Dy australianë në Gjirokastër
Nga Fatos Tarifa Po shkoja dje në Gjirokastër për të mbajtur një leksion të hapur me studentët e Universitetit “Eqrem Çabej” të atij qyteti. Për ata që e njohin Gjirokastrën, në pjesën e poshtme të saj, në rrugën kombëtare, rreth 200 metra pa marrë kthesën që të çon në sheshin “Çerçiz Topulli”, mora rrugën që […]
Nga Fatos Tarifa
Po shkoja dje në Gjirokastër për të mbajtur një leksion të hapur me studentët e Universitetit “Eqrem Çabej” të atij qyteti. Për ata që e njohin Gjirokastrën, në pjesën e poshtme të saj, në rrugën kombëtare, rreth 200 metra pa marrë kthesën që të çon në sheshin “Çerçiz Topulli”, mora rrugën që të ngjit në lagjen Hazmurat. Kjo është një rrugë më e gjerë se të gjitha sokaqet e Gjirokastrës por, vende-vende, më e ngushtë se çdo rrugë makinash. Pjerrësia e saj, për shumicën e njerëve që i ngjiten me makinë, kërkon një vëmendje e kujdes të veçantë për të evituar ata gurë kalldrëmi që koha dhe rreshjet i kanë bërë të dalin mbi të tjerët.
Unë kam jetuar në këtë qytet katër vite kur isha fëmijë dhe, qysh nga ajo kohë, përveç një dialekti dhe aksenti tipik gjirokastrit—që kam aftësinë t’i fsheh për shkak se jam rritur e kam jetuar në Tiranë për afro gjysmë shekulli, por që, me raste, kam dëshirë t’i evidentoj—pra, përveç të folurës, më duket se ato pak vite që kam jetuar në Gjirokastër kanë “modifikuar” edhe mënyrën time të të ecurit. Të zbresësh ose të ngjitesh në rrugët e Hazmuratit, në Varosh, në Dunavat ose në Pazarin e Vjetër duket sikur sfidon ligjin e gravitetit universal.
Ndërsa po ngjitesha me makinë në rrugën kryesore të lagjes Hazmurat, që të çon te Qafa a Pazarit, një kryevepër botërore e planimetrisë urbane, pashë dy turistë të huaj, të moshuar, që fotografonin shtëpitë në të majtë e në të djathtë të rrugës. Shtëpitë gjirokastrite! Të ndërtuara mbi gurë, me gurë dhe nën gurë. U bëra kurioz dhe e ndala makinën që t’i përshëndesja e t’i pyesja se nga cili vend ishin.
“From Australia”, më thanë, “Melburn”.
U thashë se familja ime është nga Gjirokastra dhe i pyeta se ç’përshtypje u kish bërë ky qytet.
“We have never seen anything like this”, thanë ata thuajse në një gojë. Ai tha “anything”, ajo tha “a city”.
Aty për aty më erdhën ndër mend fjalët me të cilat e kam përkufizuar Gjirokastrën në librin tim Fjalor i paradokseve: “Nëse ky qytet nuk do të ekzistonte realisht, mendja njerëzore nuk do të mund ta përfytyronte dot”.
U përshëndeta me ta dhe vazhdova të ngjitesha rrugës së vështirë të Hazmuratit. Rreth 300-400 metra pa vajtur te Qafa e Pazarit ndodhet hotel Kodra. Prej disa vitesh kam zgjedhur të qendroj në këtë hotel sa herë vizitoj Gjirokastrën. Një hotel i vogël, në zemër të qytetit, që më është bërë si shtëpi në këtë qytet, ku sot nuk banon askush nga familja ime dhe asnjë prej të afërmve të mi. Hotel Kodra është një vend ideal për të shijuar kulinarinë gjirokastrite, por edhe për të kaluar disa ditë të qeta.
Ndërsa po rehatohesha në dhomë, s’më hiqeshin nga mendja dy turistët e moshuar australianë. Nuk munda dot t’i pyesja pse kishin ardhur pikërisht në Shqipëri, ç’i kishte shtyrë dhe ç’dinin për vendin tonë para se të vinin. Aty për aty m’u kujtua shifra 10 milionë—numri i raportuar zyrtarisht i turistëve të huaj që kanë vizitiar Shqipërinë gjatë vitit që shkoi.
