Kredi me normë interesi mbi 100%/ Kur BSH do të ndërhyjë për të frenuar zhvatjen e parave të qytetarëve?
Disa kompani që pretendojnë se ofrojnë produkte financiare novatore janë duke i dhënë disa shqiptarëve të paditur kredi me normë interesi mbi 100% në vit. Qeveria dhe Banka e Shqipërisë dukshëm janë duke qëndruar mënjanë duke mos kryer funksionet e veta bazë: parandalimin e rrezikut nga produktet financiare spekulative apo mashtruese. Disa vite më parë, […]
Disa kompani që pretendojnë se ofrojnë produkte financiare novatore janë duke i dhënë disa shqiptarëve të paditur kredi me normë interesi mbi 100% në vit. Qeveria dhe Banka e Shqipërisë dukshëm janë duke qëndruar mënjanë duke mos kryer funksionet e veta bazë: parandalimin e rrezikut nga produktet financiare spekulative apo mashtruese.
Disa vite më parë, disa faqe interneti filluan të ofrojnë shërbimin e tregtisë së monedhave online. Sipas këtij modeli biznesi, çdokush që kishte, qoftë edhe 250 dollarë, mund të krijonte një llogari dhe të fillonte të blinte e të shiste monedha, nga më të njohurat, si euro apo dollarë, te monedha më ekzotike si randi i Afrikës së Jugut apo dollari neozelandez. Jo vetëm kaq, por platformat ofronin mundësinë që me 250 dollarë, të mund të blije 1 mijë dollarë, ose 10 mijë dollarë. Fitimi dhe humbja ishin rrjedhimisht proporcionalisht të larta. Nëse blen 10 mijë dollarë dhe dollari lëviz me 1% në rritje ose në humbje, fitimet e tua janë 100 dollarë, e nëse lëviz me rënie 1%, humbjet janë 100 dollarë.
Platforma të tilla u bënë kaq popullore sa për një periudhë kohe filluan të tërheqin vëmendjen e botës përmes reklamimit edhe në aktivitetet sportive të nivelit më të lartë si Kampionati Evropian. Ajo që nuk thuhej në këto platforma ishte që tregtarët, sa herë që këmbenin një sasi dollarësh për ndonjë monedhë tjetër, paguanin një komision. Komisioni, në dukje i papërfillshëm, nënkuptonte që lojtari, jo vetëm që duhej të parashikonte drejtimin e lëvizjes së vlerës së një monedhe, punë kjo aspak e lehtë, por duhej që lëvizja të ishte mjaftueshme e madhe sa të mbulonte koston e komisionit dhe t’i jepte një fitim.
Në Shqipëri, aktualisht, një numër operatorësh të prezantuar si “mikrokredit” kanë lulëzuar falë injorancës së përgjithshme të qytetarëve mbi problemet financiare, por edhe mungesës, mund të themi, deri në nivel të papërgjegjshmërisë, të veprimeve paralajmëruese dhe parandaluese nga ana e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë dhe më gjerësisht, të autoritetit shtetëror.
Për këdo që e ka harruar se si funksionon ekonomiksi bazë, modeli është përafërsisht ky: ekonomia shqiptare rritet në vlerë nominale me mesatarisht 6 për qind në vit. Kjo do të thotë, i gjithë kapitali ynë fizik, natyror, financiar e njerëzor, pëson kaq rritje në vlerë. Në një botë ideale, qytetarët që kanë para me tepri, i vendosin këto para në depozita me një normë interesi, fjala vjen, 2 për qind. Bankat ia japin këto para qytetarëve që kanë nevojë për kapital, me, fjala vjen, 4 për qind. Qytetarët që e marrin kredinë, punojnë me këto para, realizojnë një kthim prej 6%, nga të cilat, 2% i mbajnë për vete dhe 4% ia kthejnë bankës. Nëse norma e interesit të kredisë është, fjala vjen, 8 për qind apo 10 për qind, atëhere kjo do të thotë që qytetari që ka marrë hua, jo vetëm që nuk po fiton para nga kapitali që ka huazuar, por në fakt, nga puna e vet po shlyen një normë interesi dhe në përgjithësi po del i humbur nga skema.
