Kapiteni Ardit Peposhi u shpreh i lumtur për fitoren ndaj Dinamos si dhe deklaroi se nga ndeshja në ndeshje Erzeni do të jetë më i fortë.
“Në këtë fazë që është kampionati, është ende fillimi por na duhej një 3 pikësh se vinim pas disa ndeshjes që ne nuk kishim arritur të fitonim dhe ky 3 pikësh ishte i domosdoshëm për ne dhe fatmirësisht arritëm ta fitonim. Unë e di se njerëzit kanë dyshimet e tyre pas atyre që ndodhën në verë, jo do të vijë ai president jo një tjetër, por janë të njëjtët drejtues. Kemi marrë disa lojtarë të tjerë që janë me cilësi dhe kualitet dhe do jemi një kockë e fortë për çdo kundërshtar të Superligës.
Mendoj që pjesën e parë e dominuam totalisht, në pjesën e dytë ndodhi një rënie sepse disa lojtarë të rinj janë ende pa një fazë përgatitore të mirëfilltë dhe disa ndërrime që mund ti bënim në fazën ofensive ishin disi të limituar dhe kjo na detyroi që të ktheheshim mbrapa dhe të mbronim rezultatin sepse në kampionatin shqiptar në fund dihet që pikët kanë rëndësi. Kemi pësuar shumë gola, por kjo ndodhi sepse gjatë verës nuk kemi punuar shumë në fazën difensive, disa lojtarë kanë ardhur në momente të fundit dhe jemi turbulluar disi, por nga ndeshja në ndeshje do vijmë duke u përmirësuar edhe në aspektin difensiv”, deklaroi ai për “MCN TV”.