Nderi që opozitarët po i bëjnë Ramës!
Nga Dritan Hila Pas shock-ut të mitingut të Ramës në Athinë, opozita ka hedhur tezën se pjesëmarrësit ishin të gjithë zyrtarë të administratës shqiptare të marrë me zor. Që ka marrë mbështetës me vete nga Shqipëria, kjo është normale. Deri në momentin e realizimit të mitingut askush nuk e dinte reagimin e palës greke. Nuk […]
Nga Dritan Hila
Pas shock-ut të mitingut të Ramës në Athinë, opozita ka hedhur tezën se pjesëmarrësit ishin të gjithë zyrtarë të administratës shqiptare të marrë me zor.
Që ka marrë mbështetës me vete nga Shqipëria, kjo është normale. Deri në momentin e realizimit të mitingut askush nuk e dinte reagimin e palës greke. Nuk dihej a do lejohej salla; dhe nëse lejohej a do kishte presion të fshehtë për të ndaluar pjesëmarrjen; dhe nëse gjithçka do shkonte mirë a do iu kishte dalë frika shqiptarëve; dhe shumë pikëpyetje të tjera. Me këto dilema, Rama natyrisht që do të siguronte një pjesëmarrje qoftë edhe minimale pasi në lojë nuk ishte figura e tij por e kryeministrit të Shqipërisë. Por sado të kenë qenë, vështirë se e kalonin numrin e një mije personave. 6 mijë të tjerë në sallë, dhe mijëra jashtë saj, ishin shqiptarë të Greqisë, ose thënë më saktë shqiptarë të Athinës dhe Pireut. Ishte një pjesëmarrje që as vetë Rama nuk e priste.
Si risi që ishte mitingu i Athinës, e mira e opozitës do të ishte që as mos ta komentonte fare këtë miting, qoftë për faktin se ajo vetë mezi ia del të bëjë 100 veta poshtë penxheres dhe 50 para bashkisë, por edhe sepse po i kthehet në boomerang. Fotot fake të Berishës që tregojnë gjasme makina zyrtarësh në radhë në Kakavijë, duke u ngatërruar me doganën e Kapshticës në pikun e sezonit, qoftë dëshmitë e pjesëmarrësve aty në Athinë që e kanë krenari pjesëmarrjen në atë takim, janë argumente që e bëjnë qesharak gjithë këtë aksion të ndërmarrë si kofini pas të vjelës. Është një sipërmarrje e cila së bashku me çështjen Beleri që e ka bërë flamur të vetin, po e katandisin gjithë dyshen Berisha&Meta në një lëvizje e cila do humbasë çdo mbështetje njerëzish normalë, përjashto humbamenot që akoma iu shkojnë pas.
I gjithë takimi i Athinës mbase nuk do përkthehet në vota për Ramën, mbase nuk do shkulen njerëz që të vijnë në Shqipëri që të votojnë për të, por e sigurt është që do jetë një rrudhje e mëtejshme për Rithemelimin dhe çetën e Metës. Përpjekja e tyre për të mohuar pjesëmarrjen e emigrantëve shqiptarë aty, nuk dëmton Ramën por është një harakiri për mbështetësit e tezës se pjesëmarrësve të importuar nga Shqipëria dhe fyerje për ata që shkuan në atë tubim.
Po kaq miope është edhe teza se Rama në atë takim nuk zgjidhi asgjë. Këta mbase do ishte mirë të sillnin ndonjë shembull nga historia se kur zgjidhen problemet mes dy vendeve me mitingje. Mitingjet shërbejnë ose për sensibilizim ose si zanafillë revolucionesh. Qëllimin e dytë Rama nuk e kishte. Të parin e arriti.
Ndaj edhe sikur gjithë pjesëmarrësit të ishin të importuar, e rëndësishme është që si çdo komb që ka emigrantë, si grekët vetë, italianët apo më gjerë, të cilët e kanë shpalosur dhe tregojnë identitetin e tyre edhe me të tilla tubime në vendet pritëse, edhe shqiptarët kanë nisur këtë traditë. Nesër do jenë të zakonshme. Mbase do t’i bëjnë edhe pasardhësit e Ramës. Por nuk kanë pse mërziten paraardhësit e tij. Nuk i kanë bërë ndoshta se aq ua priste mendja ose i mbyste frika.
What's Your Reaction?