Shtëpia e Bardhë: Rusia ka siguruar një armë shqetësuese antisatelitore
Shtëpia e Bardhë e ka konfirmuar publikisht të enjten se Rusia e ka siguruar një armë “shqetësuese” antisatelitore, por tha se ajo nuk
Shtëpia e Bardhë e ka konfirmuar publikisht të enjten se Rusia e ka siguruar një armë “shqetësuese” antisatelitore, por tha se ajo nuk mund t’i shkaktojë “shkatërrim të drejtpërdrejtë fizik” Tokës.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë të dhënat se Rusia e ka siguruar këtë armë, por shtoi se një armë e tillë nuk është ende funksionale.
Zyrtarët amerikanë janë duke i analizuar të dhënat që i kanë siguruar për këtë armë të re teknologjike dhe janë konsultuar me aleatët dhe partnerët e vet për këtë çështje.
“Së pari, kjo nuk është një armë aktive dhe, megjithëse përpjekjet e Rusisë për ta pasur këtë armë specifike janë shqetësuese, ajo nuk përbën rrezik të menjëhershëm për sigurinë e të tjerëve”, tha Kirby.
“Ne nuk po flasim për një armë e cila mund të përdoret për t’i sulmuar njerëzit, apo për të shkaktuar dëme fizike në Tokë”, shtoi ai.
Rusia i ka hedhur poshtë shqetësimet e SHBA-së për këtë armë.
Në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i përshkroi raportimet për armën e re të Rusisë si mashtrim për ta bërë Kongresin amerikan të mbështet projektligjin për ndihmë për Ukrainën, shkruan REL.
“Është e qartë se Uashingtoni po tenton ta detyrojë Kongresin të votojë për projektligjin për ndihmë në çdo mënyrë”, tha Peskov.
“Ta shohim se çfarë mashtrimi do të përdorë Shtëpia e Bardhë”, shtoi ai.
Kjo armë është me bazë në hapësirë dhe do ta shkelte traktatin e hapësirës ndërkombëtare, të cilin e kanë nënshkruar më shumë se 130 vende, përfshirë Rusia.
Shtëpia e Bardhë tha se do të kërkojë të bisedojë me rusë drejtpërdrejt për këtë çështje.
What's Your Reaction?