Prapaskenat/ Pse e shkarkoi Qeveria serbe kryetarin e Preshevës, Shqiprim Arifi?
Një krizë politike shpërtheu sërish në një komunë në jug të Serbisë të banuar me shumicë shqiptare. Deri në zgjedhjet lokale, Presheva do të menaxhohet nga Autoriteti i Përkohshëm i emëruar nga Qeveria e Serbisë, pasi e shpërndau Kuvendin lokal. Me shpërndarjen e Kuvendit i ka përfunduar mandati edhe kryetarit të komunës dhe anëtarëve të […]
Një krizë politike shpërtheu sërish në një komunë në jug të Serbisë të banuar me shumicë shqiptare. Deri në zgjedhjet lokale, Presheva do të menaxhohet nga Autoriteti i Përkohshëm i emëruar nga Qeveria e Serbisë, pasi e shpërndau Kuvendin lokal. Me shpërndarjen e Kuvendit i ka përfunduar mandati edhe kryetarit të komunës dhe anëtarëve të tjerë të pushtetit lokal. Kryetari i fundit i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka akuzuar autoritetet në Beograd për largim “të dhunshëm” dhe diskriminim të shqiptarëve.
“Mënyra e zgjedhjes së Autoritetit të Përkohshëm është krejtësisht e paligjshme dhe antikushtetuese”, thuhet në përgjigjen me shkrim të kabinetit të Shqiprim Arifit për Radion Evropa e Lirë (REL). Partia Alternativa për Ndryshim, nga e cila vjen Arifi, kishte shumicën në Kuvendin komunal të Preshevës, i cili ka gjithsej 38 delegatë. Nga ana tjetër, Ragmi Mustafa, i cili është emëruar nga Qeveria e Serbisë për kryetar të Autoritetit të Përkohshëm, thotë se Kuvendi vendor nuk është mbledhur që nga korriku i vitit 2023 dhe se kjo ka qenë arsyeja e shpërbërjes së tij. “Koalicioni i mëparshëm i mbledhur rreth Alternativës për Ndryshim të Shqiprim Arifit e humbi shumicën në Kuvend dhe për nëntë muaj nuk mund të thërrasë asnjë seancë”, tha Ragmi Mustafa për Radion Evropa e Lirë. Ai është kreu i Partisë Demokratike të Shqiptarëve (PDSH), e cila ishte e dyta më e madhe në Kuvendin lokal.
Kjo është hera e tretë që Qeveria e Serbisë emëron Autoritetin e Përkohshëm për të udhëhequr Preshevën në shtatë vjetët e fundit. Gjatë këtyre shtatë vjetëve këto do të jenë zgjedhjet e katërta lokale. Votimi duhet të mbahet më 2 qershor, kur përveç Beogradit, duhet të votohet në më shumë se 80 qytete dhe komuna. Komuna e Preshevës ka më shumë se 33.000 banorë dhe në të jetojnë gjysma e 61.000 shqiptarëve të regjistruar sipas regjistrimit të fundit në Serbi. Ata janë të përfaqësuar edhe në Bujanoc dhe Medvegjë, dy komuna në jug që janë pjesë e asaj që njihet si Lugina e Preshevës. Në vitet e fundit, Alternativa për Ndryshim e Shqiprim Arifit dhe Partia për Veprim Demokratik e Shaip Kamberit, aktualisht përfaqësuesi i vetëm shqiptar në parlamentin republikan, kanë qenë në pushtet në Preshevë.
Çfarë vendosi Qeveria e Serbisë?
Në vendimin për shpërndarjen e Kuvendit të Preshevës, të miratuar më 18 prill, Qeveria e Serbisë iu referua nenit të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, ku thuhet se kuvendi lokal mund të shpërndahet nëse nuk mblidhet më shumë se tre muaj. Me vendim të Qeverisë janë emëruar pesë anëtarë të Autoritetit të Përkohshëm, ndërsa ligji urdhëron që përfaqësuesit e partive të përfaqësuara në Kuvendin e shpërndarë të zgjidhen “duke pasur parasysh përbërjen politike dhe kombëtare”.
Përveç kryetarit Ragmi Mustafa, në atë trup janë edhe Tefik Bajrami nga PDSH-ja, kryetari i Lëvizjes për Reforma Sami Salihu, Shkëmbim Veliu nga Partia për Veprim Demokratik dhe Branko Trajkoviq nga Partia Progresive Serbe (SNS). Në Kuvendin e shpërbërë të Preshevës, 36 delegatë ishin nga partitë shqiptare dhe dy nga koalicioni i udhëhequr nga Partia Progresive Serbe. Zyra e ish-kryetarit të komunës, Shqiprim Arifi, ka akuzuar këshilltarët nga Partia Progresive se nuk janë paraqitur në seancën e fundit të Kuvendit të paraparë në muajin tetor “pa kurrfarë njoftimi apo shpjegimi”, pas së cilës Alternativa për Ndryshim e ka humbur shumicën. Branko Trajkoviç nga SNS-ja nuk ishte i qasshëm për koment për REL-in deri në publikimin e këtij tekstit – pra, pse nuk e përkrahën pushtetin e kaluar në Preshevë? Ragmi Mustafa thekson se pyetja për Beogradin zyrtar është pse nuk është formuar më herët Autoriteti i Përkohshëm. “Nuk kemi mundur të ndikojmë më shumë se sa t’u tregojmë ambasadave dhe ministrit të Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale se nevojitet shpallja e zgjedhjeve dhe shpërndarja e Kuvendit”, shton ai.
