Sartori dhe “mashtrimi politik” i demokracisë sonë
Nga Ben Andoni Që nga thirrjet e para të njerëzve në fillimvitet ’90, mes të cilave më e njohura ishte dhe mbeti “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ka kaluar shumë kohë. Shqipëria është në udhën e anëtarësimit në BE, pasi ka mbaruar procesin e screen dhe, tashmë pret nisjen e procesit për hapjen e […]
Nga Ben Andoni
Që nga thirrjet e para të njerëzve në fillimvitet ’90, mes të cilave më e njohura ishte dhe mbeti “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ka kaluar shumë kohë. Shqipëria është në udhën e anëtarësimit në BE, pasi ka mbaruar procesin e screen dhe, tashmë pret nisjen e procesit për hapjen e kapitujve, një udhë e gjatë me sfida dhe mbi të gjitha përafrimesh të ligjeve të saj me vendet e tjera anëtare.
Cilido nga liderët kryesorë te vendit në drejtim, qoftë Nano, Berisha dhe së fundmi Rama, në kuadër të këtij rrugëtimi u shprehën dhe tashmë kryeministri vazhdon të pohojë për arritjet tona dhe mbi të gjitha: sovranitetin popullor. Pushteti i takon sovranit, e dëgjon gati në çdo panel diskutimi të politikanëve. Strukturën ‘popull; e kanë përdorur e vazhdojnë ta pohojnë të gjithë dhe ndoshta është i vetmi moment, ku primatët e shtetit shqiptar bashkohen në një të tërë: “dhënien” e pushtetit njerëzve. Ky lloj idealizmi, që nuk i ka rrënjët këtu në këtë kohë, por tek bjerrja në kohë e demokracisë. Shqipëria po shërben si një shembull, ashtu si vendet e tjera të Lindjes, se ku po shkon demokracia ideale. Jo më kot, si të kurdisur njësoj, konceptet e barazisë, vetëqeverisjes dhe sovranitetit popullor i dëgjon në artikulimin e çdo politikani, që merret me zhvillimet në vend. Ndodh, jo pak herë, kur i pyet për projektimet reale të këtyre koncepteve të japin përgjigje teorike të saktë, por asnjëherë atë të duhurën praktike: Pse nuk ndodh kështu në terren?!
Nëse këto koncepte do të zbatoheshin si duhet ne do të ishim në demokraci, sepse tek e fundit ato koncepte janë plotësuese të njëra-tjetrës. “Kur thua se populli është sovran, nënkuptohet një sovranitet i barabartë i individëve që e përbëjnë. Dhe populli është i tillë, apo gjithnjë e më i tillë, sa më shumë të vetëqeveriset. Më tej: nëse të gjithë janë njësoj sovranë, atëherë secilit i takon një pushtet i barabartë; dhe nga pushteti i barabartë mund të arrihet te barazia e përgjithshme”, shpjegonte politologu i njohur Giovanni Sartori, tek “Ç’është demokracia” (botuar edhe në shqip).
Po çfarë është sovraniteti popullor, që përdoret më shumë? Dhe, pse e dëgjojmë kaq shumë? Përgjigjen e ke sërish te teoricieni i mësipërm ku shpjegohet se ka një parim legjitimiteti, kurse barazia sepse ka ligje që veprojnë njësoj, shtuar edhe me faktin se ka votë të siguruar dhe të barabartë. Nëse do të pyesësh PD-në për zgjedhjet e fundit, ajo ka një dosje të tërë, që e quan “Dosja e zezë”, ku ka të rreshtuar të gjithë shkeljet, që nuk i provon dot ‘askush’. Madje, edhe ato që ne i konsiderojmë si ligje të barabarta për të gjithë. Ashtu si dosja e Dibrës dhe Durrësit nuk e dhanë askurrë një përgjigje të saktë, përveç disa penalizimeve se zgjedhjet patën dhe probleme. Kohë më parë këtë e bënte PS-ja kundër PD-së, pa përmendur akuzat e vazhdueshme ndaj LSI-së (Sot PL).
A është ky realizëm në terren një zhgënjim për demokracinë e sotme në Shqipëri? “Sikurse ka një realizëm të keq, ka, në skajin tjetër, një idealizëm të keq: perfeksionizmi. Të dy skajet i japin forcë njëri-tjetrit, shprehet Sartori tek i njëjti syth në kapitullin IV të librit,-realizmi i keq ushqen, si kundërveprim, perfeksionizmin dhe, anasjelltas, perfeksionizmi cyt polemikën realiste”. Pse kuptohen keq këto koncepte dhe ku është dallimi i idealeve të ashtuquajtura të mira dhe të këqija? Le ta sqarojmë me mëndjen e Sartorit: “Perfeksionizmi ka kuptimin e një mënyre te gabuar të kuptimit dhe të përdorimit të tyre”.
