‘Eksperti’ erotik, ‘Ujku’ i Cërrikut dhe vrasjet për status
Nga Jakin Marena Ka ngatërruar dynjanë lajmi se një video erotike e njërës prej drejtueseve të një emisioni televiziv shqiptar është gjetur në celularin e njërit prej njerëzve të krimit në Shqipëri. Dhe si gjithnjë, autori i këtij lajmi i referohej si burim SPAK-ut, a thua personi në fjalë që i dha zë këtij lajmi […]
Nga Jakin Marena
Ka ngatërruar dynjanë lajmi se një video erotike e njërës prej drejtueseve të një emisioni televiziv shqiptar është gjetur në celularin e njërit prej njerëzve të krimit në Shqipëri.
Dhe si gjithnjë, autori i këtij lajmi i referohej si burim SPAK-ut, a thua personi në fjalë që i dha zë këtij lajmi kishte qënë në paradhomën e Prokurorisë së Posaçme, apo ishte njeriu që kalonte nëpër duar dhe seleksiononte fashikujt e dosjes hetimore në ngarkim të këtij njeriu të krimit.
U desh ndërhyrja e dy prej gazetarëve shqiptarë, të cilët kanë lënë ‘brinjët’ bashkë me shumë kolegë të tyre për të investiguar ngjarje dhe raste të rralla krimi me dy apo tre burime dhe me shkallë të lartë besueshmërie, që të merrej vesh nga publiku se s’ka asnjë gjasë që të ishte një lajm që rridhte nga SPAK. Megjithatë, ‘moralistët’ e rrjeteve sociale nuk binden, dhe vijojnë avazin sikur ngjarja është e vërtetë.
Është shpjeguar qartë dhe me detaje se aplikacioni i përdorur nga njerëzit e krimit dhe që ishte i zbërthyer në SPAK, nuk përmbante videon erotiken në fjalë, jo se nuk kishte do kishin dashur për ta bërë, por se me këtë aplikacion është e pamundur të transportohen apo transferohen video.
Fundja ndaj e përdornin këtë aplikacion të nivelit të lartë njerëzit e krimit, për të mos lënë gjurmë pamore e zanore. Madje thuhet se njerëzit e krimit u janë rikthyer celularëve të ‘dorës’ së parë që kanë hyrë në Shqipëri, të cilët janë të pagjurmueshëm, paçka se janë tepër të thjeshtë.
Pavarësisht sqarimit nga ana e këtyre njerëzve të gazetarisë, s’marr përsipër të them nëse e bënë për shkak të lëndimit me pa të drejtë të asaj vajzës moderatore në një nga televizionet shqiptare apo për të shpëtuar atë çfarë mund të shpëtohet nga zanati i tyre i gazetarisë investigative që po degjenerohet nga të ashtuquajturit ‘ekspertë’ të gjithanshëm, por ajo që mund të themi është se, ndërhyrja ishte në kohën e duhur dhe me vend.
I themi këtë pasi gjithkush ka në memorie pamjen e këtij ‘eksperti’, që ka gati mbi një vit që del në ekranet televizive dhe me sa duket është në garë me kohën për të deklaruar gjithfarë lajmesh ‘të sigurta’, me ‘burim SPAK-un”, por që nuk po jep emra për arsye të rëndësishme. Pavarësisht se lajmet janë të fryra, aspak të vërteta në 99% të rasteve, e ‘plagjiaturë’ e shëmtuar në 0.1% të rasteve të tjera, ky ‘ekspert’ e sivëllezërit e tij nuk ndalen se mbushuri publikun përmes ekraneve televizive, nganjëherë në 3 ekrane në të njejtën kohë, janë ‘live’ me sa duket, por dhe të rrjeteve sociale, me këtë soj lajmesh. I përsërit rëndshëm duke çakorduar memoriet e njerëzve.
Por dhe sikur ajo videoja të kishte qënë e vërtetë, është e pahijshme por dhe anti-ligjore që të bëhet publik me emër dhe mbiemër personi që pretendon se gjendet në këtë video dhe për këtë arsye, ndërhyrja në fillim e AMA-s dhe më pas e organeve ligjzbatuese duhet të jetë reale. Pa llogaritur këtu SPAK, i cili përmendet në mënyrë të drejtëpërdrejtë si burimi i këtyre lajmeve, i cili duhej ta kishte pyetur me kohë dhe vakt ‘ekspertin’ në fjalë, për involvimin e Prokurorëve të Posaçëm, në një ‘rrjedhje’ informacioni, krejtësisht të pavërtetë. Por dhe të pamundur nga ana teknike për të ‘rrjedhur’, pasi nuk ekzistonte videoja në fjalë në celularët e njerëzve të krimit të zbërthyera nga SPAK.
