Biletë njëdrejtimëshe nga Londra për në Prishtinë: Vajza që rigjeti veten në karrierën e re
Tetë muaj më parë, në prill të vitit 2023, Loresa Dragusha bleu biletë njëdrejtimëshe nga Anglia në Kosovë. Nga ajo kohë, ajo rigjeti veten në një karrierë të re në Prishtinë, duke lënë prapa kujtimet e ëmbla e të hidhura të 28 vjetëve të saj në Londër. Festën e Vitit të Ri më 1992, prindërit […]
Tetë muaj më parë, në prill të vitit 2023, Loresa Dragusha bleu biletë njëdrejtimëshe nga Anglia në Kosovë. Nga ajo kohë, ajo rigjeti veten në një karrierë të re në Prishtinë, duke lënë prapa kujtimet e ëmbla e të hidhura të 28 vjetëve të saj në Londër.
Festën e Vitit të Ri më 1992, prindërit e Loresës e kishin pritur të ndarë. Babai i saj sapo kishte shkuar në Angli si refugjat, ndërsa nëna e saj do t’i bashkohej atij rreth katër muaj më vonë. Pas tre vjetëve, Loresa u shtua në familjen që jetonte së bashku me shumë refugjatë të tjerë nga Kosova në një hotel në Londër.
Loresa, 28 vjeçe, beson se jeta e saj është përcaktuar nga vitet e para në Angli dhe sfidat me të cilat ishin përballur prindërit e saj, pasi ishin larguar nga Kosova e paraluftës.
“Nuk kam mundur të kyçem në atë shoqëri [me nxënësit e tjerë në shkollë] sepse e vëreja që unë jam më ndryshe. Kur e shihja mosmirënjohjen e shoqeve të mia britanike, kjo më bënte mua edhe më mirënjohëse dhe të uritur për ta ndërtuar një jetë më të mirë”, thotë Loresa.
E ulur në një kafene në Prishtinë teksa flet për Radion Evropa e Lirë, ajo kujton një moment kur komunikimi i përhershëm në gjuhën shqipe në shtëpi i ishte kthyer për të keq në shkollë.
“Në fillim kisha probleme me anglishten dhe mësuesi im më detyroi ta lexoja një fjali nga një libër dhe fjalia ishte ‘She bathed in hot water’ [Ajo u pastrua me ujë të nxehtë], por unë e kisha lexuar gabimisht fjalën ‘bathed’ dhe të gjithë nxënësit kishin qeshur me të madhe”, kujton ajo.
Loresa mban mend të jetë ndier “tejet e turpëruar dhe shumë e zemëruar me prindërit” që “s’e kishin inkurajuar të mësonte anglisht”.
Megjithatë, gjatë viteve të ardhshme, ajo kishte gjetur shumëçka që i sillte kënaqësi: muzikë, art, sport e shkencë.
“Unë isha në një ndër qytetet më të mëdha e më të zhvilluara në botë. Kështu që isha vazhdimisht e rrethuar nga gjëra frymëzuese. Dhe, kur e kombinon këtë me karakterin e fortë të shqiptarëve dhe luftën tonë për liri dhe pavarësi… Ky është një kombinim i jashtëzakonshëm”, thotë ajo.
E nxitur nga ëndrrat e prindërve, Loresa ishte përkushtuar për të ndjekur atë që i ishte thënë se është “recetë e suksesit”. Ajo përfundoi studimet për histori dhe politikë në Universitetin e Londrës “Queen Mary” dhe punoi gjashtë vjet nëpër kompani të ndryshme britanike të marketingut.
“Unë arrita diçka të mirë, diçka të mrekullueshme. Por, jo për veten time. Po ta kisha dëgjuar veten dhe t’i kisha ndjekur pasionet e mia, suksesin do ta definoja në bazë të asaj se sa e përmbushur ndihem nga puna që bëj”, thotë Loresa.
Etja për sukses dhe përmbushje
Definicionin e saj të suksesit filloi ta ndiqte nga prilli i këtij viti. Pasi kompania në të cilën po punonte, kishte vendosur të mos i vazhdonte kontratat për ekipin e marketingut, Loresa nisi një epokë të re në jetën e saj. Ditën kur ia shkëputën kontratën, ajo e mban mend si ditën e “rilindjes”.
Menjëherë bleu dy bileta për një vizitë triditëshe në Prishtinë, bashkë me një shoqe të saj greke. Gjatë atyre tri ditëve, shoqja e Loresës kishte vërejtur paqen që Loresa gjen në vendlindjen e prindërve.
“Shoqja ime më pyeti: ‘A e di se sa më e lumtur je këtu sesa në Londër?’ Dhe, më rekomandoi që unë të vazhdoja ta bëja atë që sapo e kisha nisur, edhe pse pa vetëdije: t’i këshilloja të tjerët”, kujton Loresa.
Atëkohë, Loresa mban mend se, përmes rrjeteve sociale, kishte filluar t’u tregonte shumë të rinjve shqiptarë në diasporë se si kishte arritur të bëhej pjesë e kompanive të mëdha të marketingut. Kjo kishte filluar si aktivitet gjatë kohës së lirë, por tash e tetë muaj i është shndërruar në profesion.
“Edhe unë jam duke mësuar se çfarë është ajo që bëj. Meqë puna e mëparshme ishte në një korporatë dhe e kisha titullin e saktë të punës që bëja… atëherë ishte shumë e lehtë ta prezantoja veten. Tani, nuk e di as vetë se si ta prezantoj veten. Krijoj hapësira të sigurta për njerëz – kështu e përshkruaj ndonjëherë”, thotë Loresa.
Puna e Loresës si konsulente për mënyrën e jetesës dhe karrierën definohet si “person që këshillon dhe inkurajon klientët për çështje që kanë të bëjnë me sfida personale, shpirtërore dhe në karrierë”.
Ajo thotë se nuk është e vetmja në Kosovë që merret me këtë profesion, por se është e kënaqur që ka arritur të depërtojë deri te klientë ndërkombëtarë dhe shqiptarë të diasporës./m.j
What's Your Reaction?