Këngëtari iranian dënohet me burg, urdhërohet të shkruajë këngë antiamerikane

Një gjykatë iraniane e ka dënuar fituesin e një çmimi Grammy, Shervin Hajipour, me gati katër vjet burgim, si dhe e ka detyruar

Mars 1, 2024 - 19:25
 0
Këngëtari iranian dënohet me burg, urdhërohet të shkruajë këngë antiamerikane
Reklamë
Reklamë

Një gjykatë iraniane e ka dënuar fituesin e një çmimi Grammy, Shervin Hajipour, me gati katër vjet burgim, si dhe e ka detyruar të shkruajë muzikë kritike ndaj Shteteve të Bashkuara.

Hajipour ishte arrestuar për herë të parë për këngën e tij “Baraye”, e cila u shndërrua në himn të protestave antiqeveritare në vitin 2022.

Ai shpërndau lajmin rreth dënimit së bashku me një fotografi të aktgjykimit të gjykatës në llogarinë e vet në Instagram më 1 mars.

Reklamë
Reklamë

Hajipour i falënderoi avokatët e tij që “u përpoqën sa mundën” dhe e përdori një shprehje persiane duke lënë të kuptohej se nuk ka asnjë pendesë.

Hajipour është dënuar me tetë muaj burgim për “propagandë kundër Qeverisë” dhe me tri vjet burgim për “nxitjen dhe provokimin e publikut për të shkaktuar trazira që prishin sigurinë kombëtare”.

Ai do ta vuajë vetëm dënimin me tri vjet burgim.

Këngëtari dhe tekstshkruesi është urdhëruar edhe “të krijojë muzikë për krimet e Amerikës kundër njerëzimit” dhe “t’i dokumentojë shkeljet e të drejtave të njeriut nga Amerika në shekullin e fundit” dhe t’i botojë gjetjet e tij në rrjetet sociale.

Atij i është ndaluar të largohet nga Irani për dy vjet dhe është urdhëruar, përveç tjerash, të publikojë në rrjetet sociale shkresa të shkruara me dorë nga librat fetarë në lidhje me gratë.

Kënga “Baraye”, teksti i së cilës ishte frymëzuar dukshëm nga postimet në rrjetet sociale të iranianëve të cilët shpjegonin pse po protestonin, e fitoi çmimin inauguruese për “Merita Speciale” për Këngën më të Mirë për Ndryshim Shoqëror në ceremoninë e çmimeve Grammy më 2023.

Protestat në vitin 2023 shpërthyen pasi Mahsa Amini, e cila ishte arrestuar pse gjoja s’e kishte veshur siç duhet shaminë e kokës, vdiq në paraburgim.

Trazirat disamujore nxitën themelimin e lëvizjes “Gra, Jetë, Liri” dhe ishin njëra prej sfidave më të fuqishme me të cilat është përballur Republika Islamike prej ekzistimit të saj.

Qindra protestues u vranë dhe mijëra u arrestuan gjatë përpjekjeve të autoriteteve për t’i shtypur protestat.

Hajipour u arrestua në shtator 2022 dhe u mbajt për rreth tri javë, para se të lirohej me kusht./rel

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

thuaje.com Thuaje.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.