Përtej anës morale dhe ligjore që mund të sjellin raste të tillë, ajo që është më e rënda në këto momente është se në emisionet e shumta televizive po zënë gjithnjë e më shumë vend njerëz që thonë të pavërteta apo gjysmë të vërteta. Gjejnë vend njerëz që flasin për një fushë tërësisht jashtë kompetencave të tyre dhe në fund të herës thirren në emisione televizive njerëz të cilët në tërë kuptimin e fjalës janë një “lumpen’ i vërtetë.
Dhe “eksperti” në fjalë është ‘prodhim’ i lindur dhe i promovuar në të njejtin emision ku janë ‘zbuluar’ dhe promovuar “Ujku i Cërrikut’, Hasani i Dhallës, mashtruesi i Tepelenës, Lekë Plepi dhe tërë njerëzit e mangët të këtij vendi, bashkuar dhe me elementët kontrapedal që janë një bezdi e gjallë për ata që i shikojnë. Jo më kot emisione të tilla, kanë një ‘pikiatë’ për lart interesi për klikime, dhe pastaj shumë shpejt një ‘pikiatë’ për poshtë, duke u shuar përfundimisht, pasi asnjë familjar normal nuk e lë familjen e tij të ndjekë nivele të tilla të ulta emisionesh në ekranet televizive.
Por dëmi është bërë. Këta soj ‘ekspertësh’, ‘gazetarësh’ dhe ‘VIP’-ash kanë arritur të gjejnë vend dhe për ribotime në mediat sociale, duke groposur jo vetëm gazetarinë e vërtetë investigative dhe gazetarinë normale raportuese, por dhe duke ‘infektuar’ në një farë mase vetë gazetarinë, duke zëvendësuar raportimin e lajmit nga terreni me lajmin e komentuar nga terreni dhe studio.
Njëherësh kanë qënë dhe një kosto shumë lartë për shoqërinë shqiptare. Sepse me vendin që u kanë dhënë në ekranet televizive këtij soji ‘ekspertësh’ dhe ‘gazetarësh’, shqiptarët janë vërtetë të mjegulluar për të ndarë gazetarinë e vërtetë nga ajo spekulative. Ndaj ka rënë shumë interesi.
Nuk po i hyjmë dosjeve të rënda të krimit që kanë ‘rrjedhur’ nga organet ligjzbatuese drejt mediave, kuptohet në mënyrë selektive dhe është dhënë ajo që kanë dashur vetë apo për hesap të politikës, duke ushtruar presion dhe mbi publikun, e duke e dhënë ‘dënimin’ për personin e caktuar që në fillimin e hetimeve. Janë raste që mund të përmenden dhe kanë mbetur thellë në memorien e publikut, si raste flagrante të marrjes më qafë të njerëzve.
Dikur profesori i historisë në shkollën e mesme na thoshte se “historia pa emra, pa data dhe periudha historike, nuk quhet histori por përrallë”. Kështu po ndodh dhe me këtë soj ‘ekpertësh’ dhe ‘gazetarësh’ që, në përpjekje për të arritur ata gazetarë që kanë një jetë të tërë që investigojnë dhe japin lajme që shkojnë shumë afër të së vërtetës apo gazetarë të rinj që po bëjnë me të vërtetë mirë punën e tyre, por që të gjithë bashkë kanë anën e përkorë që të përdorin e termat klasikë të gazetarisë “pritet’, ‘dyshohet’ e shprehje të tjera të këtij kalibri pasi askush nuk ka monopolin e vërtetësisë në masën 100%, po i humbasin gazetarisë vlerën e besueshmërinë pak e nga pak.
Ndërsa po të ndjekësh live këta ‘ekspertë’ që duan të mësojnë gazetarinë në moshën 40 apo 50 vjeçare, madje ‘katapultohen’ dhe në studio televizive, sheh se deklarojnë pa ua bërë syri ‘tërr’ se kjo që po servirin për publikun është 100 përqind e vërtetë, ka burim SPAK-un pa e pasur fare, pa menduar për traumat që mund të shkaktojë servirja e një mashtrimi të tillë, apo dhe lajmi gjysmë të vërtetë, tek ata që përmend direkt ose indirekt, përfshirë dhe familjarëve të tyre.
Unë s’kam asnjë lloj preference për moderatorën të cilës këta soj ‘ekspertësh’ i kanë përmendur emrin se gjendet në atë videon me sfod erotik në celularin e njeriut të krimit. Nuk e shoh asnjëherë në fakt emisionin e saj, çështje shije kjo, por në emisionin e fundit e pashë thjeshtë dhe vetëm për të parë se si ndjehej. Vura re se ishte e këputur, e thyer, pavarësisht ndonjë deklarate tek tuk për të tejkaluar situatën. Ajo është vajza e dikujt, motra e dikujt, ndoshta dhe e dashura e dikujt. Të gjithë shohin TV, të gjithë kanë celular dhe të gjithë ndjekin rrjetet sociale. Nuk po e marrim në mbrojtje, thjeshtë po themi se si nuk duhet të veprojmë me gjëra të tilla.
