Afërdita Onuzi nxjerr xhubletën nga varri
Nga Frrok Çupi Përmes shënimeve shumëvjeçare, po lëvizim sa në histori, në perceptime, me fotografi, me etnografë të mëdhenj, deri në ngjarje të vërteta se si ndodhi varrimi e si u ba zhvarrimi i madh i xhubletës. Dëshmitare dhe punëtore në të gjithë jetën e xhubletës, që nga lindja në ringjallje, (histori sa virtuale edhe […]
Nga Frrok Çupi
Përmes shënimeve shumëvjeçare, po lëvizim sa në histori, në perceptime, me fotografi, me etnografë të mëdhenj, deri në ngjarje të vërteta se si ndodhi varrimi e si u ba zhvarrimi i madh i xhubletës.
Dëshmitare dhe punëtore në të gjithë jetën e xhubletës, që nga lindja në ringjallje, (histori sa virtuale edhe të prekshme), është Prof. dr. Afërdita Onuzi. Ajo thotë me nderim se kjo punë gjigande nuk mund të realizohej, përveçse me pjesëmarrjen e etnografëve Rrok Zojsi, Andromaqi Gjergji, Agim Bido, George von Hahn, Franc Nopcha, Rosel de Fontanes, etj. Xhubleta ‘të lë pa frymë’, thotë Afërdita, ‘ajo është dëshmitare e rrallë e qytetërimeve të lashta, të cilën ende nuk e kemi bërë të flasë sa duhet’.
Tregim për varrimin real:
Ngjarja është kjo dhe ka ndodhur në vitin 1971, në fshatin Berishë të Pukës; ka ndodhur para syve të Rrok Zojsit që ishte profesori dhe adhurimi i Afërditës. Rrok Zojsi kishte marrë rrugën fshat më fshat në Veri të vendit deri në Alpe, në kërkim të xhubletës.
Xhubleta kishte dhënë shenja se po shkonte drejt frymës së fundit; nuk po e qëndiste kushmë. Etnografi i shquar kishte marrë edhe një buxhet me vete dhe do ta blinte për arkivin, të parën xhubletë që do të gjente. I thanë se kush e kishte ‘xhubletën e fundit’ në Berishë. Para syve të Prof. Rrok Zojsit u shfaq në grua në moshë, 93 vjeç, e zonja e xhubletës.
“Unë me shit xhubletën!?… Tan pasuninë e botës me ma dhanë, xhubletën nuk e shes”, tha e zonja.
Këqyri nga fytyra e Rrokut dhe iu duk se po shikonte mermer; entografi nuk e reagonte sepse nuk e besonte betimin e zonjës së xhubletës. Atëherë ajo mori një ‘shkamb’ më të madh për betimin se ‘nuk e shiste’. “Nuk kam si e shes; me këtë xhubletë kam ardhë nuse e me këtë xhubletë kam me e veshë ditën e dekës’.
Etnografët heshtën prapë. Edhe zonja 93 vjeçare e xhubletës foli prapë:
“Nuk kam si e shes. Burri më mban mend me këtë xhubletë, çfarë t’i them kur të shkoj!’.
Atëherë nuk kishte më fjalë. E zonja 93 vjeçare vdiq pas dy javësh; xhubleta u varros bashkë me të.
Që atëherë nisi zhvarrimi i xhubletës kudo ku ishte:
Është vërtetuar se xhubleta është një veshje katërmijë vjeçare, dymijë vjet para Krishtit dhe dymijë vjet pas Krishtit. Ka edhe etnografë të botës, kolegë të Afërditës, që xhubletën e kanë quajtur ‘të vjetër sa njeriu’.
Ajo tani ndodhet në Alpet e Shqipërisë dhe përreth tyre. Ajo është parë në veshjet e lashta të Mesdheut Lindor, në Serbi, në Malin e Zi, në Kretë dhe sot e kësaj dite ‘ngjan shumë me statuetat e Kliçevacit dhe të Kreto- Mikenës’, shkruan Prof. Onuzi. Një ekzemplar i saj, sipas Afërditës, ndodhet në Muzeun e Njeriut në Paris (Musee de l’Home). Piktori ynë i famshëm Kolë Idromeno e ka vizatuar në aq variante sa e gjeti kudo ku trokiti.
Sot gjendet, veç muzeve, edhe në zonat shqiptare rreth Alpeve, Malësi e Madhe, Kelmend, Dukagjin, Shalë e Shosh, Nikaj- Mertur… Po pse ‘u struk’ vetëm në rrëzë të Alpeve shqiptare?
Jo se u ‘struk’, por se udhëtoi bashkë me ‘pronarin’ e vet që ishte banori shqiptar, i cili u detyrua të largohet nga fushat dhe të strehohet në male për shkak të invazioneve, që nga ato romake, otoman dhe sllave…
Tani xhubleta është e njohur dhe shpallur nga UNESCO si një objekt ento- kulturor shqiptar. Në librin e saj të fundit, një botim luksoz me titull ‘Xhubleta’, Afërdita Onuzi na ka sjellë gjithë rrugën e gjatë, ndoshta më e gjata e qytetërimeve, që ka kryer veshja tradicionale e grave shqiptare.
Xhubleta merr frymë si njeriu dhe është bash vetë njeriu:
Afërdita shkruan se ‘xhubleta ta merr frymën’ kur e sheh. Qysh në momentin kur nis të endet një xhubletë, ajo, si vetë njeriu, kryen vepra të mëdha njerëzore: Bashkon njerëzit e familjes; dmth., të gjithë pjesëtarët, që nga burri, gruaja, fëmijët…, secili ka misionin e tij.
Gruaja merret me drejtimin e punëve dhe me endjen, burri merret me rrahjen e shajakut në valanicë, fëmijët ndihmojnë me punë të vogla, dhe mbi të gjitha duke mos folur. Nuk duhet hapur goja në atë fillim. Vetë hëna merr pjesë në fillimin e xhubletës: Hëna duhet të jetë e plotë në qiell.
Këto na thotë Afërdita, kjo grua nga Luma që njeh më mirë Labërinë me dolli se sa Kukësin… Pastaj vjen pjesa tjetër e ‘cikleve të njeriut’, sipas xhubletës. Këtu xhubleta shfaqet më e gjallë se kurrë:
Xhubleta për vajzat është më e thjeshta, por edhe si më hyjnorja. Ajo dominohet nga ngjyra e bardhë, si vetë vajzëria.
Në veshjen e grave shqiptare janë përdorur pesë kategori xhublete:
Kategoria e parë- e mira.
Kategoria e dytë- e pasmira.
Kategoria e tretë- e treta.
E katërta- e parakeqja.
E pesta- e keqja.
E mira vishej nga nuset e moshës 25 deri 30 vjeç.
Asnjëra nuk ishte e keqe, por e ‘keqe’ ishte mosha në të cilën vishej, mosha e pleqërisë, në prag të fundit të jetës.
-Edhe ajo ishte e bukur- shkruan Prof. Afërdita. E bukur duhej të ishte sepse ‘gruaja duhej shti në dhè e bukur’…
Një cikël shumë i gjatë jete, sa 4 mijë vjetët e xhubletës, e perceptuar që nga ‘varrimi real i xhubletës më të famshme’ në Berishë të Pukës e deri në dëshmitë që na japin etnografët e ndritur, mes të cilëve Prof. Afërdita Onuzi. Tani xhubleta është prapë në jetë.
What's Your Reaction?