Politika në dyert e SPAK-ut

Zhegu i korrikut ia la vendin shumë shpejt një muaji po aq të nxehtë në temperatura, por që për politikën shqiptare nuk duket i tillë. Me fjalë të tjera, gushti i këtij viti ka gjasa të futet në histori si muaji që do fusë ethet politikës shqiptare. Edhe pse ka shtatë ditë që ka hyrë […]

Gusht 7, 2023 - 10:20
 0
Politika në dyert e SPAK-ut
Reklamë
Reklamë

Zhegu i korrikut ia la vendin shumë shpejt një muaji po aq të nxehtë në temperatura, por që për politikën shqiptare nuk duket i tillë. Me fjalë të tjera, gushti i këtij viti ka gjasa të futet në histori si muaji që do fusë ethet politikës shqiptare. Edhe pse ka shtatë ditë që ka hyrë ai që dikur quhej muaji i pushimeve absolute, për politikanët tani quhet muaji i etheve absolute. Aradha e politikanëve që marrin në dorë një letër në zarf me dërgues nga SPAK ku shkruhet se duhet të paraqiten te godina hijerëndë është e gjatë. Skenat live për secilin që paraqitet është e njëjtë: Televizionet informative ndërpresin rrjedhën e programacionit, nxjerrin me titra “Breaking news”, dhe menjëherë gazetari i stacionuar përpara SPAK raporton live se x deputet, apo x politikan, sapo kaloi pragun. Të gjithë para një dyzinë kamerash mundohen të mos e japin veten. Dikush ecën me hap në dukje i qetë. Dikush buzëqesh fals. Dikush u thotë disa fjalë reporterëve që u kanë zënë pritë që vetëm ata i kuptojnë. Dhe, dikush ngatërron derën e hyrjes duke lënë përshtypjen e një të tremburi në ekstrem. Kur dalin pas pesë apo gjashtë orëve, duken më të zymtë, më të frikësuar dhe më të paaftë për të folur. Përsëri reporterët e “pritës” u duken si prokurorë të SPAK dhe u shmangen rrebeshit të pyetjeve të tyre. Një syresh e justifikon këtë me mosnxjerrje të sekretit hetimor dhe duke bërë humor falas.

Me ironi, humor dhe sarkazëm therëse në rrjete sociale gëlojnë barsaletat me këtë temë dhe hit-i i verës është bërë ajo kur një politikan i njohur pyeti se kur i bëjnë pushimet prokurorët e SPAK.

Në media gazetarët që mbulojnë këtë institucion ose kanë në kokë ose kanë hartuar lista me ministra, ish-ministra, deputetë, ish-deputetë, drejtorë dhe ish-drejtorë që pjestarët e BKH do shtrëngojnë prangat në kyçet e duarve të tyre. Sigurisht që në këto lista ka edhe kapërcime, por një gjë është e sigurtë që për politikanët ky do jetë muaji më i trazuar në historinë 33-vjeçare të pluralizmit shqiptar.

Reklamë
Reklamë

Kurrë nuk kishte ndodhur që një institucion i drejtësisë të kthehej në makth pë politikanët. Kurrë nuk kishte ndodhur më parë që ustallarët e marifeteve tu ndërpriteshin linjat e komunikimit me njerëzit e drejtësisë dhe kurrë nuk kishte ndodhur që politika dhe drejtësia të ishin kaq larg njëra- tjetrës. Kurrë nuk kishte ndodhur që drejtësia të ketë agjendë komplet tjetër nga politika dhe kurrë nuk kishte ndodhur që politikanët të ndjeheshin kaq të pafuqishëm përballë drejtësisë.

