“Enver Hoxha i pashmangshëm si dhe një fjalim për oktapodin e rrezikshëm që na rrezikon të sotmen”

Më 25 qershor 2020, në përvjetorin e 84-t të ditëlindjes së Prof. Rexhep Qosjes, doli nga shtypi romani i tij më i ri me dokumente reale dhe imagjinare nën titullin intrigues “Të fshehtat e treguara”. Në të njëjtën ditë, përveç shkrimit në gazetë, kam bërë një bisedë me Prof. Qosjen në Prishtinë, i cili më […]

Gusht 17, 2023 - 08:52
 0
“Enver Hoxha i pashmangshëm si dhe një fjalim për oktapodin e rrezikshëm që na rrezikon të sotmen”
Reklamë
Reklamë

Më 25 qershor 2020, në përvjetorin e 84-t të ditëlindjes së Prof. Rexhep Qosjes, doli nga shtypi romani i tij më i ri me dokumente reale dhe imagjinare nën titullin intrigues “Të fshehtat e treguara”.

Në të njëjtën ditë, përveç shkrimit në gazetë, kam bërë një bisedë me Prof. Qosjen në Prishtinë, i cili më shfaqi një “pakënaqësi”: Nga njoftimi dhe shkrimi i gazetës duket sikur ky roman është shkruar për Enver Hoxhën. Jo. Ky roman nuk është për Enver Hoxhën. Është për aktualitetin politik në Shqipëri e Kosovë. Enver Hoxha vetëm sa përmendet në disa pjesë të librit.

Po, i thashë Profesorit, keni të drejtë. Por gjithsesi, Enveri është i pashmangshëm, ndaj dhe ju e përmendni shpesh në romanin tuaj dhe në veprat tuaja. Sidoqoftë, ju premtoj se do ta bëjmë këtë korrigjim në numrat e ardhshëm që lexuesit të mos na keqkuptojnë për romanin tuaj të ri. Kështu u gjet mirëkuptimi mes nesh.

Reklamë
Reklamë

Akademiku i shquar e ka shprehur shumë herë se ai i është përkushtuar gjatë gjithë jetës çështjes kombëtare shqiptare dhe mbrothësimit të kombit, të cilin ai e ka parë gjithmonë si një i tërë, pa ndarje kufijsh. Kjo devizë e tij është sintetizuar në korpusin e veprave të tij e në mënyrë të veçantë në romanin e tij më të ri. Doemos edhe në këtë veprën më të re që ai u jep lexuesve dhe admiruesve të tij.

Ndaj dhe sot po botojmë dy fragmente të shkurtra nga romani me lejen e shtëpisë botuese Toena:

SEKRETARIATI I PUNËVE TË BRENDSHME

Shefit të Shërbimit të Brendshëm Shtetëror

Mbrëmë në orën 22 e 5 minuta të datës 12.12.1998 në njërën prej dhomave për të izoluarit kemi sjellë një profesor të Gjuhës e të Letërsisë Shqipe, që quhet Nimet Kalludra, tani banor i kryeqytetit të Kosovës, por i lindur në Zadrimë të Shqipërisë e i dërguar në Kosovë e Metohi në kohën e Shqipërisë së Madhe, me 28 nëntor të vitit 1941!

Siç na bën me dije, qe sa e sa herë, informuesi ynë më i përkushtuar me nofkën Tush Lumjani, Kalludra është bërë shumë i popullarizuar e i dashur në popull, me një broshurë në të cilën janë paraqitur, me gjuhë të kuptueshme edhe prej analfabetëve, të ashtuquajturat meritat politike, shtetërore e kombëtare, të tashme e historike, të diktatorit Enver Hoxha.

Qe, thotë informuesi ynë, cilat janë ato merita të radhitura me gojën që do të jetë, më në fund, e mbyllur në Zabelen tonë, të profesor Kalludrës.
Enver Hoxha dhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu janë dy politikanët, shtetarët dhe atdhetarët më të mëdhenj në historinë e popullit shqiptar.

