Kongresi i Manastirit, monument i lartë i kujtesës sonë kombëtare

Ashtu siç ishte Kongresi i Alfabetit një ngjarje përbashkuese në mes veti dhe komunkuese me të tjerët, përfshi fqinjët ballkanas dhe miqtë europianë, janë edhe shkrimtarët e tipit të Kadaresë që letërsisë shqipe i sollën dinamikë tjetër zhvillimi, por duke ndjekur frymën dhe porositë e elitës kulturore shqiptare të para 100 viteve, e cila shkronjat […]

Nëntor 15, 2024 - 16:10
 0
Kongresi i Manastirit,  monument i lartë i kujtesës sonë kombëtare
Reklamë
Reklamë

Ashtu siç ishte Kongresi i Alfabetit një ngjarje përbashkuese në mes veti dhe komunkuese me të tjerët, përfshi fqinjët ballkanas dhe miqtë europianë, janë edhe shkrimtarët e tipit të Kadaresë që letërsisë shqipe i sollën dinamikë tjetër zhvillimi, por duke ndjekur frymën dhe porositë e elitës kulturore shqiptare të para 100 viteve, e cila shkronjat e gjuhës shqipe i bëri tulla për të ngritur monumente të larta të kujtesës sonë kombëtare

Nga Prof. dr. Skender ASANI

 

Reklamë
Reklamë

Ideja për të organizuar “Ditët e Alfabetit”, një manifestim ky me karakter kulturor e shkencor, lidhet drejtpërdrejt me misionin e Institutit tonë që si frymëzim ka pikërisht vlerat iluministe, arsimore e kulturore që prodhoi Kongresi i Manastirit, i mbajtur këtu e 116 vite më parë, nga data 14- 22 nëntor 1908. Pikërisht 22 nëntori është zgjedhur jorastësisht edhe si ditë e themelimit të Institutit tonë para 17 viteve, që njëherësh është shpallur edhe  festë shtetëtore.

Për të kujtuar këtë Kongres që shënonte fundin e një robërie dhe fillimin e një lirie kombëtare, ne si Institut jemi kujdesur që  të risjellim në vëmendjen e brezave të sotëm jehonën e kësaj ngjarjeje të madhe historike që kishte ndodhur në qytetin e Manastirit, aty ku u mblodh ajka e mendimtarëve e veprimtarëve shqiptarë të Rilindjes Kombëtare për të hedhur themelet e një alfabeti që për shqiptarët  do të ishte shenja më identidfikuese evropiane.

Me një alfabet latin e të unifikuar, elita shqiptare e asaj kohe synonte të avancojë vetëdijen kulturore dhe të përgatiste shtratin e ngjarjeve të mëdha që do të pasonin me Pavarësinë (1912) dhe me krijimin e infrastrukturës arsimore e kulturore të shtetit shqiptar. Për rrjedhojë  vetëm një vit më vonë u themelua Normalja e Elbasanit, kurse në kolinitë e mërgatës shqiptare në Egjypt, Sofje, Rumani, Stamboll, Selanik e gjetiu u botuan dhjetëra revista e libra të shkruara me alfabetin e posaformuar në Manastir.

Një komb nuk është i lirë vetën nëse jeton pa dominimin e të huajve. Një komb është edhe më i lirë kur kulturën dhe vetëdijen kombëtare e zhvillon në harmoni me vlerat dhe standardet që atë komb e bëjnë të qytetëruar. Alfabeti i shqipes është reflektim i qytetërimit perendimor dhe graviteti fushëveprues i këtij alfabeti u zgjerua si në përgatitjen e dokumenteve të administratës shtetërore, ashtu edhe në publikimet me karakter, arsimor, shkencor e artistik.

Tani, pas 116 viteve,  kur e kujtojmë Kongresin e Alfabetit, kemi arsye ta kuptojmë më mirë çdo përpjekje që si pikësynim ka zhvillimin e kulturës së shkrimit dhe përhapjen e vlerave letrare e artsitike. Prandaj, jo rastësisht ne sivjet u orientuam në një temë qendrore, e cila duke pasur si pikësim pikërisht avansimin dhe zhvillimin e kulturës së shkrimit, kemi marrë për bazë studimi personalitetin shumdimensional të shkrimtarit Ismail Kadare, një gjeni ky i letrave shqipe i cili vetëm pak muaj më parë ndërroi jetë në Tiranë, por na la trashëgim një veprimtari të begatë letrare.

Studiuesit tanë nga Tirana, Prishtina si dhe nga vendi, përfshi edhe kolegët e Institutit tonë, brenda Ditëve të Alfabetit do të vijnë me qasje interesante dhe të veçanta mbi Ismail Kadarenë, shikuar në disa aspekte.

Jam shumë kurreshtar të ndjek këto kumtesa dhe bashkë me pjesëmarrësit tjerë të hedhim një gurë modest, por të rëndëishëm, në studimet kadareane. Me këtë, Instituti ynë do t’i bashkohet qendrave të tjera albanologjike në Tiranë dhe në Prishtinë, në frymën edhe të marrëveshjeve që i kemi, që me projekte e ide konkrete të ngrejmë nivelin e studimeve letrare,  gjuhësore e historike. Në kushtet e një bashkëpunimi të shkëkqyer që tani më disa vite është bërë pjesë e kalendareve tona të përbashkëta,  mendoj se edhe figura e shkrimtrait Ismail Kadare do të vazhdojë të na frymëzojë për ide e projekte të reja, të cilët do t’i jepnin emrit dhe veprës së tij një dimension edhe më të gjerë të këndvështrimit.
Ashtu siç ishte Kongresi i Alfabetit një ngjarje përbashkuese në mes veti dhe komunkuese me të tjerët, përfshi fqinjët ballkanas dhe miqtë europianë, janë edhe shkrimtarët e tipit të Kadaresë që letërsisë shqipe i sollën dinamikë tjetër zhvillimi, por duke ndjekur frymën dhe porositë e elitës kulturore shqiptare të para 100 viteve, e cila shkronjat e gjuhës shqipe i bëri tulla për të ngritur monumente të larta të kujtesës sonë kombëtare.

(Fjalë  e mbajtur në hapjen e Manifestimit kulturor-shkencor DITËT E E ALFABETIT” mbajtur në ITSHKSH)

Shkup, 14 nëntor 2024

 

 

 

 

 

 

 

 

 

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

thuaje.com Thuaje.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.