Mirë se vini në vitin 1970

Si u rritën numrat e refugjatëve serbë, si u zvogëluan numrat e nxënësve dhe si po plaken shqiptarët së bashku me evropianët e tjerë Nga Veton Surroi 1. Më 1991 isha pjesë e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, kryesuar nga dr. Rugova, kur morëm më së lehti njërin prej vendimeve që doli të jetë […]

Shkurt 23, 2024 - 11:59
 0
Mirë se vini në vitin 1970
Reklamë
Reklamë

Si u rritën numrat e refugjatëve serbë, si u zvogëluan numrat e nxënësve dhe si po plaken shqiptarët së bashku me evropianët e tjerë

Nga Veton Surroi

1.

Reklamë
Reklamë

Më 1991 isha pjesë e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare, kryesuar nga dr. Rugova, kur morëm më së lehti njërin prej vendimeve që doli të jetë i rëndësishëm – që t’i thërrisnim shqiptarët në Kosovë që të mos merrnin pjesë në regjistrimin e popullsisë që do ta organizonte pushteti i atëhershëm i Milosheviqit, i vendosur me forcën e tankeve më 1989/1990. Vendimi kishte arsyetim të thjeshtë, të cilin e elaboroi dr. Fehmi Agani: nëse merrnim pjesë në regjistrim do të legjitimonim çdo rezultat, natyrisht rezultatet të cilat do t’i shpallte një administratë e cila deri atëherë i kishte dëbuar shqiptarët nga puna gjithkund, pra, edhe në Agjencinë e Statistikave.

Regjistrimi i popullsisë u bë, shqiptarët nuk morën pjesë (zyrtarisht u regjistruan vetëm 9 mijë shqiptarë), por vlera e këtij regjistrimi do të rritej pas çlirimit të Kosovës, më 1999. Një vit më vonë, në ligjërimin zyrtar serb filloi të vendosej shifra prej 250 mijë serbësh (e të tjerësh joshqiptarë) të dëbuar a të ikur nga Kosova, e të regjistruar zyrtarisht si refugjatë në Serbi. Ky ligjërim ishte aq i fortë, saqë me një tejshkujdesje hyri edhe në ligjërimin e zyrave të UNHCR-së dhe të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar në Beograd. Shifra, që edhe sot përmendet në dokumentet zyrtare të Beogradit, ishte krejtësisht e pavërtetë, dhe për këtë dëshmi mund të jepnin mu autoritetet zyrtare serbe. Më 1991, në një regjistrim popullsie të organizuar nga Serbia, të zhvilluar në terren nga Serbia dhe me rezultate të shpallura nga Serbia, doli se në Kosovë kishte 194.190 serbë. Si është e mundur, atëherë, që 250 mijë të kenë shkuar në Serbi pas luftës? Dhe, për më tepër, si është e mundur që të kenë shkuar 250 mijë e të kenë mbetur në Kosovë dikund 130 mijë?

Një numërim i këtillë do të meritonte thënien e vjetër të Mark Twainit: “Ekzistojnë gënjeshtrat, gënjeshtrat e mallkuara dhe pastaj statistikat”.

2.

Statistika si kulminacion i manipulimit doli në ditët e kaluara me deklarimin e zyrtarëve serbë, përfshirë edhe presidentit Vuçiq në KS të OKB-së, kur u përmend shifra e largimit të serbëve të Kosovës, posaçërisht nga pjesa veriore e vendit, prej ardhjes në pushtet të LVV-së. Sipas kësaj statistike manipuluese, duhej të dilte se vetëm në dymbëdhjetë muajt e fundit janë larguar 14 për qind e serbëve të pjesës veriore të Kosovës (presidenti Vuçiq përmendi një herë edhe shifrën 18 për qind). Madje një numër prej 10 për qind të të larguarve e përmendi edhe ICG (Grupi Ndërkombëtar i Krizave), një organizatë jo pa nam. Por, sipas analizës së bërë nga ESI (Iniciativa për Stabilitet Evropian), një organizatë e cila themelon punën e vet në kredibilitet dhe në analizë të thukët të të dhënave, del se në dy apo tre vjetët e fundit nuk ka pasur ndonjë lëvizje të madhe negative të popullatës serbe. E kjo del prej shifrave të vetë autoriteteve serbe për sigurimet sociale, ku janë të regjistruar të gjithë serbët e Kosovës. Gjatë tre vjetëve të fundit rënia ishte 4.9 për qind, por në të njëjtën kohë numri i foshnjave të porsalindura serbe shënoi një rritje të lehtë më 2023, në vitin për të cilin thuhet se u zhvillua fushata e dëbimit të serbëve të Kosovës.