Dhjetë milionë! Vërtet një numër i madh, por sa prej tyre kanë qenë turistë si këta turistë australianë që takova në lagjen Hazmurat të Gjirokastrës? Jo nga Australia, por turistë-turistë, shtetas të huaj që Shqipërinë e vizitojnë për ta njohur dhe/ose për të pushuar disa ditë.
Nëse më kuptoni ç’dua të them, dy turistë nga Australia e largët janë më shumë se sa 1,000 vizitorë shqiptarë nga Kosova, nga Mali i Zi apo nga Maqedonia e Veriut që hyjnë në Shqipëri—në territorin e kombit të tyre—dhe dalin nga kufiri ynë shtetëror sa herë që dëshirojnë. Kur them “më shumë”, nuk kam parasysh “të ardhurat që vijnë nga turizmi”; me “më shumë” kuptoj shtrirjen e gjeografisë së njohjes së Shqipërisë dhe e interesimit për vendin tonë te njerëz prej vendeve më të largët të planetit.
Pastaj, nuk e di pse, mendova këtë: Ndërsa ky çift i moshuar australianësh kanë ardhur të vizitojnë Shqipërinë—dhe Gjirokastrën—nga një vend kaq i largët, që në mënyrë metaforike do të thonim se ndodhet “prapa diellit”, sa mund të jenë ata shqiptarë që nuk e kanë shkelur një herë Gjirokastrën?
Gjirokastrën! Këtë qytet të jashtëzakonshëm. Disa e quajnë unik. Të thuash se ky qytet është unik, eksepsional, nuk ke thënë shumë. Shumë qytete në botë janë unikë. Për mua, Gjirokastra është një qytet magjik, Unë e veçoj atë dhe i çmoj disa tipare e veçori të tij që nuk i ka asnjë qytet tjetër në botë, tipare e veçori që të tërheqin si me magji drejt tij, drejt kalasë madhështore, në sokaqet e ngushtë që aq mjeshtërisht i ka përshkruar Ismail Kadare dhe drejt Qafës së Pazarit, zemrës metafizike të këtij qyteti.
Gjirokastra ka qenë—dhe mbetet—një magjepsje për këdo që e zbulon. Dhe Gjirokastra nuk është nga ata qytete që zbulohen vetëm një herë. Ky qytet zbulohet çdo herë që e viziton. Gjirokastra zbulohet çdo ditë, edhe nga ata që e njohin mirë, edhe nga vetë banorët e saj. Sepse Gjirokastra gjithnjë fsheh diçka, gjithnjë ruan diçka të pazbuluar. Ky qytet është një mister i përjetshëm, që gjithnjë mbetet për t’u zbuluar.
Ky mister ka të bëjë ndoshta me gjenezën e këtij qyteti dhe me legjendat e mitet që thuhen për të, të cilat e mbajnë atë gjithnjë fshehur pas një mjegulle misterioze që provokon hamëndje, kureshtje dhe habi sa herë dëgjojmë, ose mësojmë diçka të re për të. Thjesht, Gjirokastra është një çudi njerëzore, po aq sa është edhe një qytet mahnitës për vendodhjen gjeografike dhe për tiparet e saj fizike e urbanistike—me një fjalë, për çdo element të pejzazhit të vet human e natyror.
Siç bëj zakonisht kur vij në këtë qytet, një kafe me kryetarin energjik e vizionar të bashkisë së Gjirokastrës, mikun tim Flamur Golemi, dhe kryetaren e këshillit bashkiak, Prof. Merita Isaraj, çel siparin e qendrimit tim në këtu. Prej tyre mësoj “të rejat e ditës” dhe planet e bashkisë për t’u shtuar vlerave të rralla autentike të këtij qyteti të jashtëzakonshëm mjedise e shërbime që e bëjnë jetën e banorëve të tij, sidomos të rinisë, më të lehtë e më të mirë.
Dhe, kur ndahem me ta e më pyesin se kur do vij sërish në Gjirokastër, u them: “Shumë shpejt”.
What's Your Reaction?