Teoricienët janë marrë shumë me idealet, kurse Sartori ka shpjeguar përpjekjen për të përcaktuar pse një ideal është i arrirë, kurse një stad tjetër ka qenë se: çfarë është në të vërtetë vetë ideali dhe funksionimi i tyre. Dallimi i madh mes koncepteve të idealit nuk i prish punë politikanëve demagogë. Dhe, i ashtuquajturi perfeksionisti e zgjidh çdo gjë duke e lartësuar idealin. “Këmba e tij rri përherë mbi pedalin e gazit. Dhe, përfundon në atë pikë që nuk i kontrollon dot idealet që kërkon të çojë përpara”, sqaron me metaforë Sartori.
Po pse kemi kaq shumë ‘perfeksionistë’ në Shqipëri dhe pse u besojmë kaq verbazi? Pasi tani nuk ka më të pamundura, ashtu si justifikimi që gjërat ideale nuk i pengojnë politikanët të na kthejnë në realitet. Tek e fundit, idealet nuk janë të destinuara të kthehen në fakte. Dhe të përpiqesh për realitetin është një gjë por të bësh diçka reale është gjë tjetër (Ibid). Sot, nuk ka një përgjigje nga pushtetarët (jo specialistët e ekonomisë) pse Shqipëria dhe Kosova mbeten dy vendet më të varfra, paçka premtimeve të politikanëve dhe narrativave që u ngritën me premisa reale, se vendet tona janë shumë të pasura. Dhe, idealet që na paraqesin sot politikanët, kur janë në pushtet apo mëtuesit e tyre janë si forcë goditëse: vecc sulmojnë. Dhe, sulmojnë aq më shumë, sa më shumë ta teprojnë e të teprohen. Ky ideal është i destinuar të mos ia dalë në krye. A është ky rasti i Shqipërisë? Po. Dhe, jo vetëm. Pak kohë më parë, në një vëzhgim në të gjithë vendet e Lindjes shikohej kthimi i frikshëm i nostalgjisë komuniste në të gjitha vendet tona. Shqipëria nuk bënte dallim. Zhgënjimi me demokracinë dhe mënyrën e zbatimit të saj ka marrë përmasa, që politikanët mundohen t’i fshijnë me çdo kusht. Jo vetëm braktisja e votimeve, indiferenca publike, neveria ndaj politikës dhe shndërrimi i politikës të trandin.
“Çështja është se ideali në nisje është i ndryshëm nga ideali në mbërritje; se i pari nuk është krijuar për ‘t’u bërë fakt’; dhe se i dyti, sa më shumë shndërrohet nga një ideal kundërshtues në një ideal të aftë për zbatim, aq më shumë ‘ia del në krye’”, shprehet Sartori (Ibid).
Vetë autori, që u mbështetëm për këtë shkrim, u ruajt nga fjala demagogji dhe këtë e shpreh me atë kufirin e ngushtë që ndan demagogjinë dhe perfeksionizmin. Por, edhe këtu e ka një sens, pasi perfeksionizmi është zakonisht gabim që kryhet nga intelektualë, kurse demagogjia është llogaria mirëfilli cinike. Demagogut nuk ke se çfarë t’i bësh. Në Shqipëri ai ka trajtën e heroit (rasti gati patologjik i Berishës në majë të ballkonit, kurse përsiatjet kilometrike të Ramës etiketohen si modele retorike!), në Kosovë ngrenë dhe shtatore (si ndodhi ditët e fundit me Albin Kurtin) dhe e vetmja gjë është t’ia zbulosh fytyrën dhe ta etiketosh si të tillë. Ajo, që mbetet është që publiku duhet të bëjë vetë diferencën, sepse demagogun nuk e dënon dot. Aman, niveli i shkollës dhe informacioni negativ sot nuk na ndihmojnë. “Mashtrimi politik” mbetet ligjërisht i pandëshkuar dhe madje jo pak herë demagogu del përfitues. Është publiku, që vërtetë mund të ndikohet, por jo të gënjehet dhe mbi të gjitha t’i kushtojmë vëmendje asaj që na mësonte Sartori se është “perfeksionisti ai që ia shton kredibilitetin demagogut, ndaj është e rëndësishme të kemi mendjen nga perfeksionizmi”. Tek e fundit, politikanët do vazhdojnë të na shesin tym, ashtu si na kujtojnë gjithnjë kinse dhe idealin e ’90 “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”…por në realitet jo si Evropa. (Homo Albanicus)
What's Your Reaction?