Banka u shiti kredinë. Ja si u nxorën në ankand banesat e kreditorëve për vlera qesharake

Emisioni ‘Në shënjestër’, trajtoi këtë të mërkurë, fenomenin e institucioneve financiare që merren me mbledhjen e kredive të këqija, kredi të konsumatorëve të ndryshëm të cilat i kanë blerë nga bankat e nivelit të dytë. Këto institucione financiare rezulton se nëpërmjet mashtrimit i kanë robëruar edhe më shumë këta kreditorë, të cilëve u janë shitur […]

Janar 31, 2024 - 21:51
 0
Banka u shiti kredinë. Ja si u nxorën në ankand banesat e kreditorëve për vlera qesharake
Reklamë
Reklamë

Emisioni ‘Në shënjestër’, trajtoi këtë të mërkurë, fenomenin e institucioneve financiare që merren me mbledhjen e kredive të këqija, kredi të konsumatorëve të ndryshëm të cilat i kanë blerë nga bankat e nivelit të dytë.

Këto institucione financiare rezulton se nëpërmjet mashtrimit i kanë robëruar edhe më shumë këta kreditorë, të cilëve u janë shitur banesat në ankand për çmime qesharake.

Dokumentari, pjesa e dytë:

Reklamë
Reklamë

Edhe pse Ministria e Drejtësisë hoqi licencën e 7 përmbaruesve privatë të lidhur me ‘Micro Credit Albania’, kjo nuk arriti të frenonte skemën, por përkundrazi, ajo përshkallëzohet edhe më shumë. Pavarësisht kësaj hapi, fenomeni shqetësues i rritjes në masë të kreditorëve që po skllavëroheshin nuk u ndal. Ministria e Drejtësisë kishte kallëzuar 7 përmbaruesit në Prokurori, megjithatë organi i akuzës kishte dyshime të veta se ishin dhjetëra familje që ishin rënë pre e skemës së grabitjes së ngritur nga ‘Micro Credit Albania’. Këto familje, për të shlyer borxhet e vjetra, u detyruan të nënshkruan kontrata për kredi të reja.

Selami Xhepa, Ekonomist: Në raportet periodike të Bankës së Shqipërisë janë të pozuara herë pas here problematika që manifestohen në këtë sektor që kanë të bëjnë kryesisht me transparencën, me mënyrën e funksionimit të tyre të brenshme, kanë të bëjnë me asimetrinë ose si të themi me një lloj politike jo shumë të hapur ndaj kredimarrësve.
Fjala vjen mënyra e ndryshimit të termave të kredisë që mund të bëhet në mënyrë të njëanshme, kushtet e transparencës në mënyrën se si llogaritet interesi etj etj.

Kompania ‘Micro Credit Albania’ nuk ishte e vetmja që u përfshi në një hetim të gjerë nga Ministria e Drejtësisë dhe më pas nga organi i akuzës. Lulëzimi i tyre fillon në vitin 2016, periudhë kur Banka e Shqipërisë nisi licencimin e tyre dhe lindjen e kompanive të tjera të mbledhjes së borxheve, të cilat u emërtuan ‘Tranzit’, ‘Final’, pastaj ‘Kredo Financë’, ‘Lute Credit’, ‘Micro Credit Risk’, dhe të tjera. Këto kompani, duke parë suksesin e tyre, nuk u mjaftuan vetëm me mbledhjen e kredive të këqija nga bankat e nivelit të dytë, por shtrinë aktivitetin e tyre edhe në fusha të tjera, duke përfshirë kompanitë celulare dhe stoqet e detyrimeve të papaguara. Shumë qytetarë u përballën me telefonata të shumta nga këto kompani të mbledhjes së borxheve, ku u kërkohej të paguanin detyrimet e prapambetura që kishin ndaj tyre.

Vjoldi Danaj, Ekspert i Politikave Ekonomike: Mjafton të marim normativën europiane dhe ta përdorim këtu. Normativa europiane i ka zgjidhur shumë mirë këto lloj situatash dhe nuk ka lënë hapësira për abuzime siç ndodh fatkeqësisht në Shqipëri.

Megjithatë këto kompani borxhmbledhëse nuk mund të funksionin në mungesë të një kuadri rregullues legjislativ.

Eduart Gjokutaj, Ekspert i Ekonomisë: Natyrshëm ky është një risk i madh për sa kohë ekzistojnë fenomene të tilla që vijnë në mënyrë të përsëritur nga mungesa e kontrollit dhe në një farë mënyre nga këto kushtet e lehtësuara të cilat ulin vigjilencën qoftë të menaxhimit të brendshëm që e menaxhon apo kontrollon sa duhet punën e tij, qoftë dhe Banka e Shqipërisë, e cila në vetvete nuk e ka fokusin kryesor mbikqyrjen e tyre pasi më së shumti ka sistemin bankar.

