Në amullinë e një krize (të shmangshme)…

Nga Prof. Dr. Kristaq Xharo Krizat, sipas fjalori të Oksfordit,  përcaktohen si periudha të vështirësive dhe rreziqeve intensive. Nëse ato burojnë nga shkaqe objektive ato janë të pashmangshme dhe nga shkaqe subjektive janë të shmangshme. Kriza në veri të Kosovës besoj që ka të gjitha mundësitë të jetë e menaxhueshme…    Rikthim në ‘bazën e nisjes’…Mësymja […]

Gusht 5, 2023 - 19:45
 0
Në amullinë e një krize (të shmangshme)…
Reklamë
Reklamë

Nga Prof. Dr. Kristaq Xharo

Krizat, sipas fjalori të Oksfordit,  përcaktohen si periudha të vështirësive dhe rreziqeve intensive. Nëse ato burojnë nga shkaqe objektive ato janë të pashmangshme dhe nga shkaqe subjektive janë të shmangshme. Kriza në veri të Kosovës besoj që ka të gjitha mundësitë të jetë e menaxhueshme…   

Rikthim në ‘bazën e nisjes’…Mësymja e nisur muaj më parë për ‘legjitimitet dhe standarde demokratike’ tashmë mund të konsiderohet e papërfunduar dhe palët po kthehen në bazën e nisjes. Në kontekstin e ‘luftës’,  termi kupton mosnjohjen e terrenit, vlerësime të gabuara të kapaciteteve të fuqisë, si për vete edhe për palën tjetër,  vlerësimin jo objektiv të kundërshtarit dhe kohën e gabuar të zgjedhur. Më shkurt teatri i zhvillimeve reflekton mungesën e strategjisë apo një strategji të gabuar, që do të duhej të integronte efektshëm të gjithë këta elementë. Kur palët po kthehen në bazën e nisjes, për tu rigrupuar apo për tu tërhequr përfundimisht, nuk është e vështirë të përllogariten lehtësisht sukseset dhe humbjet.

Reklamë
Reklamë

Në këtë fazë, kriza në veri të Kosovës po merr një trajektore të ndryshme nga ajo që dukej se për ku ishte nisur dhe kjo jo për meritë të dy palëve të përfshira e ndoshta të përkushtuara në këtë skenar, por të  faktorit ndërkombëtar. Qartas, rezultatet në këtë fazë tregojnë se asnjëra nga palët nuk arriti objektivat strategjike të planifikuara,  nëse kanë pasur të tilla… Por nëse nuk shohim suksese, dështimet janë të dukshme dhe më së paku kjo krizë do të vlente nëse nxjerrim mësime prej saj.

Një lexim i mundshëm… Kriza nuk ka përfunduar, megjithatë ka mënyra të ndryshme për ta lexuar. Nëse do të fillojmë nga deklaratat më të fundit të Kurtit dhe Vuçiç, për atë çka ‘trembej’ edhe perëndimi, në këtë krizë të dy liderët, me retorikën e tyre, nuk përjashtonin edhe konfliktin. Përdorimi i kësaj retorike duket se vërteton atë që shpreh John  Stoesinger në librin e tij të  famshëm ‘Përse kombet shkojnë në luftë’, ku pas analizës së shkaqeve të luftrave në 100 vitet e fundit, autori shprehet se ‘..nuk shkojnë kombet në luftë, por liderët e tyre i dërgojnë ato në luftë  duke zgjedhur  kohën  dhe motivin ..’.  Edhe norvegjezi Johan Galtung, autor i 176 librave, ideatori i OSBE, mediatori i mbi 100 konflikteve dhe krijues i termit ‘peace building’ në librin e tij  ‘Trekëndëshi  i konfliktit’ gjithashtu veçon  rolin e liderëve autoritar  në krizat/konfliktet e hapura.

Në dinamikën e krizës …–  Nëse dëshironi vërtetë të merrni një përgjigje të kësaj dileme lexoni  esenë e famshme ‘Parabola e krizës’ të austriakut  Friedrich Glasl.  Ndoshta i ndikuar nga Dante Alighieri,  me rrathët e  ferrit edhe  Glasl e  konfiguron  krizën në nëntë nivele, duke nisur me të  parën ‘…dallime dhe zhgënjime midis palëve..’ e nivel pas niveli duke u fundosur në të  nëntën  me dëshirën e çmendur për luftë  ‘sëbashku drejt humnerës..’

Në këtë kontekst,  kriza në veri të Kosovës, shpejt rrëshqiti në  pesë nivele,  ku në mënyrë dramatike  liderët, turbullt, kuptuan që  po hynin në nivelin e gjashtë te ‘…humbja e fytyrës…’ para publikut të vet dhe ndërkombëtarëve. Me përdorimin e  ‘…taktikave të rrezikshme…’ në mënyrë të çalltisur këta liderë, vështirë se e kuptuan që kishin hyrë në nivelin e shtatë, ku të  çalltisur nisën përdorimin e  ‘…taktikave të rrezikshme…’. Ndoshta ky ishte momenti vendimtar, kur perëndimi parandjeu që të dy liderët, të inspiruar më tepër prej egos së tyre,  po e çonin krizën në paradhomën e konfliktit (niveli tetë)  dhe me ‘shkop e karotë’   nuk ju lanë asnjë hapësirë të dy palëve për  lojë lufte.

Për inerci të dyja palët,  me skenarë të dështuar, por edhe me objektiva diametralisht të kundërta  nuk po ndaleshin drejt   katapultimit  në dy nivelet e tjera të krizës,  në të tetën ‘..gati për t’ju vërsulur e copëtuar kundërshtarin…’ dhe në të fundit, në të nëntën ‘..sëbashku drejt humnerës…’. Kriza gjithmonë e më tepër po merrte pamjen e një krize lidershipi….

