Investimi/ Aeroporti i Vlorës, në fund të vitit do të aplikojë për certifikimin e operimit dhe sigurinë
Që nga momenti i nisjes së punimeve në aeroportin e Vlorës, tashmë godinat që do përbëjnë kompleksin e projektit më të madh të aviacionit civil kanë marrë formë. Po flasim për kullën e kontrollit, godinën e zjarrfikësve dhe terminalin. Kulla e kontrollit do të jetë vepra më e lartë në Aeroportin e Vlorës, rreth 35 […]
Që nga momenti i nisjes së punimeve në aeroportin e Vlorës, tashmë godinat që do përbëjnë kompleksin e projektit më të madh të aviacionit civil kanë marrë formë. Po flasim për kullën e kontrollit, godinën e zjarrfikësve dhe terminalin.
Kulla e kontrollit do të jetë vepra më e lartë në Aeroportin e Vlorës, rreth 35 metra. Kështu duket ajo sot në fazën e ndërtimit, por kështu do të duket me përfundimin e saj.
Brenda vitit do të kryhet edhe aplikimi për certifikimin e aeroportit, ku do të vlerësohet operimi i tij, kualifikimi i stafit dhe siguria në terren.
“Pritet që aeroporti të dorëzojë aplikimin zyrtar në Dhjetor të vitit 2024, bashkë me dokumentacionin përkatës për operimin dhe mirëmbajtjen e këtij aeroporti përfshirë planet e emergjencës. Do të vlerësohen postholderat kyç, menaxherët përgjegjës dhe kualifikimet e tyre. Në vijim do të kemi inspektimin në terren me qëllim garantimin e sigurisë”, tha Selma Pagria, drejtoresha e Aerodromeve.
“Janë marrë masa për sistemin e drenazhimin nëpërmjet kanaleve kulluese dhe stacioneve të pompimit për minimizimin sa më shumë të rrezikut nga përmbytja”, tha Selma Pagria.
“Aeroporti ka një pistë të dizenjuar për avionë 4E, që janë avionë me trup të gjerë, airbus 330-340, apo Boeing 777 që janë të përshtatshëm për t’u akomoduar në këtë aeroport. Një nga rrugët lidhëse paralele me pistën është me të njëjtën gjatësi si ajo 3.2 km e gjatë dhe do të garantojë kapacitet më të lartë të lëvizjes së avionëve”, tha Pagria.
Drejtoresha e Aerodromeve, Selma Pagria, bën një përmbledhje të punimeve dhe kur pritet të mbyllen ato.
“Vijon të punohet për rrugët lidhëse, jemi në 90% të punimeve për rrugët perimetrale, dhe 60% për rrugët e shërbimit. Vijohet me punimet në terminal. Ashtu siç është planifikuar, faza e parë pritet që gjithë objektet të jenë të përfunduara në Dhjetor të 2024″.
Që tani ka nisur puna për prokurimin e objekteve që do të plotësojnë funksionimin e plotë të aeroportit, i cili do të nisë fluturimet ne pranverë të vitit 2025.
Në fazën e parë, Aeroporti i Vlorës, do të operojë me një kapacitet prej 2 mln pasagjerësh. Pas mbylljes së fazës së parë, aeroporti do t’i nënshtrohet edhe dy fazave të tjera që përfshijnë, infrastrukturën për godinën kargo, zgjerimin e terminalit të pasagjerëve, dhe ngritjen e akademisë së fluturimit.
Me një sipërfaqe prej 309 hektarë, pistë 3.2 km dhe me një investim prej 104 mln Euro, porta ajrore e jugut synon t’i japë një tjetër hov zhvillimit të zonës po veçanërisht turizmit në vend./m.j
What's Your Reaction?