Për të adresuar këtë situatë, Banka e Shqipërisë ndryshoi rregulloren e licensimit të institucioneve të mikrokredisë. Dy pikat e shtuara ishin ‘blerja e kredisë’ si një nga format e kredidhënies dhe subjekti financiar jo-bankë që mund të blinte ‘kredi me probleme’, duke përfshirë ato që kishin 100 për qind të portofolit të kredisë të tyre të përbërë nga kredi të tilla të blera nga bankat. Kjo hapësirë e krijuar në legjislacion i mundësoi këtyre kompanive të abuzonin ndjeshëm dhe të intensifikonin sulmet e tyre ndaj individëve apo familjeve, veçanërisht të varfra.

Këto shkelje të rënda u konstatuan gjatë një hetimi të nisur në vitin 2019 nga Ministria e Drejtësisë. Ata dërguan një dosje voluminoze me mijëra faqe në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ekspozoheshin mënyrat se si këto institucione mikrofinanciare e kishin kthyer mbledhjen e këtyre kredive të ashtuquajtura të këqija në një mundësi dhe minierë ari për të grabitur qindra qytetarë. Këto histori njerëzore nuk tregonin asgjë tjetër përveç dëshpërimin dhe varfërinë ku kishin përfshirë ata.

Vjoldi Danaj, Ekspert i Politikave Ekonomike: Këtu janë gjykatat përkatëse që duhet të ndërhyjnë dhe të kërkojnë me forcë modifikimin e ligjit ose pse jo dhe dënimin në mënyrë të drejtpërdrejtë të këtyre institucioneve. Këto janë institucione që nuk bëjnë gjë tjetër përveç se shkatërrojnë ekonomitë individuale, shkatërron në tërësi dhe ekonominë…Pra ndikojnë në uljen e konsumit në uljen e vetë kredive. Kjo gjë u mendua në fillim që do ndikonte në uljen e kredive të këqija, por kjo vetëm sa ka shtuar kreditë e këqija, sepse merret kredi për të shlyer kredi.

Në këtë skemë grabitqare, tragjikja e vërtetë ka qenë humbja e banesave për shumë kreditorë. Kjo ndodhi si rezultat i mashtrimit financiar që doli jashtë kontrollit ose u lejua të ndodhë me vetëdije nga shteti. Gjatë vitit 2023, këto institucione, përfshirë ‘Micro Credit Albania’ dhe ‘Final’, përvetësuan jo vetëm shumën e parave nga kreditorët, por finalizuan skemën duke rrëmbyer edhe pronat e tyre. Këto kompani jo vetëm që morën pronat nga debitorët, por edhe i shitën ato në ankand, duke bashkëpunuar me zyrat e përmbarimit, të cilat organizonin shitjen e pronave të debitorëve.

Vjoldi Danaj, Ekspert i Politikave Ekonomike: Shpeshherë përmbaruesit bien në marrëveshje me individë që janë të interesuar pikërisht për të blerë këto lloj asetesh. Dhe automatikisht pa respektuar shpesh herë dhe procedurat ligjore, e vendos në sekuestro preventive dhe kohën, afatin që lë për shlyerjen e detyrimeve është shumë e shkurtër që dhe në këtë rast nuk respektohen termat ligjorë, arrin që ta nxjerrë në shitje, normalisht çmimi që del në fillim është sa detyrimi fillestar që ka kredimarrësi pastaj arrin që nëse për një farë periudhe ajo nuk shitet, arrin detyrimi, vlera të ulet.

Kjo skemë grabitqare duket se ka funksionuar edhe në rastin e kredive konsumatore të blera nga këto institucione. Në këtë situatë, pasuritë e kreditorëve ishin shumë më të mëdha se shuma e parave që ata kishin marrë fillimisht, dhe ato u nxirreshin në shitje. Tre ankande organizoheshin nga përmbaruesit, duke ulur ndjeshëm çmimin e pronave. Në rastin kur nuk kishte ofertues, në ankandin e tretë, pronat i propozoheshin vetë kreditorit me çmimin që do të dilte në ankandin e tretë. Kjo do të thotë se kreditori, i cili kishte humbur pronën për shkak të kredisë së keqe që kishte akumuluar, futej në ankand për të blerë pronën e tij me çmimin që i vendoste në këtë rast përmbaruesi, pronës së tij.

Vjoldi Danaj, Ekspert i Politikave Ekonomike: Gjykatat pikërisht duhet të ndezin alarmin, në momentin që një pronë ose një pasuri e paluajtshme apo e luajtshme shitet nën vlerën reale të tregut atëherë duhet të bëhen pikërisht hetime, por hetimet duhet të jenë 360 gradë, jo vetëm në këtë rast por dhe në momentin që fillojnë hyjnë në mes për blerjen e borxhit të keq institucionet financiare ose dhe vetë përmbaruesit. Këtu skema është shumë e ndërlikuar është shumë e koklavitur dhe është shumë deri diku e korruptuar mendoj unë.

