Itali-Shqipëri, një ndërthurje probabilitetesh
Nga Eduard Zaloshnja Ndeshja Itali-Shqipëri më 15 qershor është kryendeshja europiane në mendjen e sportadashësve shqiptarë – kushdo që merr pak vesh nga futbolli e kupton se një humbje me Italinë pothuaj na i zeron shanset për kualifikim në grup (jo se na i bën zero fare). Po sa shanse ka Italia që ta fitojë […]
Nga Eduard Zaloshnja
Ndeshja Itali-Shqipëri më 15 qershor është kryendeshja europiane në mendjen e sportadashësve shqiptarë – kushdo që merr pak vesh nga futbolli e kupton se një humbje me Italinë pothuaj na i zeron shanset për kualifikim në grup (jo se na i bën zero fare).
Po sa shanse ka Italia që ta fitojë atë ndeshje (kryendeshje për ne, por edhe për italianët)?
Si në çdo përballje (në sport, biznes, politikë, etj. etj.), kemi të bëjmë me një lojë ndërthurjesh probabilitare. Një gjuajtje e jona mund të përfundojë në kuadrat, në shtyllë/traversë, apo pak centrimtra jashtë/lart kuadratit të portës – ose mund të devijohet në sekondën e fundit nga një mbrojtës apo nga portieri kundërshtar brenda kuadratit apo jashtë kuadratit. Dhe anasjelltas…
Duke ndërthur të gjitha të dhënat statistikore publike për futbollistët që janë aktivizuar me dy kombëtaret në dy vjetët e fundit, ndërtova një model simulacioni statistikor, me të cilin luajta 10 mijë ndeshje të simuluara në kompjuter.
Probabiliteti më i lartë (15%) për t’i shënuar gol Italisë në këto 10 mijë simulacione, më rezultoi nga një asist i Bajramit për Brojën (në qoftë se ky i fundit rikthehet në formën e para një viti). Probabiliteti më i lartë për gol të Italisë më rezultoi nga një aksion individual i Kiezës (24%). Etrit Berisha më rezultoi me 3-5 pritje vendimtare dhe Donaruma me 1-3 pritje vendimtare.
Për ta përmbledhur, në qoftë se Broja rikthehet në formën e para një viti, probabiliteti që të fitojë Italia më rezultoi vetëm 67%. Përndryshe, probabiliteti i fitores së Italisë rezulton 71%. Sipas koeficientëve aktualë të Bet365, probabiliteti i fitores së Italisë është 72%.
Por deri më 15 qershor, probabilitetet mund të ndryshojnë – për mirë ose për keq. Deri atëherë, nuk i dihet sa nga futbollistët tanë apo të tyret do të dëmtohen/rikuperohen e sa do të jenë në formë të mirë apo të dobët sportive…
What's Your Reaction?