Peshqeshet e vendit të vogël
Nga Çapajev Gjokutaj Ulur në verandën e kafenesë ti po pi një kafe për qejfin tënd, kur ia beh tjetri dhe, pa çak pa bam, zbraz një karikator plot e përplot me sharje e shpifje, të tëra kundër teje. Të thotë se je i nxituar, je subjektiv e i cekët, se nuk kritikohet një spektakël […]
Nga Çapajev Gjokutaj
Ulur në verandën e kafenesë ti po pi një kafe për qejfin tënd, kur ia beh tjetri dhe, pa çak pa bam, zbraz një karikator plot e përplot me sharje e shpifje, të tëra kundër teje. Të thotë se je i nxituar, je subjektiv e i cekët, se nuk kritikohet një spektakël ndërkohë që konkuron në një festival dhe, andej nga fundi, vërvit edhe granatën groposëse: ‘Ku ta di unë se nuk të kanë paguar për të sharë shfaqjen tonë, që të fitojë rryshfetçiu?’. Si të mos mjaftonin të gjitha këto, nuk pranon as të dëgjojë reagimin tënd, por ngrihet e ikën me nxitimin e atentatorit.
Ky që po pinte kafe dhe në fillim u akuzua për cektësi e subjektivizëm, pastaj edhe për mercenarizëm dhe në fund ‘u ekzekutua’ pa gjyq, nuk është dokushdo, po Josif Papagjoni, njeri nga studjuesit dhe kritikët më seriozë të skenës dhe të ekranit, një njeri që pasionin e lindur për artin e ka ndjekur çap pas çapi në dekada dhe, me kalimin e kohës, e ka kthyer në mision intelektual e qytetar.
‘Ekzekutimin në verandë’ e bën të ditur vet profesor Josifi me një status që poston për miqtë e tij në fejsbuk. Poshtë reshtave lexuesi ndjen se akuzat e kanë lënduar, vetëm se nuk e jep veten, nuk merr revansh, po përpiqet t’i grishë miqtë jo në tifozllëqe të tipit ‘kush e lagu dhe kush s’e lagu’, po në meditime për gjëra të një interesit më të përgjithshëm.
2.
Kështu psh flet për faktin se shumicën e herëve diskutimet për vepra letrare e artistike i ngjajnë një keku të sheqerosur, kullojnë lavdërime e hosana dhe të ngjan vetja sikur s’je mes intelektualësh, po hera të ka hedhur në ndonjë qokë katundi.
Po kështu flet për hipokrizinë që përmbyt ambjentet e festivaleve, konkurseve, panaireve etj., kur në publik bëhen lavdrime e furça, kurse në kafene, mes miqsh e nën zë gjykohet troç; atje me maskë furçë, këtu pa maskë e me vështrim esëll.
Pastaj studjuesi kapet edhe me konceptin që gjatë konkurimeve duhen thënë vetëm lavdrime se ndryshe ndikohet juria, sikur lavdrimet nuk ndikuakan e sikur anëtarët e jurive të mos kishin shijet, gjykimet dhe personalitetin e tyre, po të ishin kalamaj tabula rasa.
Në fakt konkurset, festivalet, panairet etj. janë momente kur publiku ka vemendje të shtuar për krijimet artistike dhe rrjedhimisht janë edhe kohë shumë e volitshëm për të grishur publikun dhe për ta orientuar nga vlerat.
Këto e të tjera probleme prekte Josif Papagjoni në postimin e tij, po mua ma ka ënda t’i qasem ndodhisë që ai rrëfen edhe nga një tjetër rrafsh, disi më i gjerë, i hasur jo vetëm në ambjente artistike, por në të gjithë shoqërinë.
3.
Pse kur dikush analizon në publik një vepër a veprim tonin ose të të afërmve tanë biologjikë a politikë, kemi një prirje të tejhasur t’i turremi ad hominem, ta përbaltim e ta përgojojmë, në vend që të merremi me analizën që ai bën, me faktet që sjell e me argumentat që strukturon faqe të gjithëve?
Kjo pyetje, dmth pse u ikim ideve dhe i vërsulemi personit më kujton një ndodhi të mesviteve 1990, që ka marrë trajtë anekdotike. Hera e pruri që, në një drekë mbledhjeje, ministri shqiptar i punëve të jashtme
të ndodhej përballë homologut indian. Ky i fundit, kur mori vesh se Shqipëria s’kishte veçse tre milionë banorë, me buzëqeshje e ton babaxhani ia ktheu: Vetëm tre milionë!? Pse s’thua që ndërhyrjet dhe trysnitë të lënë pa gjumë gjysmën e natës?!
Duket paradoksale: ai që kishte përballë një miliardë indianë i qante hallin këtij që duhej të përballej me ndërhyrjet dhe trysnitë e tre milionë shqiptarëve. Vetkuptohet se në kësi rastesh ndryshimin nuk e bën kombësia, po sasia. Njeri vepronte përballë një miliardë njerëzish, numër që krijon distancë, ndaj në perceptimin e tyre shfaqej si funksion, si simbol, kurse tjetri shfaqej para tre milionë të tijve jo vetëm si funksion, por edhe si njeri që mund të arrihej e të ndikohej në lidhje të shkurtëra fisnore, krahinore, klanore, partiake etj.
Në rastin tonë hapsirës gjeografike e demografike i shtohet dhe një zhvillim ekonomik rakitik si dhe një kulturë e dobët demokratike, ndaj gjithçka bëhet më e ngushtë e më asfiksuese, sidomos për konkurencën dhe meritokracinë. Në rrethana të tilla sulmet ad hominem rezultojnë shumë më frytdhënëse se diskutimet për vlera, ide e alternativa. Dhe baltosja e tjetrit bëhet profesion kombtar.
Mbase në ambjente artistike, si ato që përmend Josif Papagjoni në postimin e tij, këto dukuri shfaqen më me pohë e më me bujë se artistët, si rregull janë më pasionantë e më emocionalë dhe kurdoherë vaji i tepërt synon të shuajë kandilin.
What's Your Reaction?