OSBE: Gjykatat shqiptare, arritje në çështjet KOK. Transparenca dhe zvarritjet mbeten problem
Shqipëria po adreson me sukses shumë nga problematikat e vëna re në proceset gjyqësore në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE), me ndihmën edhe të Bashkimit Europian, publikoi të mërkurën rezultatet e Raportit Monitorues për Gjykatat e Ballkanit Perëndimor. Në rastin e Shqipërisë, raporti zbulon se një […]
Shqipëria po adreson me sukses shumë nga problematikat e vëna re në proceset gjyqësore në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE), me ndihmën edhe të Bashkimit Europian, publikoi të mërkurën rezultatet e Raportit Monitorues për Gjykatat e Ballkanit Perëndimor.
Në rastin e Shqipërisë, raporti zbulon se një sërë institucionesh të krijuara vitet e fundit, siç janë Prokuroria dhe Gjykatat e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kanë rritur cilësinë e hetimeve. Për këtë ka kontribuar edhe shtimi i personelit të hetuesve dhe ekspertëve financiarë.
“Pavarësisht sfidave, ka rritje të konsiderueshme të hetimeve në çështjet KOK të profilit të lartë, përfshirë çështjet e pastrimit të parave, duke treguar angazhimin e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të luftuar çështjet KOK,” thuhet në pjesën për Shqipërinë.
Rekomandimet e Raportit
Raporti rekomandon disa ndërhyrje në sistemin e drejtësisë dhe ndër kryesoret është pezullimi i afatit të paraburgimeve, për ta sjellë në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare.
“i. Në kuadrin afatshkurtër, Gjykata e Lartë duhet të nxjerrë një vendim unifikues që harmonizon praktikën dhe siguron pajtueshmërinë me standardet ndërkombëtare të procesit të rregullt ligjor.
ii. Në kuadrin afatgjatë, Kuvendi duhet të miratojë ndryshime në nenin 265 të Kodit të Procedurës Penale (KPP) për të shmangur paqartësitë ligjore në lidhje me pezullimin e afateve të paraburgimit për të bashkëpandehurit,” theksojnë raportuesit.
Një rekomandim jepet edhe për Këshillin e Lartë Gjyqësor, që duhet të përmirësojë transparencën ndaj publikut apo medies në një kohë më të shpejtë.
“Projekti ka vërejtur si problematikë mosinformimin nga ana e gjykatave, të publikut dhe medies rreth aktivitetit të GJKKO-ve në lidhje me publikimin e vendimeve, komunikimin me medien dhe dhënien e informacioneve të tjera të rëndësishme në çështje me interes publik,” thuhet në raport.
Për të rritur efikasitetin, Raporti i OSBE-së sugjeron autoritetet shqiptare të ndryshojnë metodikën e kategorizimit sipas rëndësisë të çështjeve të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Për shembull, si çështje korrupsioni identifikohen ato që përfshijnë krime të veçanta (si ryshfeti ose shpërdorimi i detyrës); si çështjet korrupsioni të nivelit të lartë identifikohen ato që janë në kompetencën lëndore të prokurorive të posaçme ose gjykatave të posaçme që merren me një grup më të ngushtë veprash korrupsioni. Megjithatë, kjo nuk është e besueshme për qëllime statistikore dhe nuk shërben si bazë për politikëbërjen,” veçon Raporti.
Zvarritja e gjyqeve dhe zgjidhja përmes gjobave
Kohëzgjatja e proceseve gjyqësore në çështjet KOK të nivelit të lartë dhe të mesëm shihet si një problem sistematik në Raport, për “shkak të mungesës së menaxhimit efektiv të çështjeve gjyqësore”. Gjithashtu për adresimin e këtij problemi, duke qenë se Projekti ka konstatuar si një ndër shkaqet e zvarritjes edhe mungesën e avokatëve, OSBE rekomandon që “të rritet pragu minimal i gjobave të zbatueshme për avokatët si masë ndëshkuese ndaj mungesës së pajustifikuar, siç parashikohet në nenin 350 (4) të KPP-së.”
Megjithëse neni 350 (4) i KPP-së i jep trupit gjykues mundësinë për t’i vendosur gjobë (nga 5.000 lekë (50 euro) në 100.000 lekë (1.000 euro) avokatit në fjalë nëse ai nuk paraqitet në seancë dhe nuk ka pengesa të arsyeshme, Projekti vëzhgoi se shumica e sanksioneve ishin më pranë pragut minimal të zbatueshëm (5.000 lekë ose afërsisht 50 euro).
“Gjatë konsultimeve me ekipin e projektit, gjyqtarët propozuan llogaritjen e masës së gjobave në bazë të një shumëfishimi të pagës minimale në fuqi, për të shmangur përditësimin e vazhdueshëm të dispozitave ligjore të zbatueshme,” thekson Raporti. /OSBE 1, 2
What's Your Reaction?