Stabilizimi i kursit të këmbimit, Ministri i Financave takohet me Guvernatorin e BSH
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, zhvilloi një takim me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ku u diskutua mbi zhvillimet e fundit ekonomike, bashkëpunimin mes dy institucioneve, si edhe pritshmëritë për të ardhmen. Ministri Mete dhe Guvernatori Sejko vlerësuan se ekonomia e vendit ka treguar qëndrueshmëri në përballjen me goditjet e njëpasnjëshme, […]
Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Ervin Mete, zhvilloi një takim me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ku u diskutua mbi zhvillimet e fundit ekonomike, bashkëpunimin mes dy institucioneve, si edhe pritshmëritë për të ardhmen.
Ministri Mete dhe Guvernatori Sejko vlerësuan se ekonomia e vendit ka treguar qëndrueshmëri në përballjen me goditjet e njëpasnjëshme, që nga tërmeti, pandemia dhe kriza e energjisë si pasojë e luftës në Ukrainë.
Pavarësisht situatës jo të favorshme globale, ata vlerësuan se parashikimet e fundit vazhdojnë të mbeten pozitive për rritjen ekonomike në periudhën afatmesme. Sektori i shërbimeve, turizmit dhe ndërtimit kanë luajtur rol kyç në rritjen ekonomike.
Mësohet se çështje të tjera diskutimi në takim ishin ecuria dhe masat për stabilizimin e kursit të këmbimit, nxitja e kreditimit, avancimi me sistemin e pagesave, etj.
Gjithashtu, Ministri dhe Guvernatori biseduan lidhur me thellimin e bashkëpunimit dhe koordinimit institucional edhe në kuadër të Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar (GKSF), me synim dakordësimin e një plani të përbashkët veprimi. Me këtë rast u vlerësua qëndrueshmëria e sistemit financiar që ka përmirësuar ndjeshëm treguesit cilësorë dhe sasiorë.
Ministri theksoi rëndësinë e përshpejtimit të investimeve publike për të stimuluar më tej zhvillimin ekonomik të vendit. “Tregu i punës vazhdon të mbetet i fortë, me papunësinë në nivele më të ulëta historike dhe punësimin e pjesëmarrjen në rritje. Politika fiskale mbetet e kujdesshme për uljen e rreziqeve të financimit dhe prioritizimin e shpenzimeve publike me impakt për vendin.
Palët diskutuan mbi pritshmëritë në lidhje me inflacionin dhe efektet e tij në ekonomi, si edhe parashikimet e Bankës së Shqipërisë për kthimin e inflacionit në nivelet e synuara nga politika monetare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave.
What's Your Reaction?