Gati harta e re e çmimeve të pronave në bregdet, eksperti: Shtrenjtohen apartamentet
Brenda pranverës së këtij viti, do të jetë gati harta e re e çmimeve të pronave në të gjithë vendin. Në Ministrinë e Financave, është ngritur grupi i punës, për të caktuar çmimet e reja të referencës për metër katror për qytetet kryesore të vendit, e me fokus primar bregdetin. Grupi i punës është krijuar […]
Brenda pranverës së këtij viti, do të jetë gati harta e re e çmimeve të pronave në të gjithë vendin. Në Ministrinë e Financave, është ngritur grupi i punës, për të caktuar çmimet e reja të referencës për metër katror për qytetet kryesore të vendit, e me fokus primar bregdetin.
Grupi i punës është krijuar dhe shumë shpejt do të kemi edhe çmimet mesatare logjike të referencës për bregdetin dhe për qytetet kryesor. Çmimet referencës në këto zona janë jo reale dhe shumë të ulta. Ndaj duhet të caktojmë çmimet e ndershme me të cilat shiten këto pasuri. Shumë shpejt do ta plotësojmë hartën e Shqipërisë me çmimet e reja. Ne mendojmë që brenda 1-2 muajsh do kemi gati draftin për ta bërë pjesë të udhëzimit”, shprehet Niko Lera.
Drejtori i politikës fiskale Niko Lera, ka sqaruar se si do të bëhet ndarja e zonave në vijën bregdetare të Shqipërisë.
“Nëse Tirana është e ndarë në rreth 33 nën zona, edhe për qytetet e tjera synojmë të bëjmë pikërisht këtë. Për këtë arsye po punojmë me ASHK dhe shumë institucione të tjera që janë të lidhura. Do marrim bregdetin, ku do diferencohet vija e parë, e dytë dhe e tretë, pasi ju e dini që edhe çmimet ndryshojnë në varësi të afërsisë me bregun. Ashtu edhe për qytetet, për shembull zona e Kënetës nuk mund të ketë të njëjtat çmime me zonën e pedonales apo të tjerat”, tha Lera.
Caktimi i çmimit të referencës bëhet për të frenuar abuzimet në shitjet e pronave, pasi shpesh në kontratë nuk deklarohet vlera reale e objektit të shitur. (Pra një apartament në bregdet në Durrës, shitet me 1500 euro, por deklarohet me 700 euro duke iu afruar çmimit të referencës në këtë qytet.)
Por eksperti i ekonomisë Klodian Muço thotë se ky fenomen nuk mund ndalohet me presione fiskale, pasi rritja e referencës do shkarkohet tek blerësi.
“Ti shikon çmimet me të cilat tregtohen apartamentet në zona të ndryshme të Tiranës që shkojnë nga 2000-5000 euro metri katror dhe kur vjen puna tek transaksionet bankare në disa raste deklarohen çmime shumë të ulta. Vendosja e çmimeve të referencës në vijnë e parë bregdetare shkon në linjë me frenimin e këtij abuzimi që tjetër është çmimi i shitjes dhe tjetër është i deklaruar në dokumente. Referenca automatikisht do të kalojë tek blerësi për ti rritur çmimin. Të gjitha këto forma, që rrisin presionin ndaj bizneseve, shkarkohet tek konsumatori final. Referencat apo taksat nuk e luftojnë informalitetin por rrisin disa kosto për ofertuesit e shërbimeve, që gjithmonë kanë tendencën t’ja kalojnë konsumatorit final”, pohon eksperti.
Rishikimi i referencave me fokus vijën bregdetare po bëhet pas interesit të shtuar kryesisht të të huajve për të blerë prona në këto zona të vendit.
Në nisje të këtij viti hyri në fuqi Udhëzimi i ri me çmimet e reja të referencës për ndërtesat e vjetra në vend, ku parashikohet amortizimi me 1% për çdo vit vjetërsie.
/f.s
What's Your Reaction?