Enver Hoxha prej vitit 1948, saktësisht prej 28 qershorit të këtij viti, kur Byroja Informative e Partive Komuniste miratoi Rezolutën e Partive Komuniste për gjendjen në Partinë Komuniste të Jugosllavisë, bën politikën e duhur armiqësore ndaj Jugosllavisë, më së shumti ndaj republikave të saj: Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë.
Dhe, këtë politikë armiqësore ndaj Jugosllavisë komuniste, revizioniste, ai bën çmos ta dëshmojë edhe me veprimtari përkatëse, thotë, duke çuar grupe të ndryshme ushtarake, detyrat e të cilave janë vrasjet e milicëve e ushtarëve dhe mbledhja e të dhënave të ndryshme për gjoja dhunën që bëhet ndaj shqiptarëve në Jugosllavi, sidomos në Serbi, Maqedoni e Mal të Zi.

Enver Hoxha, thotë ai, është politikan e shtetar pamatshëm i dashur dhe i adhuruar prej popullit shqiptar jo vetëm në Shqipëri. Ai, thotë profesor Kalludra, në broshurën e tij, e bëri Shqipërinë shtet të fortë, të cilin kurrë me asgjë s’do të mund ta rrezikojnë as imperialistët kapitalistë që i shfrytëzojnë popujt e kolonizuar në botë e as imperialistët bolshevikë revizionistë në krye me tradhtarin Nikita Krushçov.

Enver Hoxha e bëri Kombin shqiptar Komb të fortë, të liruar njëherë e përgjithmonë prej pushtimit ideologjik të qendrave fetare – Vatikanit, Athinës dhe Stambollit.

Enver Hoxha e bëri Shqipërinë shtet të demokracisë popullore me të arritura të larta në të gjithë fushat e jetës.
Shqipëria e Enver Hoxhës është sot shtet me të gjitha institucionet më të larta e më të zhvilluara që njohin vendet më të zhvilluara në Botë.
Shqipëria e Enver Hoxhës është sot shtet me arsimin e nivelit më të lartë.
Shqipëria është i vetmi shtet në botë në të cilin nuk ka analfabetë.

Për herë të parë në historinë e saj, Shqipëria ka Akademinë e Shkencave, ka Institutin e Gjuhës, Letërsisë dhe Historisë kombëtare shqiptare, ka një numër të dukshëm të instituteve shkencore që merren me dije të tjera.
Shqipëria e Enver Hoxhës ka Ansamblin e Këngëve e Valleve Popullore që shkëlqen duke zënë shpesh vendet e para në festivalet e ansambleve të tilla europiane e botërore.

Shqipëria, në të cilën para Çlirimit një pjesë e madhe e popullit vuante nga uria, sot ka një bujqësi shumë të zhvilluar, së cilës si tokë e pëlleshme i janë shtuar edhe moçalet e sipërfaqet që dikur vërshoheshin prej lumenjve.

Në Shqipërinë e Enver Hoxhës janë zhdukur përgjithmonë malaria dhe sëmundjet e tjera ngjitëse prej të cilave vuanin shumë shqiptarë në kohën e feudalizmit të Ahmet Zogut.
Shqipëria e Enver Hoxhës është shtet i industrializuar me shumë fabrika, në të cilat prodhohen artikuj të ndryshëm për jetën e qytetarëve, duke filluar prej artikujve ushqimorë e deri tek ata teknikë e teknologjikë.

Megjithëse kaq e zhvilluar dhe e përparuar, Shqipëria e Enver Hoxhës nuk është pa armiq, jo vetëm të jashtëm po edhe të brendshëm. Të jashtmit janë të gjithë ata që s’e duan komunizmin si ideologji dhe rend politik e shtetëror, kurse të brendshmit janë armiqtë e Luftës Kombëtare Antifashiste, të cilët njëkohësisht ishin bashkëpunëtorë të regjimit fashist e mandej edhe të regjimit nazist, numri më i madh i të cilëve ka gjetur strehim jashtë Shqipërisë.

