Falsifikime dhe mashtrime antikomuniste

Nga Viktor Malaj “Të çuditshme janë kohët në të cilat po jetojmë, kur të vjetërve dhe të rinjve Iu mësohen të pavërtetat në shkollë. Dhe, ai që guxon ta thotë të vërtetën shpallet menjëherë budalla ose i çmendur” – Platoni Matrapazët politikë shqiptarë, të cilët kanë mbi tridhjetë vjet që betohen për idealet dhe virtytet e […]

Shtator 15, 2023 - 08:55
 0
Falsifikime dhe mashtrime antikomuniste
Reklamë
Reklamë

Nga Viktor Malaj

“Të çuditshme janë kohët në të cilat po jetojmë, kur të vjetërve dhe të rinjve Iu mësohen të pavërtetat në shkollë. Dhe, ai që guxon ta thotë të vërtetën shpallet menjëherë budalla ose i çmendur” – Platoni

Matrapazët politikë shqiptarë, të cilët kanë mbi tridhjetë vjet që betohen për idealet dhe virtytet e shpirtit dhe ndjekin fitimet e xhepit dhe privilegjet e pushtetit, nuk lënë rast pa u shfaqur si antikomunistë njëzet e katër karatësh, duke u përpjekur që këtë vello politike të historisë ta përdorin si mjet për mbulimin e bëmave e zullumeve të tyre në kurriz të popullit e vendit.

Njëri prej mjeteve që ata përdorin është edhe falsifikimi i ngjarjeve historike, të vjetra e të reja, si dhe lartësimi apo poshtërimi i figurave të ndryshme historike në varësi të qëllimit dhe nevojës së sotme për shërbesa ndaj vetes apo sponsorëve të tyre të prapaskenës.

Reklamë
Reklamë

Vetëm ditët e fundit, antikomunistët tanë të çartur dhe të paskrupull përkujtuan dy ngjarje apo figura historike, njëra e vjetër 77 vjeçare dhe tjetra e re 25 vjeçe. Të dy veprimtaritë “përkujtimore” nuk kishin si qëllim qasjen ndaj së vërtetës dhe nxjerrjen e mësimeve nga pësimet e të shkuarës, por, thjesht dhe vetëm, dukjen përpara popullit si të rinj, modern, demokratë dhe shërbyes të popullit, të vërtetës dhe të drejtës.

Populli shqiptar, i cili, për shkak të moralit dhe “drejtësisë” së klasës politike qeverisëse antikomuniste, po e braktis dita-ditës vendin e vet, dëgjon e shikon, herë me kureshtje, pastaj me dyshime dhe, jo rrallë, me neveri se si elita e vet mashtruese kërkon t’ia shesë sapunin për djathë jo vetëm për çfarë ka ndodhur para një shekulli, por edhe për ato që kanë ndodhur e po ndodhin përditë përpara syve të tij.

Ashtu si edhe vitet e tjera, antikomunistët “e djathtë” u mblodhën për të përkujtuar “heroin e demokracisë”, Azem Hajdarin në përvjetorin e vrasjes së tij. Duke mos na lënë të mendojmë e dënojmë pa mëdyshje aktin kriminal të vrasjes të ish-deputetit Hajdari dhe autorët e padënuar ligjërisht, u bien fanfarave dhe përhapin legjendat e sajuara rreth figurës së njërit prej pjesëtarëve të stanit të tyre.

Këta sharlatanë të politikës dhe të krimit duan që populli të pranojë për të vërteta mashtrimet e tyre.

Në takime “përkujtimore”, shkrime gazetash apo emisione televizive, të ndjerit Hajdari i thuren himne e lëvdata pa fund, i atribuohen role e kontribute të rreme dhe popullit i shitet si “Heroi i Demokracisë”.

Pas gjithë kësaj shfaqjeje madhështore mashtruese, njeriu pyet veten: Ku është demokracia? Çfarë quhet demokraci dhe a ekziston ajo vërtetë? Nëse me “demokraci” kuptohet thjesht sistemi politik pluralist, a kishte nevojë në dhjetor 1990 për “heronj” për ta sjellë atë? Me cilët luftuan këta “heronj” dhe sa viktima solli “beteja” e tyre legjendare?

Pasi njeriu pyet veten rreth këtyre “paqartësive”, nis e kujton faktet historike, siç ishte takimi i “Studentëve të Dhjetorit” me kreun e diktaturës, Ramiz Alinë, të cilit, veç të tjerave, i thanë se “vetëm tek ti kemi besim” dhe, në fund të takimit (betejës) e kërcënuan duke i thënë “Të duam shumë!”.