Në praktikë gjërat janë pak më tolerante se sa kaq. Disa biznese kanë norma fitimi mbi mesataren, pra mbi 6 për qind dhe mund t’i lejojnë vetes të shlyejnë një kredi me interes më të lartë. Por në përgjithësi, çdo kredi me normë interesi sa dyfishi a më shumë i normës së rritjes ekonomike, është humbës dhe falimentues për kredimarrësin. Ndërsa normat e interesit mbi 100% të kompanive të “mikrokreditit”, këto nuk janë kredi, këto janë fajde, janë skema piramidale si ato të vitit 1997.
Teoria e mikrokredisë, e cila ka justifikuar normal interesi, jo 100 për qind, por, fjala vjen, 10 apo 15 për qind, ka lindur në Bangladesh dhe ka qenë përqendruar te formula që, një i varfër që nuk ka akses në sistemin bankar, mund të marrë, fjala vjen, 100 dollarë kredi me normë interesi 20% për të kryer ndonjë shpenzim të domosdoshëm për të punuar tokën, fjala vjen, të blejë farën për ta mbjellë dhe rrjedhimisht toka është në gjendje ta kthejë kredinë dhe normën e interesit. Edhe në këtë rast, debatet janë të shumta nëse këto lloj skemash me të vërtetë ndihmojnë të varfrit apo e shtojnë varfërinë. Sepse, me shumë të drejtë argumentohet se pasi një fshatar ka dalë nga varfëria ekstreme pas korrjes së parë të prodhimit të realizuar me ndihmën e kredisë, ai nuk do të ketë më nevojë për 100 dollarë. Dhe rrjedhimisht, një skemë mikrokrediti do të duhet të dalë nga tregu ose të zhvillohet në banking konvencional menjëherë pasi ka ndihmuar për herë të parë dhe të fundit varfanjakun.
Fakti që këto kompanitë shqiptare të fajdeve kanë marrë nofkën “mikrokredi” përbën në vetvete një mashtrim me imazhin. Dhe logjika ta do që asnjë shqiptar nuk është sot aq i varfër sa të ketë nevojë për 100 dollarë për të blerë farë misri, vendi nuk është aq i varfër. Dhe këto kompanitë e mikrokreditit nuk duket se po shënjestrojnë këtë shtresë të popullsisë. Sipas përshkrimit që një oligark i bëri bisedës me pronarin e një prej këtyre kompanive të mikrokredisë, kredimarrësi potencial është “një i ri të cilit i ka shkrepur në mendje të blejë një celular të modelit të fundit.” Me një fjalë, një i ri që nuk ka, fjala vjen, 1 mijë euro për të blerë celularin, hyn në kredi, për të cilën duhet të paguajë 2 mijë euro. Është afër mendësh që shumë prej këtyre kredimarrësve të kësaj natyre do të falimentojnë. Dhe situata pritet të bëhet shumë e pakëndshme me rikthimin e industrisë së bixhozit në vend. Bixhiozçiu që do të humbasë te dyqani i zhub-zhubit, do të ketë mundësinë të marrë kredi te dyqani ngjitur.
Sistemi gjyqësor dukshëm po sillet në mënyrë jo shumë të ligjshme me këtë histori. Lajme të njëpasnjëshme po shfaqen për kredimarrës të tillë, të cilët, pasi dështojnë të shlyejnë një fajde, bien në kurthin e një zinxhiri çnjerëzor zhvatësish, nga përmbaruesit gjyqësorë dhe avokatët e gjyqtarët, të cilët, autorizojnë, jo vetëm rekuperimin e shumës së pashlyer të kredisë, por edhe të një morie tarifash të tjera zhvatëse dhe shpesh, bllokojnë pronat e patundshme të kredimarrësit, gjë që cënon thelbin e kredisë pa kolateral. Sepse mikrokredia supozohet se ka interes të lartë për shkakun e vetëm se është e pagarantuar. Nëse do të ishte e garantuar, fjala vjen, me kolateralin e shtëpisë së kredimarrësit, atëhere nuk duhej të kishte interes të tillë zhvatës.