Pse u shpërnda Kuvendi tani?
Qeveria e Serbisë, Ministria e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale dhe Trupi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nuk iu përgjigjën akuzave të Shqiprim Arifit për “largimin e paligjshëm dhe të dhunshëm” nga pozita e kreut të Preshevës dhe diskriminimin ndaj shqiptarëve. Pyetja se pse u prit formimi i Autoritetit të Përkohshëm është gjithashtu pa përgjigje. “Do të ishte e vështirë të thuash se ajo komunë është jashtë syve të Beogradit, nëse tashmë ekziston një Trup Koordinues qeveritar për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Ai organ fillimisht duhet të ngrejë alarmin se gjërat nuk janë në rregull dhe se qeverisja nuk është duke funksionuar”, thotë Aleksandar Popov nga Qendra për Rajonalizëm.
Trupi koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është themeluar më shumë se 20 vjet më parë, pas konfliktit të policisë dhe ushtrisë me Ushtrinë Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇMB). Konfliktet shpërthyen pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës në qershor të vitit 1999, e cila i dha fund luftës në Kosovë. Përleshjet e armatosura në jug të Serbisë zgjatën deri në maj të vitit 2001. Trupi koordinues është dashur të ndihmojë në qetësimin e tensioneve ndëretnike dhe normalizimin e jetës në Luginën e Preshevës. Akti themelues parashikon që shteti të fokusohet në fuqizimin e përshpejtuar ekonomik dhe integrimin politik dhe social në të tri komunat.
Mosmarrëveshjet mes partive shqiptare
Për shkarkimin e tij, përveç autoriteteve në Beograd, Shqiprim Arifi fajësoi edhe disa përfaqësues politikë shqiptarë në Luginën e Preshevës. Në një postim në Facebook të datës 20 prill, ai i akuzoi ata se u bënë “një vegël e lehtë për (presidentin serb Aleksandar) Vuçiqin dhe Serbinë për të realizuar agjendën e tij antishqiptare”. Ragmi Mustafa i quan “demagogji dhe trillime” akuzat e Arifit ndaj përfaqësuesve politikë shqiptarë.
“Kur emërohet nga pushteti në Beograd është krejt normale dhe kur nuk emërohet, bën akuza dhe goditje absolutisht të ulëta ndaj politikanëve të tjerë”, thotë Mustafa. Qeveria e Serbisë kishte emëruar Autoritetin e Përkohshëm në Preshevë në vitin 2017 dhe 2020 dhe më pas në krye të tij u emërua Shqiprim Arifi. Partitë që përbëjnë Kuvendin Komunal kanë të drejtë t’i propozojnë Qeverisë kandidatët e tyre për Autoritetin e Përkohshëm. Alternativa për Ndryshim e Arifit, siç thuhet në përgjigjen për REL-in, këtë herë ka refuzuar.
“Për shkak se asgjë nuk po kalonte në rrugë zyrtare, emrat (e kandidatëve) janë kërkuar përmes Viberit në mënyrë urgjente. Ministria kompetente nuk ka marrë pjesë fare, ndryshe nga hera e fundit kur janë drejtuar me shkrim dhe kanë dhënë afat ligjor që secila palë të propozojë një emër për Autoritetin e Përkohshëm”, shton kjo parti.
Për shkak të mosmarrëveshjeve mes partive politike shqiptare, pushteti lokal në Preshevë ka disa vite që është i paqëndrueshëm, kujton Aleksandar Popov nga Qendra për Rajonalizëm. “Konflikti mes Shqiprim Arifit dhe politikanëve të tjerë shqiptarë ka kohë që po vazhdon. Arifi konsiderohej një politikan që ka marrëdhënie të mira me Beogradin. Natyrisht, tani ka pasur një përmbysje”, shtoi ai.
Popov, gjithashtu, thekson se “politika e vjetër” e Beogradit është të krijojë mosmarrëveshje midis përfaqësuesve politikë të një komuniteti. “Nuk do të habitesha sikur të kishte nga ato lojëra, të futej grimca e sherrit në mesin e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve, të përkeqësohej gjendja në atë vetëqeverisje lokale (Preshevë), nëse nuk kishte harmoni dhe performancë të përbashkët të përfaqësuesve të shqiptarëve në jug”, thekson Popov.