Enver Hoxha ka vdekur në vitin 1985.
Menjëherë pas vdekjes së tij është krijuar koncepti politik dhe kulturor që përcakton vendin e tij në historinë shqiptare. Përmbajtja e tij është kjo:
Pas vdekjes së tij Enver Hoxha një kohë të shkurtër do të jetë i mallkuar, mandej një kohë pak më të gjatë do të jetë i ankuar, kurse përgjithmonë do të jetë i kërkuar prej popullit shqiptar.
Shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, thotë Nimet Kalludra me ithtarët e tij sot dëshirojnë ringjalljen politike e shtetërore të Enver Hoxhës.

Mendja dhe etika e tij, thotë Kalludra, do të shpëtojnë Shqipërinë e Kosovën prej hajnave, plaçkitësve, zhvatësve, shfrytëzuesve të rinj, që edhe Shqipërinë edhe Kosovën po i lënë me gjithnjë e më pak shqiptarë, gjithnjë e më shumë të dëshpëruar në Atdheun e vet, që kërkojnë shpëtim në botë!

Të vetëdijshëm për ndikimin e madh infektues të predikimeve të profesor Nimet Kalludrës ne lejohemi t’i propozojmë Shefit të Shërbimit të Brendshëm Shtetëror që prej Burgut të kryeqytetit të Kosovës ideologu nacionalist shqiptar, Nimet Kalludra, të çohet në Zabelen e Beogradit, prej së cilës kurrë s’do të mund ta nxirrnin ata terroristë të të quajturës UÇK, që po rrahin gjoks se së shpejti do ta kenë të graduar në radhët e tyre!

Shefi i Shërbimit informues të Sekretariatit të Punëve të Brendshme, në Prishtinë

Rajko Rajkoviq, dora vetë.

 

———

FJALIMI I DALANIT

1.
Zonja e zotërinj
Vëllezër e motra
Ju përshëndes me kënaqësi të veçantë.
Më së pari ju përshëndes ju
Ambasadorë e ambasadore
Konsuj e konsullesha
Të shteteve të Bashkuara të Amerikës
Të Bashkimit Europian
Dhe të të gjitha vendeve të tjera.
Ju që përfaqësoni vendet tuaja
Me tradita të mëdha shtetërore
Në këtë vendin tonë të posabërë shtet
Të bërë shtet edhe në sajë të përkrahjes
Së gjithanshme
Për të cilën amshueshëm do t’i jemi mirënjohës
Dhe falënderues
Mikut historik e partnerit të sotëm strategjik
SHBA-së Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Shkëlqimi politik e ushtarak
Ekonomik e kulturor
Shkencor e artistik i të cilave
E ndriçon sot gjithë planetin tonë.
Dhe mirëkuptimit e përkrahjes
Së vendeve kryesore të BE-së
Bashkimit Europian
Gjermanisë
Mbretërisë së Bashkuar
Francës
Italisë.
Ju përshëndes të gjithëve ju
Që jeni në këtë mbledhje
Vjetore solemne
Të partisë kryetar i së cilës me kënaqësi
Të madhe jam.
Ju përshëndes ju që nuk jeni këtu me ne
Sepse sigurt punët e obligimet
Politike shtetërore partiake
Ekonomike shëndetësore arsimore
E të tjera të ndryshme
S’u kanë lënë të jeni këtu
Me ne
E ta dëgjoni këtë fjalë timen
Vjetore
Me të cilën unë edhe juve pra
Që s’jeni këtu ju drejtohem
Dhe jam i sigurt se do ta dëgjoni
Në mediet tona të shkëlqyera
Që shumë përkushtueshëm atdhetarisht
Dhe financiarisht
Po u shërbejnë Shtetit e Kombit e Pushtetit.
Ky domethënë është fjalim për gjithë qytetarët.
Dhe natyrisht pashmangshmërisht ndërkombëtarët.
Po sidomos për ndërkombëtarët
Sidomos për partnerët miqtë tanë
Për ata që na njohin
Por dhe për ata që ende s’na njohin
E besojmë fort pa vonesë të madhe
Do të na njohin.
Se e thotë populli ynë i mençur
Me shumë përvojë të hidhur e të ëmbël
Historike
Ajo që bëhet e njihet prej të madhit Zot
Dhe prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës
Do të njihet pashmangshmërisht edhe prej gjithë të tjerëve.
Madje edhe prej Kinës e Rusisë.

