëllimmirë që bën të njëjtën gjë që bëjnë evropianët, pothuajse asgjë.

4.

Evropa do të ballafaqohet me veprime të njëpasnjëshme të administratës së re Trump që do të sfidojnë gjërat ashtu siç kanë funksionuar deri më sot. Lista e veprimeve të paparashikueshme të presidencës Trump është e gjatë dhe të gjitha duken të paparashikueshme, jo pse Trump nuk i paralajmëroi, por se çdo analizë e esëllt tregonte se këto veprime do të prishin rendin ndërkombëtar çfarë e njohim. Pra, nëse futen masa tregtare kundër Kinës apo BE-së, kjo do të thoshte prishje e rendit të lirë të tregtisë botërore. Nëse SHBA-ja mbron monopolin e medieve sociale, përfshirë edhe të drejtën e tyre për promovim masovik të urrejtjes, kjo do të thoshte pjesë e ndeshjes së madhe të teknologjive të reja, përfshirë edhe atë të Inteligjencës artificiale – një luftë e cila do t’i përfshinte të gjithë qytetarët e botës të lidhur me Internet. Nëse SHBA-ja tërhiqet prej luftës për mbrojtjen e ambientit, kjo do të kishte reperkusione gjithandej për rendin botëror klimatik.

E, megjithatë, këto mund të jenë veprime të presidentit Trump. Dhe nuk do të mjaftojë përgjigjja evropiane se analiza e esëllt tregon se këto veprime nuk mund të ndërmerren, sepse do ta prishnin rendin botëror. Rendi botëror në këtë çerek të shekullit XXI është krejt ndryshe prej gjysmës së shekullit të kaluar, të atij kur u vendos ky rend. Dhe, prishjen e rendit nuk e filloi presidenti Trump, veprimet e tij janë vetëm përgjigje ndaj një rendi të ri që po ndërtohet, e në të cilin SHBA-ja po e kërkon një rol të vetin të veçantë.

Evropa ka kohë që nuk po e kupton apo nuk po kupton se si t’i adaptohet këtij ndryshimi shekullor. Mbase zgjedhja e presidentit Trump mbi platformën e parashikueshmërisë mund të jetë një zile zgjimi për kontinentin me një porosi të thjeshtë se nuk mund të llogaritet më me rolin e mirëqenë, të parashikueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

thuaje.com Thuaje.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.