3.

Por, përderisa statistikat mund ta gjejnë rrugën e vet manipuluese, ato të lexuara brenda kontekstit të tyre real kanë peshën e çekanit të realitetit. Po, manipulimi me “pogrom” e dëbim të serbëve nuk ka mbështetje në shifra, por po, ka një trend zvogëlimi dramatik të serbëve në Kosovë. Sipas ESI-së e në bazë të regjistrit të autoriteteve të Serbisë numri i nxënësve serbë në shkollat fillore në Kosovë del se më 2023 krahasuar me vitin 2004 ka pasur 3700 nxënës më pak, apo 26 për qind. Kur ky numër ekstrapolohet në një shifër të përafërme për numrin e banorëve serbë në Kosovë, del se më 2004 kanë jetuar nja 128 mijë serbë, ndërsa sot diku mes 95 mijë -100 mijë.

Një rënie e këtillë dramatike do të duhej të konfiromonte, atëherë, se megjithatë serbët po largohen me të madhe nga Kosova? Ky konstatim do të merrte konotacionin e rëndomtë manipulues politik po të mos vendosej në kontekstin e vet. Sipas ESI-së, e bazuar në regjistrin e Serbisë dhe të Republikës Serbe në BH, del se në Serbi përqindja e rënies së nxënësve në fillore është 25 për qind e në Republikën Serbe në BH madje 32 për qind. Serbët e Kosovës nuk janë përjashtim, madje janë pjesë modeste e rregullit të përgjithshëm që ka kapluar demografikisht kombin serb: në 22 prej 25 njësive administrative të Serbisë ka rënie më të madhe të nxënësve në fillore sesa në shkollat e serbëve të Kosovës.

4.

Dhe, natyrisht, kjo lëvizje demografike nuk është specialitet serb.

Sipas Eurostatit, nataliteti i 27 vendeve të Bashkimit Evropian është diku te 1.55, mjaft përfundi shifrës prej 2.1 që merret si bazë për riprodhim të thjeshtë. Pra, deri më 2050, 30 për qind e qytetarëve të BE-së do të kenë 65 vjet e më shumë.

Shqipëria është akomoduar tashmë te niveli evropian i natalitetit, në mos gjendet përfundi, ndërsa Kosova, që dikur kishte lindshmërinë më të lartë në Evropë, ka rënë në 1.7.

Kujt i duken abstrakte këto shifra, janë disa të tjera më konkrete. Dukagjin Pupovci, ekspert i spikatur i arsimit, nxori vitin e kaluar një shifër të thjeshtë: më 2023 Kosova kishte 313 mijë nxënës, diçka më pak se ç’kishte pasur më 1970.

Atëbotë Kosova kishte 1.24 milionë banorë.

Një mik britanik, i cili po hulumton trendet demografike të Ballkanit Perëndimor në vitet e fundit, më tha para disa muajsh se në bazë të trendit të tanishëm demografik Kosova mund të arrijë më 2030 në 1.2 milionë banorë.

Kur të zhvillohet regjistrimi i popullsisë në prill-maj të këtij viti do të shohim se sa afër jemi vitit 1970.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

thuaje.com Thuaje.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.