2
Menjëherë pas kësaj përshëndetje time të gjatë
Duhet t’ju them se ky s’është fjalim për të gjitha
për zhvillimin tonë të përgjithshëm
Sidomos ekonomik arsimor shëndetësor
Jo.
Jo.
Ky është fjalim për për tri brenga tonat
Për të cilat disa thonë se janë të mëdha
Disa thonë se janë të zmadhuara
E të tretët thonë se janë të shpikura.
E unë sa ma thotë mendja
Dhe sa më obligon posti partiak e jopartiak
Për ta thënë të vërtetën them
Ato tri brenga i kemi
Dhe janë herë më të mëdha
E herë më mesatare
E herë më të vogla
Varësisht sa ju lejohet hapësirë
Që të shprehen
E të shihen.
Ato e përbëjnë atë oktapodin e rrezikshëm
Që na e rrezikon të sotmen ekonomike
Dhe demokratike.
Dhe na e thonë partnerët tanë
Amerikanë e europianë
Na e rrezikon ardhmërinë.
Besoj e dini se cilët janë ata tre përbërësit
Po tre përbërësit e atij oktapodi rrezikues
Që rrezikon të sotmen e të ardhmen tonë.
Disa jam i sigurt e dinë se cilët janë ata
Ata përbërës të oktapodit
Që na e rrezikojnë të sotmen
Dhe ardhmërinë.
Por edhe pse e dinë ata s’e bëjnë luftën politike
Kundër tyre.
Disa të tjerë e dinë se cilët janë ata
Ata përbërës të oktapodit
Që na e rrezikojnë të sotmen
Dhe ardhmërinë.
Por por edhe pse prokurorë e gjyqtarë
Të obliguar profesionalisht prej ligjit
E Kushtetutës së Republikës
Nuk e bëjnë atë luftë të shenjtë!
As me ligj e as me fjalë
E disa të tretë po të tretë
Që në numër janë më të shumtët
E dinë mirë qartë qartë si dielli
Si unë dhe ju
Se cilët janë ata tre përbërës të oktapodit
Që na e rrezikojnë të sotmen
Shtetërore
Dhe të nesërmen shtetërore e historike.
Po po shtetërore e historike.
E dinë mirë qartë qartë qartë si dielli
Por bëhen të shurdhër.
Kurrë një fjalë s’dëgjohen ta thonë
kundër atij oktapodi
As fjalë të rrejshme
As fjalë demagogjike
E lëre më ndonjë fjalë të sinqertë.
E dini e di se e dini ju
Dhe ata që sot s’janë në këtë mbledhi
Se ata tre përbërës të oktapodit janë
Oh si do të ma lodhin mendjen kur t’jua them emrat
Shumë pa masë do ma lodhin mendjen
Ata tre përbërës të oktapodit
Kur t’jua them emrat!
Ata janë
Korrupsioni dhe me shkronjë të madhe Korrupsioni
Nepotizmi dhe me shkronjë të madhe Nepotizmi
Dhe krimi i organizuar dhe me shkronjë të madhe
Krimi i organizuar.
Shikojeni ju lutem në tabelën e zezë
Në anën time të djathtë
Si duket ai oktapod dhe me shkronjë të madhe
Oktapod.
Dhe lexojini kujdesshëm fjalët
Me të cilat është trerrathshëm i rrethuar
Ai Oktapod rrezikues
Të cilit duhet t’ia presim me rrënjë
Kokën dhe gjymtyrët.
Pra pra mos harroni ditë as natë
As një çast
Kokën dhe gjymtyrët!
Atë kokë të madhe!
E ato gjymtyrë të gjata!
E të shumta
E shumë të përbëra
Përdredhshëm të përbëra!

