Huliganët kroatë terrorizojnë Athinën, vritet 22-vjeçari grek: Mes 98 të arrestuarve edhe 1 shqiptar
Skena të tmerrshme dhune pushtuan të hënën në mbrëmje Athinën në stadiumin e AEK-ut. Huliganët e Dinamo Zagrebit sulmuan tifozët e AEK-ut. Për pasojë ka humbur jetën një 22-vjeçar grek. Ai u vra me thikë. Policia ka arrestuar në lidhje me këtë ngjarje 98 persona. Mes tyre janë 87 kroatë, një shqiptar, një austriak, një […]
Skena të tmerrshme dhune pushtuan të hënën në mbrëmje Athinën në stadiumin e AEK-ut. Huliganët e Dinamo Zagrebit sulmuan tifozët e AEK-ut. Për pasojë ka humbur jetën një 22-vjeçar grek. Ai u vra me thikë.
Policia ka arrestuar në lidhje me këtë ngjarje 98 persona. Mes tyre janë 87 kroatë, një shqiptar, një austriak, një boshnjak, një gjerman dhe pesë grekë.
Po ashtu nga ngjarja kanë mbetur tetë persona të plagosur. Mes tyre një 17-vjeçar që ka goditje të forta në kokë pasi u godit me gurë. Në spital ndodhen të shtruar edhe 3 grekë e 5 kroatë të tjerë.
Skenat e dhunës ndodhën përpara ndeshjes AEK-Dinamo Zagreb që pritet të luhet këtë të martë dhe është e vlefshme për fazën e eliminatoreve të Champions League.
Siç shkruajnë mediat greke, tifozët kroatë kanë mbërritur të organizuar në Athinë, pavarësisht një vendimi të UEFA-s për t’i ndaluar ata të lëvizin në transferta.
Kur kanë shkuar në Athinë, ata janë shoqëruar me tifozë të Panathinaikos, skuadër tjetër greke. Dëshmitarë nga vendi i ngjarjes thanë se sulmi dukej i organizuar. Një pronar lokali shpjegoi se çfarë ndodhi në “mësymjen” e huliganëve kroatë.
“Rreth orës 22:00 e kisha lokalin gjysmë plot. Dikush erdhi dhe më paralajmëroi. Një tifoz i AEK erdhi dhe më tha se po vinin kroatët. Më tha që të largoja njerëzit. Pas 10 minutash nisën që të ndiznin zjarre. Rreth 200-300 vetë filluan të thyenin çdo gjë. Rrugës poshtë, lokalet u boshatisën, nisën të hidhnin karriget dhe u përplasën me 20-30 fansa të AEK-ut”, përshkroi ai.
Më tej tregoi se 22-vjeçarin e gjetën të vrarë me thikë dhe ishte i mbuluar me gjak. Ndërkohë një kroat ishte po ashtu i mbuluar me gjak në gjendje të rënduar. Autoritetet greke vijojnë hetimet për këtë ngjarje.
Klan News ka mësuar se trazirat e fundit në Athinë kanë anuluar edhe takimin e sotëm të ministrit grek të Mbrojtjes së Qytetarit, Ioanis Ikonomou dhe ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Taulant Balla në pikën kufitare të Kakavijës.
/a.r
What's Your Reaction?