Vazhdimi i berishizmit pa Berishën
Nga Mero Baze Të hënën kemi shansin të shijojmë berishizmin pa Berishën. Është një eksperiment social i rrallë, që tregon se si reagojnë qënie të skllavëruara prej tij, pa atë prezent, por të qartë që po i vëzhgon. Një lloj big brother, ku vëllai i madh është në ballkon dhe aktorët në sallë të parlamentit, […]
Nga Mero Baze
Të hënën kemi shansin të shijojmë berishizmin pa Berishën. Është një eksperiment social i rrallë, që tregon se si reagojnë qënie të skllavëruara prej tij, pa atë prezent, por të qartë që po i vëzhgon. Një lloj big brother, ku vëllai i madh është në ballkon dhe aktorët në sallë të parlamentit, apo rrugicë.
Secili ka atë mënyrën e vet për ta shprehur berishizmin e vet.
Flamuri e ka seancën e vazhdimësisë, që do të thotë se ai do të vazhdojë të zbatojë metodat e Berishës pa Berishën prezent. Do të fusë flakadanët, do t’ia japë një prej grave deputete të grupit të Berishës, do përmbysë karriget dhe pastaj do ndez flakadanin. Në momentin që do të lexohet emri i Blend Gonxhes do ndezë një tymuese të fortë, për të bërë diferencën.
Gazmend Bardhi po ashtu do tu kujtojë të gjithëve se nuk ka lëvizur sërish po vazhdon të jetë me Berishën kundër Lulit, derisa Edi Rama ta njohë si kryetar grupi parlamentar të opozitës. Pastaj flasim.
Tabaku Gjekmarkaj, Shehu, etj, do vazhdojnë të rrijnë “as me Pashën as me Beun”, për t’i treguar Berishës se nuk ndikon mungesa e tij në ndryshimin e qëndrimit.
Deputetët e Partisë së Lirisë do të vazhdojnë të heshtin, si për të shtuar enigmën e mesazheve të koduar të Ilir Metës, që sot postoi një video me rosa tek liqeni.
20 demokratët që kanë dezhurnin në darkë tek Rrugica e Pallatit, do ti shikojnë të gjitha këto dhe do shkojnë aty krenar që ëndrra e Doktorit është e gjallë dhe nuk vdes kurrë edhe pse ai është i izoluar.
Dhe kjo do të vazhdojë gjatë deri në 30 qershor, kur Berisha humbet mandatin e deputetit. Pastaj do të fillojë një periudhë e re edhe më besnike ndaj tij nga deputetët, pasi ai do të fillojë të mendojë të bëjë listat e vitit 2025, ku vetë nuk do të jetë as deputet dhe do t’i duhen më besnikët. Dhe ata duhen zgjedhur në varësi të sjelljeve të tyre këto kohë që ai mungon por vëzhgon.
Ndaj më 2025, ne do kemi ajkën e berishizmit të opozitës në listat për deputetë. Nga ata që nuk do ta tradhtojnë Doktorin dhe nëse ai përfundon fizikisht në burg apo varr.
Koha për të dhënë prova për këtë fillon prej nesër. Është epoka e berishizmit pa Berishën. Siç ishte epoka e Enverizmit pa Enverin, e cila brenda 5 viteve, bëri qesharak diktatorin më të egër të Evropes.
Berishës do t’i duhet shumë herë më pak për tu bërë qesharak. Por në fillim do bëj qesharak këta që i shkojnë pas.
What's Your Reaction?