Sa më shumë politikanët në Tv, aq më shumë ka korrupsion

Nga Ben Andoni Shumica e ministrave të qeverisë Rama i sheh sistematikisht në televizion. Në fakt, ritual i njohur, pasi ashtu bënin dhe paraardhësit e tyre me në krye Berishën. Edhe për aktivitetin më të vogël, që është detyrë organike e dikasterit, titullarët do të jenë protagonistë, paçka se kjo është detyrim që ata duhet […]

Gusht 5, 2023 - 15:31
 0
Sa më shumë politikanët në Tv, aq më shumë ka korrupsion
Reklamë
Reklamë

Nga Ben Andoni

Shumica e ministrave të qeverisë Rama i sheh sistematikisht në televizion. Në fakt, ritual i njohur, pasi ashtu bënin dhe paraardhësit e tyre me në krye Berishën. Edhe për aktivitetin më të vogël, që është detyrë organike e dikasterit, titullarët do të jenë protagonistë, paçka se kjo është detyrim që ata duhet ta përmbushin në kuadër të angazhimeve. Ditën e fundit të këtij sesioni në parlament, para pak ditësh, ndërsa debatet e ashpra pozitë-opozitë nuk reshtnin, kryeministri Rama me zv\kryeministren Balluku në sedilen e një makinë të hapur tregonin një rrugë të re! Një ironi e thellë me parlamentin dhe funksionet e tij. Sikur, e gjitha kjo, të mos jepej thjesht edhe më ndihmën e një droni, pa pjesëmarrjen e tyre. Edhe qytetari më i thjeshtë do të pyeste: A nuk është detyrë ndaj publikut kjo dhe pse duhet të jenë protagonistë në çdo çast?!

Nuk ka ditë që ministri i ri i Brendshëm Balla të mos dalë dhe të pozojë me vartësit e tij, kudo nëpër Shqipëri. Duket sikur Shqipëria për herë të parë po krijon një dikaster të tillë. Nga një qytet në një qytet tjetër, Balla viziton dhe pozon duke mbajtur fjalën e rastit nga një institucion në një tjetër, sikur ky të jetë shqetësimi i vetëm dhe i patrazuar i publikut shqiptar. Ndërkohë, kundravajtjet, vrasjet dhe parregullsitë nuk është se do kenë ndryshim aq të madh nga paraardhësi i tij. Dhe, ai para tij. Ministrja e Bujqësisë pas pezullimit të fondeve nga strukturat evropiane bëhet edhe më e dukshme për publikun. Teksa, do të mjaftonte, rasti fatkeq i aktorit Fuga, që publiku të familjarizohesh për një nga mungesat më të mëdha të sistemit tonë shëndetësor, lidhur me skemat e financimit. Ku për hir të së vërtetës, Shqipëria ka ndërtuar një model financimi të sistemit shëndetësor, i cili nuk duket se financon siç duhet pacientin apo mjekun, por u jep jetë më shumë tenderave dhe korrupsionit. Paratë që fondi i sigurimeve shëndetësore mbledh nga qytetarët si kontribute duhet të kenë një përfitim për ta. Por ministrja jonë Manastirliu del vetëm në inaugurime dhe na është prononcuar të gjithë kohën e verës sesi tashmë u kemi dalë përballë problemeve të turistëve me vapën. A nuk do mjaftonin zëdhënësve apo statistikat, ta mbaronin këtë punë?! Lista është e gjatë dhe pafund.

Reklamë
Reklamë

Edhe një herë: Po a nuk është detyra e gjithë këtyre ministrave që të drejtojnë dhe ta bëjnë këtë punë dhe të shfaqen gjithnjë e më pak në tv? A është e mundur që ata të ingranohen më shumë në probleme reale dhe të bëjnë politika sesi t’u shërbejnë më mirë qytetarëve? Rasti i ish-zv\kryeministrit Ahmetaj dhe korrupsioni që po i mvishet tregon se një pjesë e ministrave tanë show e kanë si mjet edhe për të treguar diferencën e llogaridhënies me publikun. E më shumë se kaq dobinë e shumësisë së ligjeve që krijohen e krijohen pafund në mënyrë që politikanët të gjejnë mbrojtje, kurse publiku të humbi në xhunglën e tyre. Ndaj, ndodh, që duhen raste si ai i aktorit Fuga, apo vrasje dhe rrahje si ajo e fisit të deputetit socialist në Krujë, që të zbulohen zinxhirë problemesh në shoqërinë tonë. “Sa më i korruptuar të jetë shteti, aq më të shumtë janë ligjet”, shkruante dikur Taciti në “Analet e Romës Perandorake”. Ne mund ta përkthenim të interpretuar kështu: Sa më shumë dalin politikanët në tv, aq më shumë korrupsion dhe probleme ka në një vend. Dhe, rasti i Shqipërisë e tregon hapur këtë postulat. (Javanews)

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

thuaje.com Thuaje.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.