3
Lufta kundër Oktapodit nuk është vetëm luftë politike.
Jo.
Jo.
Lufta kundër Oktapodit është njëkohësisht edhe luftë atdhetare.
Po po edhe luftë atdhetare.
Dhe këtë luftë duhet ta bëjmë shumë vendosmërisht
Me burrëri
Me trimëri
Me burrëri e trimëri epike!
Pse them kështu epike?
Them kështu sepse na kanë lodhur fort na kanë lodhur
Na kanë ardhur te hunda.
Cilët e dini cilët?
Këta kritikuesit alarmuesit komprometuesit e brendshëm.
Ditë as natë festë as pikëllim
S’e nxjerrin prej gojës oktapodin!
Korrupsioni!
Korrupsioni!
Korrupsioni!
Gjëmojnë vajtojnë bërtasin
Shungullojnë pa pushuar!
Janë do gazeta do radio do televizione
Që u japin hapësirë të na sulmojnë
Kur të duan e si të duan e sa të duan!
Thuajse vetë janë engjëj të pastër si loti!
Thuajse s’do të japin llogari për atë keqpërdorim
Të lirisë së shprehjes
Për ato gënjeshtra e shpifje
Me të cilat i mbulojnë të vërtetat!
Nepotizmi!
Nepotizmi s’është përbërës i Oktapodit
I bluar në gojët e atyre kritikëve
Sa bluhet korrupsioni.
E kuptueshme.
Kanë arritur t’i fusin të vetët
Fëmijët vëllezërit motrat tezet,
Hallat e birhallat ku kanë dashur.
Nuk janë nëpër ambasada e konsullata
Vetëm tanët por edhe të tyre me shkolla e pa shkolla!
Me shkollën e kryer shkel e shko apo të blerë!
S’e kanë gjatë.
Kemi filluar t’ua numërojmë ditët.
Krimin e organizuar s’e bluajnë gojëçlirët
Siç e bluajnë korrupsionin
Dhe nepotizmin.
E kuptueshme.
Frikësohen frikësohen prej krimit të organizuar.
E dinë se në grupet e tilla të organizuara
Kriminale
ka gjithfarë sortesh.
Ka edhe hakmarrës gjakmarrës
Quajini si të doni
Të lindur dhe të shkolluar
Origjinalë dhe të kompiluar
Me kallash e me gazetë në njërën dorë
Me sakicë a shish në tjetrën dorë.
As ne si shtet s’e kemi lehtë me ta.
E si ta kemi lehtë?!
Kryesorët mes tyre universitetet e krimit
Të krimit të organizuar
I kanë kryer në Europë.
Europa!
Gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë të shkretë
Që kurrë ditë të bardhë s’kanë përjetuar
Në të në Europën kanë pa parajsën
Por por oh sa shpesh u është dhuruar skëterra.
Kjo sot është një Europë tjetër.
Kjo është Europa e Bashkuar.
Bashkimi Europian.
Premtim i madh.
Ideal i madh.
Shpresë e madhe.
Më falni!
Më falni!
Dikush po më thërret në celular!
Qe qe po ma dridh xhepin
Xhepin e jelekut.
Më falni zonja e zotërinj!
Më falni ju lartmadhëri dhe ekselenca!
Më falni vëllezër e motra!
Urdhëro!
Urdhëro shoku kryeprokuror!
Po po po dëgjoj.
Po kuptoj.
Sa
Sa?
Nëntë nëntë po thoni.
Kryet e Oktapodit?
A jeni i sigurt?
Vështirë të besohet.
Oktapodi ka shumë shumë gjymtyrë
Dhe ato gjymtyrë s’lënë të shihet
E lëre më të pritet koka e Oktapodit.
Mirë ju lumtë
Do shihemi posa ta kryejë mbledhinë.