Zbulimet e Ministrisë së Drejtësisë evidentuan se mijëra prona ishin shitur në ankand, ku një përmbarues, i njohur si Rigels Bejko dhe i lidhur me ‘Micro Credit Albania’, kishte organizuar disa muaj brenda vitit 2023 rreth 1300 ankande për këto prona. Megjithatë, u zbulua se këto ankande ishin thjesht fiktive, dhe Dhoma e Përmbarimit i cilësoi ato si mashtrim. Përfituesi kryesor i kësaj skeme ishte ‘Micro Credit Albania’. Edhe pse pronat, si apartamentet në Tiranë dhe Durrës, dilnin në ankand me shuma të vogla, si 2 apo 3 milionë lekë të vjetër për apartament, ose 200 apo 300 mijë lekë të vjetër për ullishte, të gjitha ankandet përfundonin pa ofertues. Kjo do të thotë se ankandet ishin organizuar thjesht për formalitet, ndërsa pronat regjistroheshin në emër të ‘Micro Credit Albania’ në Kadastër.

Vjoldi Danaj, Ekspert i Politikave Ekonomike: Ministria e Financave duhet të vendosë dispozita ligjore specifike për të kontrolluar këtë lloj aktiviteti. Dhe pastaj Ministria e Drejtësisë nëpërmjet legjislacionit. Pra duhet të tre këto institucione të jenë në koordinim me njëra tjetrën që të rregullojnë jo vetëm institucionet financiare por që të rishikohet dhe figura e përmbaruesit.

Dhoma e Përmbaruesve ka kallëzuar këtë grup të strukturuar kriminal, i cili zhvillonte ankande dhe përmbarim fiktiv, në SPAK në fund të muajit nëntor të vitit të kaluar. Megjithatë, çështjet kanë mbetur në vendnumëro dhe përgjegjësia ligjore për këto institucione grabitëse ende nuk është dëshmuar. Edhe pse Ministria e Drejtësisë kishte dorëzuar një dosje në Prokurorinë e Përgjithshme në vitin 2020, duke përfshirë akuza për mashtrim me pasoja të rënda për qytetarët. Kjo listë e pritjes përfshin përmbarues dhe drejtues të institucioneve financiare të mikrokredive, të cilët vazhdojnë aktivitetin e tyre pa u ndalur, duke drejtuar nga jashtë vendit ku ndodhen.

Selami Xhepa: Kreditë me shuma të vogla kanë një kosto administrative shumë më të lartë sesa kreditë që janë me volume të mëdha dhe është një ligjësi e natyrës së sistemit që karakterizohet nga norma të larta. Por kur këto shndërrohen në abuzuese sepse normat duhet të kenë dhe një logjikë nga e cila ato ndërtohen që nënkupton jë llogaritje të saktë të kostove administrimit të kredisë. Kështu që duhet të ketë një logjikë që ta mbështesë dhe ta sigurojë normën e interesit që aplikohet.

Por a mund të zhvillohet ky aktivitet mashtrues pa ndihmën e Bankës së Shqipërisë? Dhe pse kjo Bankë jo vetëm nuk vepron, po mban një qëndrim mospërfillës, kur në mes është qytetari?

Selami Xhepa, Ekonomist: Në këtë rast klienti nuk mund t’i drejtohet sistemit të drejtësisë sepse thjesht dërgimi i çështjes në sistemin e drejtësisë e bën problemin të pazgjidhësm dhe për pasojë klientët ngelen pa një dritare ku të kenë mundësinë që të ankohen dhe të marrin një të drejtë, pra një mbrojtje më e mire. E drejta e qytetarëve në mendimin tim duhet të realizohet nga Banka Qendrore dhe legjislacioni për këtë duhet të ndryshojë.

Pavarësisht se në vitin 2022, kompanisë ‘Micro Credit Albania’ iu pezullua licensa për një vit, për të mos blerë kredi nga bankat e nivelit të dytë, ajo vazhdoi aktivitetin e saj duke mbledhur dhe shitur borxhe. Gjatë vitit 2023, megjithëse institucioni rregullator, Banka e Shqipërisë, nuk vendosi asnjë pezullim, ‘Micro Credit Albania’ vazhdoi praktikat e tilla, duke shesur nëpërmjet ankandeve fiktive prona me vlera të ulëta.

Në shtator 2022, Departamenti i Mbikëqyrjes kryeu një ekzaminim të pjesshëm pranë ‘Micro Credit Albania’, duke vënë në dukje se rekomandimet e lëna nga ekzaminimi i mëparshëm në korrik 2020 ishin realizuar vetëm pjesërisht. Inspektimi tregoi shkelje serioze, duke përfshirë mosklasifikimin e kredive në përputhje me rregulloren dhe mosreflektimin e kufizimeve të penaliteteve në kontratat e kredive. Megjithatë, edhe pas penalizimit dhe heqjes së licensës nga Banka e Shqipërisë, ‘Micro Credit Albania’ vazhdoi veprimtarinë e saj dhe vazhdoi të mbledhë dhe të japë borxhe. Bilanci vjetor për vitin 2022 tregoi një fitim neto prej 1.5 milionë euro dhe të ardhura të tjera nga penalitetet dhe interesat në vlerën e 3 milion eurove, pa llogaritur vlerën e pronave të fituara nëpërmjet ankandeve fiktive.

/a.d

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

thuaje.com Thuaje.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.