Nga ana tjetër, që të thuash se problemi është i lidhur ngushtë vetëm me institucionet e mikrokreditit, kjo do të ishte e pasaktë. Interesa të larta, jo kaq zhvatëse, por gjithsesi, të konsiderueshme, dhe fushata marketingu agresive për kredi të tilla gjenden edhe te të ashtuquajturat, banka serioze. Kredi për pushime, me normë interesi prej 15 apo 20 për qind në vit, reklamohet pa teklif nga bankat “serioze”, vetëm se në reklama, asnjëherë nuk jepet norma e interesit.
Shqipëria nuk përballet me një situatë të tillë për herë të parë. Dhe, duke mos folur më për skemat piramidale të vitit 1997, na duhet të rikujtojmë tregun spekulant të kredive të viteve 2000-2008, kur qytetarëve u jepeshin kredi me norma interesi zhvatëse, ndërsa interesi u maskohej, një herë si interes, pastaj si komision, pastaj si kamatëvonesë. Në vitin 2008, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi një paketë për mbrojtjen konsumatore, vendosi konceptin e Normës Efektive të Interesit dhe detyroi bankat dhe institucionet e tjera të kredisë që të paraqesnin normën e interesit efektive në mjediset e tyre të punës. Sipas rregullores, kredidhënësi duhet të jetë i qartë dhe i ndershëm me kredimarrësin mbi normën e interesit dhe rreziqet që mbart produkti i përdorur. Zbatimi i kësaj rregulloreje duket se lë për të dëshiruar. Kjo vihet re në faktin se shumë nga kompanitë e mikrokreditit reklamojnë në faqet e tyre të interesit “kredi duke filluar nga 20” apo nga “30” për qind, ndërsa dukshëm normat janë më të larta se sa kaq.
Mikrokredia në Shqipëri ka arritur përmes ofertave të tilla të zhvillojë veten deri në pikën kur reklamon në televizionet kombëtare apo në oraret më të ndjekura. Ndalimi i reklamave të tilla është një debat i gjerë i medias në vendet normale. Për shembull, këtu mund të dalloni se si Google ndalon reklamimin e kredive me normë interesi mbi 36% ndërsa fushata aktivistësh në vende të ndryshme punojnë për të informuar qytetarët se reklamimi i kredive të tilla zhvatëse për grupe të ndryshme shoqërore, fjala vjen, të varfër apo të papunë, është imorale. Sot në Shqipëri këto reklama i sheh në emisionet kryesore dhe vendi nuk ka filluar ende të shqyrtojë moralitetin e një biznesi të tillë.
Banka e Shqipërisë aktualisht lejon kredi me normë interesi 100% nëse kredia është deri në 200 mijë lekë dhe me normë interesi 40% kur kredia është deri në 600 mijë lekë. Në vendet normale, rregullat që qeverisin këtë segment janë më të detajuara se sa kaq. Në Mbretërinë e Bashkuar, kreditorët nuk lejohet të vendosin tarifa më të larta falimenti se sa totali i kredisë së marrë.
Në mungesë të fushatave efektive të edukimit mbi çfarë është shumë te normat e interesit të kredive, dukshëm këto kufizime janë të pamjaftueshme për të shmangur rënien e të varfërve në një zinxhir borxhesh. Për këtë arsye, vendimi i autoriteteve rregullatore të botës për të detyruar kompanitë e tregimit të valutave që të paralajmëronin përdoruesit që në reklamë se sa fitojnë se sa humbasin në produkte të tilla financiare spekulante, është zgjidhja e vetme e arsyeshme. Kompanitë e mikrokreditit nuk përbëjnë kurrfarë vlere të shtuar në ekonomi dhe shkaktojnë tepër telashe për t’u lënë të lira. Produkte të tilla duhet të trajtohen njësoj si bixhozi apo duhani. Ndonëse nuk është e arsyeshme të ndalohen, çdo reklamë e tyre duhet të shoqërohet me paralajmërime të qarta dhe të kuptueshme dhe me transparencë të plotë mbi normën e interesit të mbajtur dhe pasojave për rastet e mosshlyerjes në kohë, përfshirë kostot e falimentit dhe përmbarimit dhe rrezikun që shtëpia apo prona të tjera të paluajtëshme të kreditorit të bllokohen për shuma të pashlyera. Është koha që BSH dhe qeveria të ndërmarrin masa për ta penguar shtrirjen e këtyre aktiviteteve. (BIRN)
What's Your Reaction?