Një ditë pas së djeshmes. Kriza është komplekse në të gjitha nivelet e brëndëshme dhe përtej kufijve. Ky kontekst jep hapësirë për ta analizuar edhe në elementë të vecantë të saj. Me synimin se prej cdo krize më së paku, mund të mësojmë, është e vwshtirw pwr tw prekur mjaft tipare si : skenarët, mënyrën e lojës së aktorëve, strategjitë e tyre,  kapacitetet dhe  instrumentet e fuqisë dhe raportet me aktorët gjeopolitike.

Dominimi në strategji… Strategjia është ura që të shpie nga kapacitetet e fuqisë tek interesat strategjike. Mungesa e strategjisë është dërrmuese aq sa është edhe një strategji megalomane.   Çdo veprim pa strategji është zhurmë, është  lëvizje pa orientim thotë Alvin Toffler në ‘ Vala e Tretë- një studim klasik për të ardhmen’- duke vazhduar që  është rruga më e mundshme të bëhesh pjesë e strategjisë së kundërshtarit.  Është e vështirë  të luash një ‘grand strategy’ kur kapacitetet e fuqisë dhe fusha e lojës  janë aq të limituara. Në këto kushte u duk që kriza që prej fillimit u zhyt në një ‘ferr taktik’, e kështu qartas pa pritur ndonjë rezultat afat-gjatë.

Nuk mund të thuhet i njëjti vlerësim për palën serbe. Konsekuent në strategjinë e vet, kjo krizë e stisur prej tyre (edhe më ndihmën e palës kosovare) mbeti brenda objektivave të tyre strategjik. Ndryshe nga Kosova, Serbia ruan  objektivat e vet strategjik, por ka modifikuar  të  gjithë lojën (taktikat plus instrumentet).  Ndryshe nga Kosova, me dinakërinë dhe pozicionin  shantazhues, shteti serb ka kuptuar që fati i lojës prej kohësh është zhvendosur në arenën ndërkombëtare, më tepër se kudo në perëndim.

Tashmë shteti serb, me gjithë makinerinë e vet,  mund të jetë i kënaqur se në këtë fazë, përfshirë edhe krizën po   arrin, më së paku, tre objektiva strategjikë: së pari manipulimin e  pamjes së vet,   ‘nga agresor  në viktimë’ askush në perëndim nuk ju kujton se ishte kjo Serbi që është sot si në gjithë 25 vitet e fundit, së dyti në denigrimin e themeleve të shtetit, moralit dhe historisë së luftës së krijimit të shtetit kosovar. Shihni sot, ku i gjithë zinxhirin komandues i luftës ndodhet  në qelitë e Hagës, me dosje nga bodrumet e Beogradit dhe së treti denigrimin/dobësimin aktual të Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke e paraqitur si një shtet artificial dhe problematik duke e  tërhequr atë në kurthe aq të sofistikuara, sa  që sfidojnë jo vetëm Kosovën, por  edhe aleatët më të mëdhenj perëndimor.

Kapacitetet dhe instrumentet e  fuqisë..  Vendet e Ballkanit, veçanërisht ato të Ballkanit Perëndimor, janë të gjithë vende të vegjël, me kapacitete modeste të fuqisë (së fortë) dhe me mundësi të pakufizuara për fuqi (të butë). Si të tilla këto vende mund të ndezin vatra zjarri për konflikte, mund të bëjnë konflikte me porosi (Proxy war),  por shumë pak mundësi  për ti zgjidhur ato. Në këtë këndvështrim ato nuk zotërojnë kapacitete për të shkuar në luftë edhe nëse liderët e tyre e motivojnë një angazhim të tillë.

..dhe peshën e aktorëve ndërkombëtarë…Në krizën aktuale të dy shtetet si Kosova dhe Serbia nuk kanë kapacitete të fuqisë së fortë në gjendje për tu angazhuar në një konflikt. Kjo nuk injoron disbalancën e fuqisë midis tyre.  Ndaj duket paradoksale demonstrimi i fuqisë së fortë nga të dy palët dhe akoma më ironike nën ombrellën e një gjigandi fuqie siç është NATO.  Ndoshta ky ishte kurthi më i helmatisur që  ngriti Serbia për  Kosovën. Janë efektet e gjoja përdorimit të ‘fuqisë së fortë’ shoqëruar me një gjuhë jo përherë të përshtatshme ato që dhanë efektin me bumerang për Kosovën që nga viti 2008. Në vend që Kosova të demonstronte fuqinë e butë: sjelljen dhe kulturën strategjike, seriozitetin në komunikimin me QUINT, lidershipin dhe veçanërisht luajalitetin  me SHBA, ajo ‘ra’ tërësisht në skenarin serb. Rezultatet dihen.

Në përfundim kriza në veri  ishte një provë mbijetese për Kosovën, efektet e saj ishin të rënda, por jo të pariparueshme. Kosova krijoi shumë më tepër histori se çfarë mund të tresë dhe mori shumë më tepër peshë se ç ‘mund të mbajë. Angazhimi i saj ishte përtej kapaciteteve të saj të fuqisë. Nëse do të nxirren mësime nga kjo krizë, ato mund të shërbejnë edhe si një bazë e mirë për të rigjetur pozicionin e vet gjeopolitik në zemër të perëndimit. Interesat kombëtare ndahen në disa kategori, por ato të mbijetesës janë vitale dhe nuk mund të barazohen me të tjerat. Vlerësimi i tyre kërkon sjellje, kulturë  dhe lidership strategjik, forcimin e kapaciteteve të fuqisë të fortë, por edhe maksimalisht të fuqisë së butë…

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

thuaje.com Thuaje.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.