Kontabilistët dhe avokatët do të dërgojnë në Kushtetuese ligjin për tatimin mbi të ardhurat
Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM), Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) dhe Dhoma Kombëtarë e Avokatisë (DHKA) pritet të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”. Drejtues të Institutit të Kontabilistëve të Miratuar thanë për Monitor se tashmë kanë rënë dakord edhe me organizata të tjera të profesioneve […]
Instituti i Kontabilistëve të Miratuar (IKM), Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) dhe Dhoma Kombëtarë e Avokatisë (DHKA) pritet të dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Drejtues të Institutit të Kontabilistëve të Miratuar thanë për Monitor se tashmë kanë rënë dakord edhe me organizata të tjera të profesioneve të lira për ta dërguar ligjin në Gjykatën Kushtetuese. Ligji do të dërgohet në Kushtetuese pas publikimit nga qeveria të VKM-së që përcakton profesionet e lira që preken prej tij.
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” nis zbatimin nga 1 janari 2024. Ligji përcakton dy afate zbatimi. Për të vetëpunësuarit e profesioneve të lira tatimi progresiv nga 15% deri në 23% do të nisë zbatimin nga 1 janari 2024, ndërsa për biznesin e vogël (duke përfshirë kategoritë të vetëpunësuarit) efektet e ligjit do të fillojnë të zbatohen nga 1 janari 2029.
Me ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” nga 1 janari 2024 të vetëpunësuarit e profesioneve të lira nuk do të trajtohem më si biznes i vogël me 0%, por të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi, pas shpenzimeve të zdritshme sipas nenit 22 të ligjit, të vetëpunësuarit do të tatohen me normat 15% për fashën 0 deri 14,000,000 lekë dhe mbi 14,000,000 lekë vendoset tatimfitimi 23%.
Ndërsa nëse një i vetëpunësuar, 80% të të ardhurave bruto (të ardhurat e arkëtuara) i siguron nga 1 klient i vetëm, apo 90% të të ardhurave bruto (të ardhurat e arkëtuara) nga më pak se 3 klientë, për qëllime të llogaritjes së detyrimit tatimor mbi të ardhurat neto (të ardhura të arkëtuara minus shpenzimet e zdritshme të biznesit) vjetore/mujore të tij, do të aplikohen normat e tatimit mbi pagën.
Kryetari i këshillit drejtues Institutit të Kontabilistëve të Miratuar (IKM) z. Sotiraq Dhamo më herët pohoi se ligji i ri është antiligjor, krijon pabarazi mes tatimpaguesve dhe nxit evazionin.
“Trajtimi i të ardhurave të të vetëpunësuarve si të ardhura nga paga është antiligjore. Shtrirja e ligjit te të vetë punësuarit të profesioneve të lira për shumë arsye do të sjellë efekte negative.
Të vetëpunësuarit janë biznese, marrin përsipër risqe, nuk kanë të ardhura fikse dhe nuk mund të quhen të ardhura nga paga. Është evaziv pasi i konsideron të njëjtë të vetë punësuarit me kategorinë e të vete punësuarve me të punësuar të tjerë”, deklaroi ai.
Ndërsa anëtarë të Dhomës Kombëtare të Avokatisë paralajmëruan se zbatimi i këtij ligji për avokatët pritet të sjellë rritje tjetër të tarifave të shërbimit, pas shtrenjtimit te tyre nga harta e re gjyqësore.
Më herët në fletoren zyrtare u botua edhe udhëzimin për zbatimin e ligjit.
Nëpërmjet shembujve konkretë, udhëzimi përcaktonte se përmes ligjit të ri, të ardhurat nga punësimi do të tatohen sipas normave progresive 13% dhe 23%; të ardhurat neto nga biznesi tatohen sipas normave progresive 15% dhe 23%; të ardhurat nga investimi tatohen sipas normave përkatëse 8% dividendi dhe ndarjet e fitimit dhe 15% të ardhurat e tjera nga investimi/ Monitor
What's Your Reaction?