MAZHORANCA DHE SPAK

Që në mazhorancë nuk ka qetësi kjo nuk vihet në dyshim. Lista e atyre që aktualisht janë në poste ekzekutive dhe atyre që kanë qenë dikur është tejet e gjatë. Lajmi më i rëndësishëm është që askush nuk ndjehet i sigurtë. Dikur merrej si poezi e “shefit të madh” kur në fjalimet e stërgjata, mes të tjerave deklaronte se “ai socialist që ka punë me SPAK, duhet të marrë avokat, sepse PS nuk e mbron”, tashmë ka kuptimin e vërtetë. Asnjë nuk ka patur fuqi të ndikojë në të gjitha arrestimet ndaj skuadriljes socialiste që aktualisht ndodhet në burg dhe një takëm aty në PS dëshpërimisht anatemojnë SPAK duke thënë se janë arrestuar pa arsye sepse nuk kanë bërë ndonjë gjë të madhe. Apo teza tjetër se PS ndjehet e tradhëtuar nga SPAK-u që e krijuan ata me votë, derisa ka goditur vetëm majtas dhe asnjëherë djathtas. Por harrojnë socialistët se një prokuror profesionist nuk nxitet nga emocionet por nga faktet. Nuk nxitet nga pasionet por nga ligji. Nuk ndikohet fare nga emri i atij që ndodhet në dosje por nga parimi se përpara ligjit të gjithë janë të barabartë. Rrjedhimisht, PS duhet të kuptojë se vërtetë ka meritën e themelimit të drejtësidë së re, por nga kjo drejtësi nuk do ishte imune. Prandaj gushti do jetë i ftohtë për disa, ndryshe nga temperaturat e ajrit dhe pushimet për ata që kanë futur duart në paratë e shtetit pritet të mos jenë të qeta. Për ti kuptuar akoma më shumë, vrojtoni disa që nuk guxojnë të dalin në publik. Janë gati të transformohen në të padukshëm, vetëm e vetëm që të mos i shikoj kush në rrugë.

OPOZITA DHE SPAK

Edhe vetë opozita nuk e kishte besuar se SPAK do ta dridhte krejt mazhorancë dhe do bëhej makthi i saj. Por rrjedhimisht kjo nuk do të thotë se opozita është e larë. Janë po aq çështje të nxehta në duart e prokurorëve të SPAK që presin ekzekutime urdhrash dhe kjo i ka bërë konfuzë disa eksponentë aty. Deri dje ata e quanin SPAK, vegël në duart e Edi Ramës, tani përshëndesin arrestimet dhe goditjet. Deri dje, deklaronin se SPAK merrte urdhër nga Partia Socialiste për çdo veprim, ndërsa tani shprehen se SPAK po u vjen hakut socialistëve. Madje se qeveria do rrëzohet falë arrestimeve në masë të shumë eksponentëve të qeverisjes. Nisur nga ky kapërcim në qendrim Partia Demokratike duhet të pozicionohet qartë në raport me këtë institucion. Së pari, PD duhet të bëjë një falje publike pë baltën e hedhur ndaj këtij institucioni dhe prokurorëve të saj. Së dyti, duhet të deklarohet në mbështetje të punës dhe mbarëvajtjes së këtij institucioni. Së treti, duhet të deklarohet se për çdo çështje hetimore të SPAK, PD nuk do ta politizojë dhe nuk do ta marrë në mbrojtje politikanin që do vihet nën akuzë. Së katërti, duhet të mbajë qendrim parimor për çdo rast dhe jo të bëjë politikë për çdo goditje deri në marrje në mbrojtje të socialistëve që i godet SPAK. I njëjti personazh si Arben Ahmetaj vizatohej deri dje më i korruptuari dhe më i urryeri, tani PD kthehet në mbrojtës duke i bërë avokatinë për çdo detaj që del nga dosja. Kjo nuk është fare parimore dhe krijon në opinion publik humbje të thellë besimi. Të marrësh në mbrojtje personazhin më të kërkuar të SPAK dhe që është në top listën e Interpolit do të thotë të kesh njl problem të madh. Megjithatë duhet thënë se opozita vetë nuk është vënë ende në provë të madhe nga ana e SPAK. Se si do sillet ajo me SPAK do duket kur ky institucion të arrestojë politikanë të së djathtës. Atëherë opinioni do shikojë dhe do kuptojë nëse PD dhe opozita e ka seriozisht dhe parimore luftën ndaj korrupsionit. Nëse do marrë në mbrojtje ata që do godasë SPAK ky do ishte një dështim i politikës opozitare. Në të kundërt, kredencialet e saj do rriteshin. Nga raportet që politika jonë ka me drejtësinë del një aksiomë që e kërkojnë të gjithë. Politika shqiptare ka nevojë të pastrohet si majtas dhe djathtas. As njëri e as tjetri nuk janë engjëj. Dhe këtë mund ta bëjë vetëm SPAK.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

thuaje.com Thuaje.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.