Pasi lajmet e këtij lloji mund të shkaktojnë jo vetëm drama njerëzore e familjare. Ato mund të shkaktojnë konflikte të tmerrshme me viktima pa fund prapa. Nuk po vë një alarm për ngjarje të pandodhura, janë të mbushura emisionet e lajmeve me këto lloj kronikash të zeza dhe ‘paketë’ dhe emisionet respektive për secilën ngjarje, thuajse në të gjitha ekranet shqiptare. Ku në mënyrë absurde kërkohet lajm dhe në një ceremoni mortore, ku familjarët në vend që të marrin një fjalë ngushëllimi për humbjen e njeriut më të dashur, u kërkohet me insistim përgjigjie live nga ekranet televizive se si ndjehet, për kë dyshon dhe se a do të ketë hakmarrje ndaj atyre që mendohet se kanë qënë vrasësit.
Para shumë kohësh fatkeqësisht kam dëgjuar për njerëz të tillë në hall. Nuk jetojnë më për hir të së vërtetës dhe ngjarjet më pas janë zbardhur. Një miku im më tha se pa e pyetur fare personi në fjalë dhe në hall, i rrëfeu vetë se i afërmi i tij kishte marrë më qafë kot një baba me fëmijë, që i la rrugëve. Ia kishte shpjeguar mikut tim me disa fjalë të thjeshta, por që rëndonin shumë.
“Një muaj rresht ekranet televizive, me të ftuar si ekspertë dhe gazetarë përmendnin emrin e një njeriu si vrasës i të afërmit tim. E përmendnin pa fund sa dhe njerëzit ku banoja filluan të na shihnin si për gjynah, se pse nuk po veproja për të marë hak. E dinim të sigurtë që ai njeri nuk kishte lidhje, ishin të tjerë ata që na kishin bërë gjëmën, sikurse u vertetua. Dhe në fund, teksa organet kompetente po vonoheshin në gjetjen e autorit por dhe i afërmi im po ‘vonohej’ në shënjestrimin e autorit të vërtetë, njeriu im e dëmtoi atë që lançohej nga mediat si vrasës. U vra thjeshtë për opinionin e njerëzve e për të treguar se nuk cedohet në këtë drejtim, pasi na shtypnin grupet e tjera apo fiset e tjera. Pra u vra për status, kot fare”, i kishte rrëfyer njeriu në hall, mikut tim kohë më parë. Dhe kjo është traumë.
E sollëm këtë shembull të kahershëm, por që mendojmë se përsëritet shpesh, për të treguar se të pavërtetat e gjysmë të vërtetat që serviren pa asnjë lloj logjike direkt në ekranet televizive si ngjarje të sigurta nga këta ‘ekspertë’ që duan të bëjnë gazetarin investigativ, duke iu referuar madje dhe organeve ligjzbatuese si burimi i këtyre fakteve, sjellin jo vetëm drama njerëzore dhe familjare, por dhe drama jetësore, duke ‘nxjerrë në pritë’ viktima të pafajshme, të cilët janë lançuar padrejtësisht në publik si vrasës.
Ajo që mund të themi është se vetë media duhet të përdorë një mekanizëm vetërregullues, për të prezantuar një gazetari sa më efektive dhe sa më afër të së vërtetës. Le të shfrytëzohen pikërisht ato informacione të dhëna nga gazetarë që janë me të vërtetë të saktë, që kanë treguar se e ‘shtrydhin’ mirë informacionin, duke iu referuar dy apo më shumë burimeve, dhe e servirin thatë e pa komente në publik. Por njëherësh pronarët e mediave të marrin vendim të prerë që dhe ky soji i ‘ekspertëve’ që po bëjnë si investigativë pa punuar një ditë si gazetarë, të zhduken nga ekrani njëherë e mirë! Po marrin më qafë njerëz por dhe gazetarinë!
Ndërsa ‘garda’ e re e gazetarisë, në vend të ‘sindikalizmës’ së lajmit, të mësojë nga ata që janë vërtetë gazetarë dhe bëjnë gazetari. S’është turp të mësosh nga më i miri, turp është të mundohesh ta arrish më të mirin duke spekuluar, pa menduar se lë pas jo vetëm drama njerëzore por dhe viktima. Fundja të dalin sa më shumë në terren dhe të mos jenë rob të lajmeve nga rrjetet sociale, të dalin dhe nga Tirana, të marrin ajër të pastër. Do gjejnë lajme të freskëta, të ‘painfektuara’.
Dhe në fund të herës, gazetaria nuk është një zanat i lehtë, jo çdokush që bën hartime, apo kap një copë vend në media dhe është llafolog, bëhet gazetar. Është titull i lartë, ka shumë shkallë për të arritur aty. Pastaj mund të bëhesh gazetar, i mirë apo jo i mirë është punë tjetër. Kemi frikë nuk do jetë çudi që në fund do të dominojnë më shumë këta ‘ekspertët’, që i bëjnë ‘investigimet’ nga studio, ndërkohë që rrethi i gazetarëve të terrenit do ngushtohet shumë. Do ishte dramë kjo.
What's Your Reaction?