4.
Zonja e zotërinj!
Lartmadhëri e ekselenca!
Vëllezër e motra!
Kam një lajm fort të mirë
Kryeprokurori më njoftoi se policia jonë
Sot ua ka vënë prangat shtatë më falni nëntë kriminelëve.
Tre të korruptuar ryshfetxhinj.
Një strateg të punësimeve nepotiste.
Dhe pesë kriminelë pjesëtarë të një grupi
Të një grupi të strukturuar.
Kjo është fitorja jonë e parë në luftën tonë të pandalshme
Kundër kundër kundër
Korrupsionit
Nepotizmit.
Krimit të organizuar.
Kjo luftë s’do të ndalet deri të mos i çrrënjosim
Të tre përbërësit e Oktapodit
Korrupsionin
Nepotizmin
Krimin e organizuar.
Derisa të mos ia presim gjymtyrët
Dhe kokën Oktapodit.
Dhe kështu do të plotësojmë kushtin kryesor
Për sendërtimin e qëllimit tonë madhor
Integrimin Euroatlantik
Pranimin në NATO
Dhe fillimin e bisedimeve për inkuadrim
Në Bashkimin Europian.
Ju faleminderit për vëmendjen.
A ka kush pyetje?
Paska.
Një.
Urdhëroni
Zoti Dalan!
Më intereson mua profesor mysafir këtu
E besoj u intereson edhe disa të tjerëve këtu
Jashtë këtuhit
Në SHBA në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Në BE në Bashkimin Europian
Sidomos në Bruksel
Ku po na e përmendin Oktapodin çdo ditë.
Tre të korruptuarit
Ata të grupit të krimit të organizuar
Dhe ai strategu i punësimeve nepotiste
Të cilit nivel politik e shtetëror janë
Të parë
Të dytë
Të tretë
Apo nëpunës të thjeshtë?
Në mesazhin që më erdhi
Pos atyre pak fjalëve me kryeprokurorin
M’u tha
Tre ministra
Katër zëvendësministra
Dhe dy këshilltarë të ministrave.
Bisedat informuese me ta ende s’dihet çka do të sjellin.
Zoti Dalan
Oktapodit që po sulmon e shfrytëzon Republikën tonë
S’iu qenka bërë ndonjë dëm i veçantë
Ai do të vazhdojë të na sulmojë e të zhvatë
Derisa të mos t’i zbulohen dhe t’i priten koka e gjymtyrët.
E Oktapodi ka kokë të madhe e shumë gjymtyrë.
Apo jo?
Burgosjen shoku profesor do ta vazhdojmë
Do të burgosen fajtorë dhe trillues të fajtorëve!
Jetojmë në De Mos Kraci!
Lartmadhëri!
Zonja e zotërinj!
Vëllezër e motra!
Dreka ju pret
Në Hotelin Mediterani!
Nuk jemi të mallkuar.
Jemi të bekuar!!!
Mallkimi ka kaluar
Bekimi është realizuar
Ne po e realizojmë
Si po shihni
E po jetoni
Po jetoni në parajsë!!!

Me parajsën në gojë Dalani e kryen fjalimin për Oktapodin thuajse s’është vetë oktapod. Po ta shihte, po ta dëgjonte Havaja ime ja tani, e sëmurë, por kur ishte shëndosh, çka do të më thoshte. Dhe, çka do t’u thoshte nxënësve, Havaja. E di, e di çka do t’u thoshte atëherë e çka do t’u thoshte kur ata të rriten. Hava, Hava. Havaja ime.(Xhevdet Shehu-DITA)

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

thuaje.com Thuaje.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.