Edhe diktatori, në luftë e sipër, iu përgjigj se “Edhe unë ju dua shumë!” dhe u betua kundër ndryshimit të sistemit dhe pluralizmit, duke i “kërcënuar”: Për të mirën e demokracisë dhe të Shqipërisë, unë ju këshilloj të krijoni një parti politike…

Njëri nga aktivistët e parë të kësaj Lëvizjeje, shkrimtar, ish-deputet dhe ministër i PD-së, z. Preç Zogaj, e ka përshkruar kështu “betejën” e heronjve të demokracisë: “Ajo që mendohej si një epope e përgjakur për ndryshime, ka zgjatur katër ditë dhe është kurorëzuar pa asnjë viktimë”.

Azem Hajdari ishte thjesht një student, i ardhur në universitet në moshën 25 vjeçare. Vonesa nuk ishte për shkak të qenies i përndjekur, por, thjesht dhe vetëm se nuk e meritonte të drejtën e studimit për intelektin e ulët, për mungesë dëshire për studime e kulturë dhe të sjelljeve jo fort të denja në vendlindje.

Mirëpo, për shkak se ishte pjesëtar i një familjeje të denjë, me baba dhe vëlla përkatësisht anëtar partie dhe funksionar partiak në rreth, nga zanatçi i punimeve me lëkurë dërgohet me vonesë në universitet si shpërblim për një nder që i kishte bërë kreut partiak të rrethit Bajram Curri.

Aftësia më e madhe e tij ishte qenia guximtar dhe prandaj u shfaq si përfaqësues i studentëve në kërkesat e tyre fillestare për përmirësim të kushteve ekonomike dhe, më vonë, edhe për ndryshime politike. Veprimtaria dhe sjellja e tij e mëvonshme politike ishin tregues të një njeriu të vrazhdë, të dhunshëm dhe me nivel kulturor dukshëm të palavdërueshëm.

Ai ka qenë protagonist në nxitjen dhe udhëheqjen e shumë akteve të dhunshme në vend, të kryera nga lumpeni dhe që kanë përfunduar me viktima ose me shkatërrime të mëdha materiale. Edhe pse vrasja e tij ishte një akt kriminal, motivi i saj- i provuar me vendimet e të gjitha shkallëve gjyqësore- ishte ordiner.

Partia politike, e cila sot na e shet si “simbol frymëzimi për demokraci” është pikërisht ajo që, pas dy muajve si kryetar partie, e shkarkoi, më vonë i hoqi mandatin e deputetit, e shkarkoi nga të gjitha funksionet partiake dhe e etiketoi si “spiun i Sigurimit të Shtetit, vegël e Ramiz Alisë, i përfolur për vrasje para dhe pas 22 marsit 1992”.

E gjitha ajo që thuhet e bëhet pas vdekjes së tij, në emër të tij dhe “për të” është hipokrizi e shpëlarë, mashtrim dhe pafytyrësi.

——

Ngjarja e dytë, “e përkujtuar” nga antikomunistët e djathtë e të majtë është e ashtuquajtura “Kryengritje e Postribës”, ngjarje e ndodhur në shtator 1946 në fshatin Postribë të Shkodrës, ku një grup fshatarësh, të mashtruar, nxitur, organizuar dhe udhëhequr nga disa ish-bashkëpunëtorë të pushtuesve nazifashistë, rrëmbyen armët dhe, me mendjelehtësi, sulmuan posta policie “për të rrëzuar pushtetin komunist”.

Në propagandën mbi tridhjetë vjeçare, kjo ngjarje i shitet popullit si “kryengritja e parë antikomuniste në Ballkan”, si një “lëvizje për demokraci e organizuar nga kleri dhe nacionalistët”. E vërteta është krejt ndryshe dhe veprimtaritë përkujtuese, nga kushdo që organizohen, janë akte mendjelehtësie dhe paturpësie ekstreme. Pse?

Së pari, organizatorët kryesor të saj, si Jup Kazazi etj., përpara se të ishin “nacionalistë”, kanë qenë fashistë dhe kolaboracionistë, njerëz që ishin përgjegjës për krime të kryera gjatë luftës në bashkëpunim ose në shërbim të pushtuesve. Madje, Jup Kazazi ka qenë fashist me bindje, drejtues i Partisë Fashiste Shqiptare, anëtar i Këshillit të Epërm Fashist Korporativ.

Pas Luftës së dytë Botërore, ai dhe të tjerë si ai do të kishin përfunduar në plumb në cilindo vend të Evropës po të kishin qenë. Kjo kategori personash, ndryshe nga ata që ia mbathën së bashku me pushtuesin, qëndruan dhe organizuan revolta kundër qeverisë si shpresë e fundit për t’u shpëtuar ndëshkimeve për të kaluarën e tyre kriminale dhe për të siguruar vazhdimësinë e pushtetit edhe në të ardhmen.

