I dehur në timon përplasi punonjësen e televizionit dhe u largua nga vendngjarja, Gjykata e Tiranës i heq prangat autorit nga Fushë Kruja
Një skandal është shënuar në Gjykatën e Tiranës, paraditen e kësaj të premteje, ku gjyqtarja Armela Hasantari ka vendosur të lërë në masën e sigurisë detyrim paraqitje 28-vjeçarin Jurgen Cela, i cili dy ditë më parë aksidentoi rëndë një 26 vjeçare, punonjëse e Top Channel. Nën efektin e alkoolit dhe duke drejtuar mjetin në kundërvajtje […]
Një skandal është shënuar në Gjykatën e Tiranës, paraditen e kësaj të premteje, ku gjyqtarja Armela Hasantari ka vendosur të lërë në masën e sigurisë detyrim paraqitje 28-vjeçarin Jurgen Cela, i cili dy ditë më parë aksidentoi rëndë një 26 vjeçare, punonjëse e Top Channel.
Nën efektin e alkoolit dhe duke drejtuar mjetin në kundërvajtje në Rrugën e Durrësit, Jurgen Cela rreth orës 1:30 pas mesnate përplasi 26 vjeçaren e cila po kthehej nga puna me motor. Pasi e hodhi dhjetëra metra në ajër, Jurgen Cela nga Fushë Kruja u largua nga vendngjarja, duke mos i ardhur në ndihmë të aksidentuarës, të cilën disa kalimtarë e çuan në spital. 26-vjeçarja ka pësuar dëmtime serioze si thyerje gjymtyrësh, brinjësh dhe legeni si dhe dëmtim të pankreasit dhe mëlçisë dhe aktualisht ndodhet në rrezik për jetën.
Policia Rrugore e Tiranës pas rastit vijoi kërkimet dhe pak orë më vonë mundi të vërë në pranga Jurgen Çelën, i cili u arrestua për dy vepra penale “Shkelje e Rregullave te Qarkullimit Rrugor”, “Largim nga vendi i ngjarjes”. Ai iu nënshtrua dhe kontrollit për përdorimin e alkoolit që megjithëse u bë shumë orë pas aksidentit rezultoi 0.29 mg/l dhe testi i dytë 0.28mg/. Dosjes së Prokurorisë iu bashkëngjit dhe ekspertimi mjekoligjor i të resë.
Por, pavarësisht se për Policinë Rrugore të Tiranës dhe Prokurorinë e kryeqytetit, Jurgen Çela është plotësisht fajtor për rastin, Gjykata vendosi ta lirojë 28-vjeçarin pa asnjë argument.
Vendimi i gjyqtares Armela Hasantari, i cili është i ndryshëm nga kërkesa e Prokurorisë, la të lirë një 28-vjeçar, i cili me mjetin e tij që e përdor në mënyrë të papërgjegjshme, i dehur dhe duke lëvizur kundërvajtje në qendër të Tiranës, mund të rrezikojë jetën e qytetarëve./tch
What's Your Reaction?