Shkup:Siljanovska-Pendarovski përballen në raundin e dytë
Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut kanë votuar 48.46% e elektoratit. Nga rezultatet
Sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut kanë votuar 48.46% e elektoratit. Nga rezultatet e KSHZ, kandidatja e partisë opozitare VMRO-DPMNE Gordana Siljanovska-Davkova po prin bindshëm në garën për të kreun e shtetit.
Kandidatja e mbështetur nga VMRO-DPMNE Gordana Davkova në fjalimin e saj falënderoi qytetarët dhe ekipin për suksesin e arritur në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Siç tha ajo, rezultati për të është shumë frymëzues dhe premton realizimin e angazhimeve të premtuara. “Ky rezultat është tepër frymëzues për mua, nuk kam fjalë të shpreh mirënjohjen time. Nuk mendoj se jam e veçantë në shumë gjëra, vetëm e di që atë që premtoj do ta bëj në mënyrën time. Ju siguroj për këtë”, ka thënë Davkova.
Pendarovski: Fillojmë nga zero
Kandidati për president i koalicionit për Ardhmëri Evropiane, presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pandarovski shkon në raundin e dytë, por me ngecje të dukshme në numrin e votave të fitura kundrejt kandidates së opozitës Davkova. Pendarovski ka deklaruar, se gara vazhdon dhe se që nesër do të fillojë të prezantoj konceptin e tij.
“Fillojmë nga zero, fillojmë nga fillimi dhe në këto 20 ditë do të promovoj konceptin tim në të cilin besoj thellë. Inkurajoj qytetarët të cilët sot nuk dolën në këtë raund të zgjedhjeve, i inkurajoj që të dalin dhe të votojnë më 8 maj, ku pres një jehonë dhe më të madhe të votuesve”, ka deklaruar Pendarovski.
Osmani: Fronti evropian shënoi fitore të thellë
Fronti Evropian nën drejtimin e Bashkimit Demokratik për Integrim garoi me Bujar Osmanin, i cili sipas rezultateve është i treti. Në paraqitjen e tij të parë ai deklaroi, se fitorja e tij kundrejt kandidatit të VLEN-it është shumë e thellë, sipas tij diku mbi 40 mijë vota.
“Kemi shënuar fitore në çdo komunë të vendit Haraçinë, Vrapçishtë, Studeniçanë, Likovë, Bogovinjë, Zhelinë, Gazi Babë, Resnjë, Strugë, Ohër dhe fitore në Tetovë, Saraj, Manastir, fitore në Gostivar, Kumanovë në Çair, gjithandej në Republikë, fitore e thellë e Frontit Evropian”, ka deklaruar Osmani.
Kasami: Koalicioni VLEN fitues legjitim
Kandidati i opozitës së bashkuar shqiptare që përbën koalicionin VLEN, Arben Taravari renditet i katërti për nga numri i votave të fituara. Bilall Kasami në konferencën e shtypit akuzoi BDI për blerje të votave duke thënë, se VLEN është fitues legjitim në këto zgjedhje. Ai shtoi se VLEN në zgjedhjet e 8 majit do të fitojë.
“Fitues jemi ne nga koalicioni VLEN. VLEN fitoi votat e shqiptarëve. BDI-ja ka humbur legjitimitetin”, ka deklaruar Kasami.
Disa kandidatë pranuan humbjen
Kandidati i GROM Stevçe Jakimovski ka shënuar humbje të thellë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale: “Unë pranoj humbjen në këto zgjedhje presidenciale dhe njëkohësisht i uroj fitore në raundin e dytë Gordana Siljanovska Davkova”, u shpreh Jakimovski.
Biljana Vankovska kandidate e partisë “E Majta” po ashtu ka përjetuar humbje të thellë: “Ende jemi në nivel kur flasim për atë se kur nuk ka parregullësi më të mëdha, ne jemi të lumtur dhe se dita ka kaluar e qetë. Mbetet të analizohen parregullsitë, të cilat janë vërejtur më herët për çka edhe e “Majta” do të ketë qëndrim”, është shprehur Vankovska.
Pjesë e garës zgjedhore ishte edhe Maksim Dimitrievski, i cili ka shënuar rezultat solid në këto zgjedhje presidenciale.
Në raundin e dytë kalojnë dy kandidatët me më së shumti vota, ndërsa fitues zgjidhet kandidati që fiton mbi 50 për qind të votave, me kusht që në zgjedhje të dalin mbi 40 për qind e elektoratit.
Ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Angela Ageler, përmes një mesazhi në rrjetet sociale tha se qytetarët duhet të zgjedhin kandidatin që reflekton pritshmërinë e tyre për të ardhmen e vendit. “Ata duhet të dalin atje dhe të zgjedhin kandidatin që reflekton ëndrrat e tyre për të ardhmen. Dilni në votime pasi asgjë nuk do të arrihet duke mos votuar”, ka shkruar Ageler.
Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski njoftoi, se në nivel të shtetit janë evidentuar 12 raste të fotografimit të fletëvotimit, dy raste të grisjes së fletëvotimit, 6 denoncime për ofrim të ryshfetit dhe 15 denoncime për agjitim. Në përgjithësi ai vlerëson se dita e votimit ka kaluar në atmosferë të qetë, të sigurtë dhe demokratike./DW/
What's Your Reaction?