Tare flet pa “doreza”, tregon pse u largua nga Lacio dhe çfarë pret nga Shqipëria në Europian

Ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare, Igli Tare ka rrëfyer për herë të parë arsyet e largimit të tij nga Lacio, por dhe çfarë pret

Dhjetor 11, 2023 - 17:30
 0
Tare flet pa “doreza”, tregon pse u largua nga Lacio dhe çfarë pret nga Shqipëria në Europian
Reklamë
Reklamë

Ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare, Igli Tare ka rrëfyer për herë të parë arsyet e largimit të tij nga Lacio, por dhe çfarë pret nga Shqipëria në kampionatin Europian.

Në Intervistën për “Corriere Dello Sport”, ai ka paralajmëruar italianët se ekipi i Silvinjos është rritur shumë në vitet e fundit.

“Tani udhëtoj shumë, studioj, përditësoj njohuritë me ngjarjet, pasi nëse nuk e bën, rrezikon të mbetesh mbrapa e të mos e kuptosh më botën e futbollit. Pasi vetëm kështu mund të zbulosh kush është më i miri, kush është më përpara. Anglia me Premier Ligën, qartësisht, por edhe Gjermani. Përtej Bajern Mynih, ajo që ka bërë Bajer Leverkusen është e pabesueshme, një trajner i madh, Çabi Alonso, një klub shumë i organizuar, infrastruktura të jashtëzakonshme”, tha fillimisht ai, para se t’i kthehej largimit nga Lacio.

Reklamë
Reklamë

A u largova për shkak të Sarrit? Absolutisht jo. Është shkruar shumë mbi këtë çështje, por nuk është kështu, kam folur me Lotiton, pas 18 viteve kishte ardhur koha që të ndaheshim në mënyrë civile, pa krisje. Do të kishte qenë e pafalshme për të gjithë. Lacio mbetet në zemrën time. Por kisha nevojë të shihja përreth, të studioja, të njihja realitete të tjera.

Sarri nuk ka lidhje. Ai është një integralist, është e vërtetë, është një person që do të bëjë gjërat në mënyrën e tij, është karakteristikë e tij. Por kush e merr, e di, nuk mund ta ndryshojë. Unë nuk jam zënë kurrë me të, nuk është e lehtë, ka një mënyrë të tijën të perceptimit të futbollit dhe punës. Edhe Lotito i ngjan, një president me karakter shumë të fortë. Me raste kam bërë rrufepritësin, është pjesë e punës së një drejtuesi sportiv të mirë, por martesa ime me Lacion kishte mbërritur në fund. Sarri nuk ka të bëjë. Pas kaq shumë vitesh, ndjen nevojën të shohësh botë të tjera.Ofertë nga Napoli? Nuk kam dëgjuar asnjë, ndaj përgjigja ime është jo. Pastaj në futboll mund të ndodhë gjithçka në një moment, shihni atë që ka ndodhur në kombëtare. Mançini që është larguar dhe Spaleti që erdhi. Bota jonë është e shpejtë, në evoluim të vazhdueshëm. Kanë lidhje ofertat ekonomike, qartësisht, por edhe projektet e një klubi. Unë po pres ofertën e duhur”, tha ai duke përmendur më pas një person me të cilin kishte punuar për shumë vite, Simone Inzagin.

Tare theksoi se nuk ishte çuditur nga ajo që po bënte trajneri në drejtimin e Interit. “Absolutisht jo. Ai ishte i destinuar, gjithë ditën duke studiuar futbollin, është normale që do të përmirësohej, E ka bërë me përulësi dhe përkushtim dhe tani është një trajner i kompletuar. E meriton”, theksoi Tare i cili në fund u ndal te përballja e EURO 2024 mes Shqipërisë dhe Italisë.

“Me kë do jem tifoz? Treçerek me Shqipërinë, çerek me Italinë. Pasi lidhja që kemi ne shqiptarët me vendin tuaj është shumë e fortë. Do ta shihni, atë ditë do të jenë 80 mijë persona që do të këndojnë “Himnin e Mamelit”, edhe shqiptarët. Ka ndodhur në Xhenova 9 vite më parë. Me Italinë na lidh një raport që është i vështirë për t’u shpjeguar, aq i thellë dhe i rrënjosur është. Por pastaj kujdes, kjo Kombëtare e jona po rritet shumë dhe për Italinë nuk do të jetë një ndeshje e lehtë. Por Spaleti është i aftë, e di mirë. Nuk do të befasohet. Ai nuk bën gabim mendjemadhësie”, tha Tare në intervistën e tij.

What's Your Reaction?

like

dislike

love

funny

angry

sad

wow

thuaje.com Thuaje.com mbetet zgjedhja e parë për një lexues i cili kërkon të informohet me saktësi për një lajm. Misioni jonë kryesor është paanshëmëria dhe profesionalizmi dhe për këtë janë të punësuar gazetarët më të mirë në tregun mediatik.