Në Forumin Urban të Marmarasë zhvilluar në Stamboll
ku morën pjesë kryetarë bashkish si dhe përfaqësues të shteteve të ndryshme nga e gjithë bota.
Në një sesion special të këtij forumi ndërkombëtar prezantova tek të pranishmit vlerat historike si dhe potencialin e jashtëzakonshëm turistik e ekonomik të Durrësit.
Gjithashtu në këtë panel diskutova edhe për sfidat që kaluam në qytetin tonë pas dy fatkeqësive që na goditën rëndë siç ishin tërmeti dhe pandemia, për
programin e rindërtimit dhe punën e madhe që kemi bërë për ringritjen e qytetit.
Në lidhje me një nga temat kryesore që ishte sfida e grave në lidership si dhe mbështetja ndaj gruas diskutova mbi rritjen e ndjeshme të përfaqësimit të gruas në vendimmarrje në të gjithë vendin si dhe në Durrës.
Fola mbi punën që po bëjmë duke patur në fokus gratë dhe fëmijët ku vetëm në 3 vitet e fundit kemi hapur 3 qendra të cilat ofrojnë shërbime për gratë e dhunuara, për fëmijët apo për emigrantët e kthyer në Durrës ndërkohë që po punojmë për të hapur një qendër të reziliencës që do ti shërbejë fuqizimit ekonomik të gruas nëpërmjet nxitjes së punësimit.
Në mbyllje të fjalës sime në këtë forum i njoha të pranishmit edhe me projektet e mëdha që po zhvillohen në qytetin tonë të cilat po e kthejnë Durrësin në një qytet turistik evropian.