Tri çështje që PD nuk i ka zgjidhur ende, 6 muaj përpara zgjedhjeve

Nga Ervis Iljazaj Po të ndjekësh debatet në Parlamentin e Shqipërisë sot, kuptohet fare mirë që diskutimet nuk kanë asnjë lloj lidhje me politikën, me demokracinë apo me parlamentarizmin. Aty kupton se si mund të degradojë institucioni i parlamentit. Debatet me sulme personale, me thashetheme kafenesh dhe akuza të ndërsjellta, nuk lidhen fare me aktivitetin […]

Nëntor 15, 2024 - 14:05
 0
Tri çështje që PD nuk i ka zgjidhur ende, 6 muaj përpara zgjedhjeve
Reklamë
Reklamë

Nga Ervis Iljazaj

Po të ndjekësh debatet në Parlamentin e Shqipërisë sot, kuptohet fare mirë që diskutimet nuk kanë asnjë lloj lidhje me politikën, me demokracinë apo me parlamentarizmin. Aty kupton se si mund të degradojë institucioni i parlamentit. Debatet me sulme personale, me thashetheme kafenesh dhe akuza të ndërsjellta, nuk lidhen fare me aktivitetin e deputetit. Por mbi të gjitha, nga diskutimet e sotshme kupton se si debati parlamentar nuk ka lidhje fare me problemet që shqetësojnë qytetarët shqiptarë. Me pak fjalë, debatet në Parlamentin e Shqipërisë, janë një manual se si politika nuk duhet të jetë. Ky degradim, në fakt, ka kohë që ka ndodhur, por kohët e fundit, është në nivelet me të larta të tij.
Nëse mazhorancës i intereson kjo tallava politike, nuk kuptohet se përse opozita shqiptare nuk fokusohet te çështjet thelbësore të saj, por harxhon energji të kota që nuk i shtojnë as kredite politike dhe asnjë votë më shumë. Të bërtasësh, të shash apo të ofendosh, të tregohesh agresiv me tonalitet të lartë zëri, nuk do të të thotë që kjo të bën më efikas apo më të domosdoshëm për elektoratin tënd. Dhe mbi të gjitha, nuk është se e dobëson qeverinë më shumë.

Të gjitha këto janë debate bosh, në një kohë kur opozita shqiptare, ose më saktë Partia Demokratike, ende nuk ka zgjidhur tri çështje thelbësore për të fituar pushtetin në Shqipëri. Aq më tepër që ndodhemi vetëm 6 muaj përpara zgjedhjeve parlamentare.

Reklamë
Reklamë

Problemi i parë që duhet të zgjidhë Partia Demokratike, janë marrëdhëniet ndërkombëtare. Për tre vite me radhë, që nga shpallja non-grata e Sali Berishës, PD gjendet në një izolim ndërkombëtar të plotë. Tashmë që në Shtëpinë e Bardhë do të hyjë një “armik” i Sorrosit, zoti Berisha nuk do të ketë më alibi për këtë izolim. Dhe ky është një lajm i mirë për Shqipërinë, nëse opozita del nga izolimi ndërkombëtar. Problemi është se në këtë pikë, Partia Demokratike nuk ka më alibi, pasi tashmë ka një aleat të zotit Berisha dhe jo më një adminsitratë të kapur nga Sorros.

Dhe nëse vërtet PD dëshiron të vijë në pushtet në 2025, në këtë izolim që ndodhet sot, e ka shumë të vështirë, pothuajse të pamundur.

Problemi i dytë që duhet të zgjidhë, është çështja e kandidatit për kryeministër. Vetëm 6 muaj përpara zgjdhjeve parlamentare, Partia Demokratike ende nuk e ka një kandidat për kryeministër. Dhe kjo i jep një disavantazh të madh në raport me kundërshtarin. Nuk ekziston asnjë parti politike që ka ardhur në pushtet pa një kandidat të qartë për kryeministër. Kandidati për kryeministër në politikën e sotme, është thelbësore. Është personi që përfaqëson vizionin, dhe mbi të cilin mishërohet alternativa politike e gjithë partisë së tij. Dhe në mungesë të një personi të tillë, alternativa është e paqartë.

Problemi i tretë, apo çështja e tretë që duhet të zgjidh PD, është çështja e programit politik dhe vizionit që ka ajo për Shqipërinë. Është e vështirë të imagjinosh sot se si mund të jetë Shqipëria me Partinë Demokratike në pushtet. Ndoshta ajo e ka një program, apo një vizion për Shqipërinë, por të paktën deri më tani nuk ka arritur ta përcjellë te shqiptarët. Është vështirë të imagjinosh se si do jetë arsimi, turizimi, mjekësia apo fusha të tjera nën qeverisjen e PD-së. Nëse e krahasojmë me zgjedhjet në Amerikë, amerikanët e kishin të qartë se çfarë Amerike prisnin me Donald Trump dhe se çfarë Amerike presin me Kamala Harris. Dhe në fund, bënë zgjedhjen e tyre sipas bindjeve të tyre.

E pikërisht këtë gjë nuk po e bënë dot PD. Nëse në qeverisjen e Ramës mund ta imagjinojmë se çfarë Shqipërie kemi, nën qeverisjen e mundshme të PD-së është e vështirë ta imagjinosh, sepse deri më tani nuk ja ka përcjell shqiptarëve idenë e saj. Pa zgjidhur këto probleme, Partia Demokratike harxhon kot energji me sulme ndaj drejtësisë, me sherre në parlament apo me komsione hetimore që janë më shumë një “show” se sa zgjidhin ndonjë problem.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

thuaje.com Thuaje.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.