Historia tronditëse e Vilma Dules që u dogj me acid në fytyrë ngjitet në skenë, artistja Markarian: Arti, armë e fortë kundër dhunës ndaj grave
Historia e Vilma Dules është një nga ato historitë që të trondit, por ndërsa e shohim sot atë… padyshim që të jep forcë, optimizëm dhe sigurisht mesazhe të forta. Për ata që nuk e mbajnë mend, Vilma ishte vajza nga Vlora e cila një ditë papritur, nga një person, u sulmua me acid në fytyrë. […]
Historia e Vilma Dules është një nga ato historitë që të trondit, por ndërsa e shohim sot atë… padyshim që të jep forcë, optimizëm dhe sigurisht mesazhe të forta. Për ata që nuk e mbajnë mend, Vilma ishte vajza nga Vlora e cila një ditë papritur, nga një person, u sulmua me acid në fytyrë. Ky sulm nuk i mori jetën, por e detyroi atë të luftonte për jetën, t’i ndryshonte pamjen dhe gjithë ç’kish ndërtuar… Por ajo nuk u dorëzua, ndërsa mes trajtimesh dhe ndërhyrjesh të shumta mjekësore, sot gëzon një jetë të bukur krah bashkëshortit dhe djalit të saj të vogël.
Pikërisht historinë e dhimbshme dhe frymëzuese të Vilmës, e ka sjellë në skenë në mënyrë artistike, aktorja, skenaristja, shkrimtarja dhe mjekja Anisa Markarian, së bashku me regjisoren Driada Dervishi.
Markarian sjell historinë e Dules të shkruar në mënyrë të butë artistike, por po aq edhe fuqishëm, duke transmetuar shumë mesazhe kundër dhunës ndaj grave.
E ftuar sot në studion e News24 me gazetaren Ola Bruko, ajo së bashku me Vilma Dulen (në Skype), dhe po ashtu edhe regjisoren e njohur Driada Dervishi (në Skype), treguan më shumë detaje për këtë nismë që vjen për të tretin vit radhazi.
Po si lindi ideja për të shkruar historinë e Vilmës dhe për ta ngjitur atë më pas në skenë?
Ja çfarë rrëfen Markarian:
Është edicioni i tretë i kësaj iniciative që kam nderin të jem pjesë e stafit militues. Filloi shumë thjeshtë… atëherë bëhej në 8 mars, u bë aktiviteti i këpucëve të kuqe që përkujton gratë që kanë pësuar dhunë, por dhe që kanë humbur jetën. Nisur nga kjo, pata shkruar një monolog nga historia e një pacienteje që e mjekoja shpesh te Urgjenca ku punoj, e cila më pas humbi jetën.
Tani në edicionin e tretë vij sërish me një monolog të historisë së Vilma Dules.
Kur ma prezantoi Driada, unë nuk e njihja historinë e Vilmës… kur u futa dhe lexova historinë, për mua ishte një mësim jete, guximi, optimizmi. Për mua ishte nder që isha zgjedhur të shkruaja historinë e Vilmës. Uroj që të arrijmë një ditë që burrat ta kuptojnë që gratë janë njësoj si ata.
Nga puna që bëj, si mjeke urgjentiste, jam përballur me situata ku më është dashur të mjekoj gra të plagosura, të therura, të djegura, ndonjëherë arrijnë dhe në gjendje kome, dhe aty kam parë rolin që ne mund të luajmë si mjeke dhe si femra. Duhet të jemi solidare si femra, të ndihmojmë njëra-tjetrën. Po ashtu kam kuptuar dhe vështirësinë e këtyre femrave për të denoncuar xhelatët e tyre.
Të gjitha format duhen përdorur për të luftuar kundër dhunës, dhe arti është një armë e fuqishme.
“Sot isha në park, dhe duke ecur mendova sa më fat jam që sot prezantohem si një aktiviste dhe jo më si një viktimë, dhe që historia ime përmes fjalëve të Anisës arrin të prezantohet në mënyrë artistike. Në mënyrë të lehtë, të ëmbël, por dhe të fuqishme. Është një fat i madh, por asnjëherë nuk ia del dot vetëm.
Në Shqipëri, unë jam shumë e nderuar sepse arti sot po merret dhe me problemet sociale, dhe kjo është një gjë që karakterizon kulturat perëndimore”, tha ajo./m.j
What's Your Reaction?