Pjesa tjetër që i ndiqte nga pas, për shkak të injorancës, lidhjeve fisnore, qenies të mashtruar e të keqpërdorur, përbën një tufë laramane sa iu përket motiveve të përfshirjes në këto akte.

Nga ato që kemi lexuar pas 1990 del se, edhe ndonjë nga “organizatorët” e pashkollë të kryengritjes shprehej se i ndërmori veprimet e asaj kohe “nga frika se do na merrnin djemtë ushtarë”.

Disa të tjerë u mashtruan me mënyra të tjera të rafinuara për kohën dhe, përgjithësisht, për shkak të besnikërisë ndaj bajraktarit, mikut apo kushëririt. Pas dështimit të kryengritjes, shumë prej pjesëmarrësve ikën e u fshehën nëpër shpella. Është shumë domethënës episodi i rrethimit të tyre në shpella, disa prej të cilëve, pas thirrjes së forcave qeveritare për t’u dorëzuar “sepse e ke gabim”, përgjigjeshin: E di se e kam gabim, por ia kam dhënë besën dreqit dhe me dreqin dua me vdekë.

Rrjedhimisht, kjo kryengritje nuk ishte kryengritja e nacionalistëve e demokratëve, por e nazifashistëve dhe të mashtruarve prej tyre, nuk ishte kryengritje kundër diktaturës për demokraci, por ishte rezistencë e mëkatarëve të luftës dhe përpjekje për ruajtjen e pushtetit feudal të bajraktarëve.

Së dyti, Kryengritja e Postribës nuk ishte dhe as mund të jetë akt demokratik dhe luftë për demokraci pasi ajo drejtohej kundër një pushteti, jo vetëm të fituar në luftë kundër pushtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, por edhe të konfirmuar nëpërmjet zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945, zgjedhje të konsideruara të pranueshme për kohën dhe rrethanat e Shqipërisë. Djali i njërit nga pjesëmarrësit me armë në atë kryengritje shprehej në TV se, sipas thënieve të të atit, atyre iu ishte thënë se do të zbarkonte inglizi në Durrës dhe duheshin rrëmbyer armët kundër pushtetit.

Pra, organizimi apo pjesëmarrja në veprime me armë kundër një pushteti të zgjedhur me votë popullore nuk mund të quhet “lëvizje për demokraci”, i mirë apo i keq qoftë sistemi, veçanërisht kur kërkon të bëhesh vegël e të huajit. Aq më keq që, deri atëherë, banorët e asaj zone nuk kishin pësuar asgjë të keqe nga qeverisja më pak se dyvjeçare. Pas thyerjes së kryengritjes jo pak protagonistë u dënuan me vdekje dhe me burgime të ndryshme, ashtu siç ka ndodhur dhe ndodh historikisht në çdo kohë dhe vend të botës pavarësisht nga natyra dhe lloji i regjimit.

Së treti, organizimi i veprimtarive përkujtimore për këtë ngjarje është një akt mendjelehtësie, papërgjegjshmërie dhe përçarjeje popullore. Antikomunistët shqiptarë të kolltukëve dhe parave të fituara pa mund gjatë këtyre mbi tri dekadave, të cilët s’kanë lënë ngjarje apo personazh të Luftës Nacionalçlirimtare pa fyer, denigruar, shpallur kriminel dhe as buste apo monumente të tyre pa rrëzuar, kanë bërë çmos të rehabilitojnë bashkëpunëtorë të pushtuesve dhe kriminelë lufte, të ngrenë buste, monumente apo qendra muzeale në kujtim të tyre dhe, çfarë është më e keqja, t’iu thurin lavdi e ngrenë në piedestal akte të tilla vrastare brendashqiptare.

Kryengritje kundër qeverive ka pasur me dhjetëra nën sundimin e Ahmet Zogut, si në Dukagjin, Has, Dibër, Fier, Vlorë, Himarë etj. që janë shoqëruar me qindra të vrarë, të plagosur e të burgosur. Mirëpo, edhe regjimi njëpartiak i Hoxhës u tregua shumë i kufizuar dhe i matur në përkujtimin apo lartësimin e tyre sepse, në fund të fundit, ishin akte dhune e lufte midis shqiptarëve, që ndodhën në kushtet dhe rrethanat kur në vend nuk ndodhej asnjë pushtues i huaj.

Në historinë politike shqiptare, lëvizja më e gjerë popullore kundër regjimit ekzistues ka qenë ajo e marsit 1997, e cila e detyroi qeverinë, jo nga dëshirat dhe parimet demokratike, por nga halli të dorëhiqej. Megjithatë, me gjithë viktimat e shumta që ajo solli, nuk është në nderin tonë dhe as në shërbim të prosperitetit shpirtëror kombëtar të himnizohet e lartësohet. Megjithëse u ngritën me të drejtë, në fund të fundit, ishin shqiptarët kundër shqiptarëve.