“Kërcënimet e Vuçiçit”
Shqiprim Arifi në një postim në Facebook më 20 prill ka thënë se shkarkimi i tij ka ardhur pas “kërcënimit të fundit publik të Vuçiqit”. Më 14 prill, presidenti i Serbisë njoftoi se kushdo që shkel rendin kushtetues të vendit do të “arrestohet dhe do të ndiqet penalisht”. “Të gjithë ju që e shkelni rendin kushtetues të Serbisë, të gjithë ju që merrni pjesë në të në çfarëdo mënyre, me protesta, demonstrata, në çfarëdo mënyre – do të përgjigjeni për të, do të përgjigjen të gjithë shqiptarët që marrin pjesë në të “, tha Vuçiç. Tri ditë më vonë, më 17 prill, zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës Dejan Jankoviç dhe katër policë të Kosovës u ndaluan në pikat kufitare me Serbinë.
Policia serbe ka bërë të ditur se ata janë dërguar në mbajtje për “kontroll sigurie”. Jankoviç u ndalua deri në 48 orë, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Jankoviç ishte në paraburgim nën “akuzat për përmbysje të rendit kushtetues të Serbisë”. Më 17 prill, sipas autoriteteve të Kosovës, Serbia ka mbajtur mbi 1400 shtetas të Kosovës në pikat kufitare për më shumë se 20 orë. Qeveria e Kosovës i cilësoi këto veprime si hakmarrje të Serbisë për mbështetjen që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës dha për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Serbia i mohoi këto akuza, duke thënë se vonesat në kufi janë shkaktuar nga masat shtesë të sigurisë dhe se lëvizja e qytetarëve të Kosovës “nuk është e kufizuar”. Bashkimi Evropian dhe Departamenti Amerikan i Shtetit reaguan ndaj arrestimeve. Departamenti i Shtetit i bëri thirrje Serbisë që të përmbahet nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara dhe të respektojë plotësisht marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Ndëshkimi për vendosjen e flamurit shqiptar
Shqiprim Arifi e lidhi shkarkimin e tij me vendimin e gjykatës në Vranjë, e cila e urdhëroi atë dhe partinë Alternativa për Ndryshim të paguajnë një gjobë prej 470 eurosh për vendosjen e flamurit shqiptar në objektin e partisë në Bujanoc më 27 nëntor 2022, një ditë para përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në vendim thuhej se ai dhe partia e tij janë shpallur fajtorë pasi më 27 nëntor 2022 “kanë shfaqur flamurin e një shteti të huaj, Shqipërisë, dhe nuk e kanë shfaqur flamurin e Serbisë”. Me këtë, tha gjykata, Arifi dhe partia e tij kanë shkelur ligjin që rregullon përdorimin e flamurit dhe simboleve të tjera kombëtare të Serbisë.
Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj as pyetjeve të REL-it për akuzat e Arifit. Nuk është hera e parë që përfaqësues politikë të shqiptarëve dënohen për vendosjen e flamurit shqiptar.
“Neglizhimi i Beogradit”
Autoritetet serbe kanë nënshkruar tri marrëveshje për integrimin e shqiptarëve të Luginës së Preshevës në institucionet shtetërore të Serbisë në vitin 2001, 2009 dhe 2013. Ato lidhen kryesisht me ushtrimin e të drejtave kolektive dhe integrimin e vazhdueshëm në institucione si policia, gjyqësori dhe arsimi. Mirëpo, shqiptarët nga jugu shpesh e kanë akuzuar Beogradin zyrtar për shkelje të të drejtave të tyre – për shembull, për mungesën e teksteve në gjuhën shqipe ose për pasivimin e adresave, pra fshirjen e qytetarëve nga adresa ku ishin regjistruar.
“Ka kohë që ka pakënaqësi me qëndrimin e autoriteteve në Beograd ndaj shqiptarëve, se mbretëron pakujdesia, se zhvillimi nuk merret parasysh”, shton Popov. Në zgjedhjet të Republikës të dhjetorit 2023, shqiptarët u shfaqën në dy kolona. Partia për Veprim Demokratik e udhëhequr nga Shaip Kamberi ka kaluar pragun zgjedhor dhe ka fituar një mandat, ndërsa lista e udhëhequr nga Shqiprim Arifi ka mbetur pa përfaqësues në Kuvendin e Serbisë. Asnjë pakice kombëtare nuk i garantohet mandati parlamentar, por ata kanë një prag përqindjeje më të ulët në zgjedhje, gjë që i lejon ata të hyjnë më lehtë në Kuvend. Sipas të dhënave të regjistrimit, shqiptarët janë pakica e katërt sipas madhësisë në Serbi./rel
What's Your Reaction?