KPA shkarkon gjyqtarin që mbylli dosjet e Bashës, Sali dhe Shkëlzen Berishës
Komisioni i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë në fuqi vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Lazer Sallaku, i cili mbylli dosjet e bujshme me të kallëzuar Lulzim Bashën, Sali Berishën, Shkëlzen Berishën, Ridvan Boden dhe Genc Rulin. Trupa gjykuese e KPA-së e përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Ina […]
Komisioni i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë në fuqi vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Lazer Sallaku, i cili mbylli dosjet e bujshme me të kallëzuar Lulzim Bashën, Sali Berishën, Shkëlzen Berishën, Ridvan Boden dhe Genc Rulin.
Trupa gjykuese e KPA-së e përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Ina Rama, Natasha Mulaj anëtarë, la në fuqi vendim e Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) më datë 25 maj 2023, për shkarkimin nga detyra të Lazer Sallakut. Gjyqtarit të Tiranës iu konstatuan probleme me pasurinë.
Mes gjetjeve problematike të Komisionit të Vettingut, kryesore ishin 40 mijë euro dhuratë nga ish vjehrra. Në vitin 2012, Sallaku deklaroi pasuri në emër të gruas së dytë, Alma Sallaku.
Sipas trupit gjykues, ish vjehrra nuk kishte mundësi financiare që t’i dhuronte ish bashkëshortes së gjyqtarit 40 mijë euro. Nga ana e tij, gjyqtari tha se “Shuma që i është dhuruar ish-bashkëshortes nga nëna është krijuar para martesës, në vitin 2004 dhe nuk kam pasur të drejta mbi atë vlerë. Ai dhurim nuk duhej të lidhej me procesin e rivlerësimit”.
Dosjet e bujshme që mbylli Lazer Sallaku
Emri i gjyqtarit të Tiranës lidhet me mbylljen e dosjes së lobimit rus të Lulzim Bashës dhe mbylljen e dosjes CEZ, me mbi 400 milionë euro kosto për buxhetin e shtetit, ku të kallëzuar ishin ish-kryeministri Sali Berisha, i biri Shkëlzen Berisha, sekseri kyç Nuel Kalaj, ish-ministrat Ridvan Bode, Genc Ruli, Florion Mima, ish-zëvendësministra, ish-drejtorë etj.
Lazer Sallaku ka marrë pjesë edhe në rigjykimin e rolit të ish truprojës së Sali Berishës, Izet Haxhaj, në vrasjen e Azem Hajdarit, konsideruar si ‘vrasja e shekullit’. Haxhia u dënua në 11 shkurt 2022 me 21 vite burg si bashkëpunëtor në vrasjen e Azem Hajdarit. Në vendim thuhet se vrasja e Azem Hajdarit nuk është politike, por për shkak të hakmarrjes, konkretisht për të marrë hak për vrasjen e Shkëlqim Haklajt.
Procesi i verifikimit për gjyqtarin Sallaku ka nisur që në qershor të vitit 2020. Lazër Sallaku u emërua gjyqtar në Gjykatën e Durrësit në 5 prill të vitit 2010, me dekret të Bamir Topit, në atë kohë President. Emri i Sallakut iu propozua Topit nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë katër ditë para emërimit. Në atë kohë Sallaku ishte inspektor pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Këtë detyrë e ushtronte që nga viti 2007. Në dhjetor të 2013, Sallaku transferohet në Tiranë me vendim të KLD, e cila në atë kohë drejtohej nga Bujar Nishani.
/a.r
What's Your Reaction?