Tani, lindin pyetjet: Çfarë kërkonte kryetari i bashkisë së Shkodrës në Postribë para një jave? Cila ishte domethënia e përkujtimit të asaj ngjarjeje? Çfarë mesazhi përcjell ai dhe të tjerë tek populli duke lartësuar një kryengritje me armë kundër një pushteti të zgjedhur me votë? Mos do të thotë kjo që pasardhësit e kryengritësve iu thonë pasardhësve të punonjësve të shtetit të asaj kohe se ne bëmë mirë që iu drejtuam armët baballarëve tuaj dhe i vramë disa prej tyre?!

A sjell kjo urrejtje e përçarje, së bashku me mundësinë që pasardhësit e punonjësve të atëhershëm të shtetit të reagojnë duke iu thënë se: baballarët tuaj na drejtuan armët por nga armët vdiqën (siç thotë Bibla se kush rrëmben shpatën, nga shpata do të vdesë!)?!

Cili është mesazhi që iu përcillet pasardhësve të punonjësve të policisë që humbën jetën në atë kohë nga sulmet e armatosur kundër postave të policisë?! Në fund të fundit, kryetari i bashkisë është drejtues pushteti dhe përfaqësues i të gjithë popullit në atë juridiksion, apo komandant i njërës pjesë kundër tjetrës?!

A e di kryetari i bashkisë se partitë komuniste janë të lejuara me ligj sot në Shqipëri dhe në Evropë dhe, rrjedhimisht, ndërsehet një pjesë e popullit kundër pjesës tjetër, sado e vogël qoftë?! Jemi në sistem pluralist apo atë monist, ku njëri krah ka gjithmonë të drejtë dhe tjetri duhet shtypur, fyer e nëpërkëmbur?

Pse nuk organizon kryetari i bashkisë “ceremoni përkujtimore” edhe për kryengritjen mbarëpopullore të marsit 1997 kundër regjimit të ish-idhullit të tij dhe pushtetit ku ai vetë bënte pjesë deri dje?

Është antihistorike dhe e turpshme që viktimat e mashtruara të asaj ngjarjeje t’i paraqiten sot popullit shqiptar si heronj, luftëtarë për demokraci apo atdhetarë par excellence. Antikomunisti laraman Sali Berisha dhe ndjekësit e tij matrahula vranë në mes të Tiranës njerëz të paarmatosur dhe tani na paraqesin vrasjen e kryengritësve të armatosur dhe sulmuesve të postave të policisë së vitit 1946 si viktima të pafajshme dhe “heronj” që meritojnë mirënjohje dhe respekt.

Falsifikatori dhe manipulatori i historisë, Sali Berisha nuk lë rast pa “dënue” ngjarje apo dënime të dikurshme të njerëzve që kishin kryer krime me armë kundër punonjësve të shtetit, ndërsa ai vetë, në janar 2011 u betua se “kushdo që do t’iu afrohet zyrave të mia… apo kushdo që do të sulmojë qoftë edhe një postë policie, do të ekzekutohet në vend”.

Pra, paska dy standarde morale dhe ligjore për gjykimin e ngjarjeve dhe personazheve, në varësi të interesave të politikanëve dhe jo në varësi të fakteve dhe kritereve universale morale dhe juridike.

Siç e ka thënë me të drejtë para njëzet vitesh z. Fatos Nano, vendit nuk i shërbehet sot as me komunizëm dhe as me antikomunizëm. Vendit i shërbehet me moral qeverisës, që fatkeqësisht është i vajtueshëm, i shërbehet dhe me dije, përkushtim e aftësi drejtuese që, po ashtu, janë nën nivelet e kërkuara. Po të jetë për moralin qeverisës dhe drejtësinë kundrejt popullit, do të kishim në Shqipëri nga një “kryengritje të armatosur” çdo vit, por politikanët shqiptarë duhet t’ia dinë për nder Perëndisë që qeverisin e livadhisin në kushtet e lirisë së lëvizjes ku shumica e shqiptarëve të pakënaqur e të zemëruar zgjedhin braktisjen e vendit në vend të çfarëdo ballafaqimi me qeverisjet e korruptuara e aspak të denja të vendit.

Nëse politikanët e padenjë shqiptarë nuk munden apo nuk duan të qeverisin si duhet dhe me drejtësi, i kanë të gjitha mundësitë të mos na mashtrojnë dhe as të mos falsifikojnë ngjarjet historike për nevoja të ditës, për t’u shitur çka nuk janë. Shpëtimi që vjen nga mashtrimi është i rrejshëm dhe i përkohshëm. Ndëshkimi historik dhe moral që pason mashtrimin, sapo bije perdja mbetet i përjetshëm.

Mjaft e përçatë popullin shqiptar!

Botuar në DITA

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

thuaje.com Thuaje.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.