Vettingu/ Shkarkohet kunata e Mirel Mërtirit. Probleme dhe në të tre kriteret e rivlerësimit
Pasi gjeti probleme në të tre kriteret e rivlerësimit dhe vuri në dukje se lidhjet financiare mes Mariola Mërtirit e bashkëshortit dhe personave pas aferës së inceneratorëve Mirel Mërtiri e Stela Gugallja cënonin besimin e publikut te drejtësia, Kolegji njoftoi shkarkimin e saj nga detyra. Nga Vladimir Karaj Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të hënën […]
Pasi gjeti probleme në të tre kriteret e rivlerësimit dhe vuri në dukje se lidhjet financiare mes Mariola Mërtirit e bashkëshortit dhe personave pas aferës së inceneratorëve Mirel Mërtiri e Stela Gugallja cënonin besimin e publikut te drejtësia, Kolegji njoftoi shkarkimin e saj nga detyra.
Nga Vladimir Karaj
Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi të hënën vendimin për shkarkimin e prokurores Mariola Mërtiri duke vënë në dukje probleme në të tre kriteret, që sipas trupës gjykuese çonin në përfundimin se ajo nuk ishte e përshtatshme për të vijuar detyrën.
Trupa e kryesuar nga Ina Rama, me anëtar Rezarta Schuetz, Sokol Çomo, Albana Shtylla dhe Mimoza Tasi arsyetoi ndër të tjera se Mërtiri kishte mungesë burimesh të ligjshme në kriterin e pasurisë dhe se ishte në shkelje të legjislacionit sa i përket përfitimit të një apartamenti me kredi të butë.
Trupa arsyetoi se shkelje ishte edhe shitja e këtij apartamenti dhe fakti që nuk ishin deklaruar aksionet e bashkëshortit në një kompani. Sipas Kolegjit Mërtiri kishte probleme edhe sa i përket kriterit të figurës.
KPA arsyetoi ndër të tjera se mos deklarimi në formular i marrëdhënies me një person të dënuar tek i cili ishte blerë apartamenti, përbënte shkelje. Sipas Kolegjit fakti që Mërtiri kishte dhënë dorëheqjen nga një çështje me këtë person, e bënte jo bindëse arsyet pse ajo nuk e kishte deklaruar këtë marrëdhënie.
KPA gjeti probleme edhe në çështjet e hetuara nga prokurorja dhe vlerësoi në tërësi se ajo “cënonte besimin e publikut te drejtësia”.
Mariola Mërtiri u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me shumicë votash më 21 dhjetor 2022. Relatori i çështjes, Roland Ilia dhe anëtarja Pamela Qirko arritën në konkluzionin se problemet e gjetura ishin sqaruar dhe se Mërtiri kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit. Në pakicë, kryesuesja e trupës Etleda Çiftja arsyetoi se, ndërsa veç e veç problemet e gjetura nuk ishin të mjaftueshme për të sjellë shkarkimin, të marra së bashku ato çonin në shkarkimin e Mërtirit, me argumentin se “subjekti i rivlerësimit dështoi të kalonte testin e mos cënimit të besimit të publikut”.
Vëzhguesit ndërkombëtarë kërkuan rihetim të subjektit dhe gjetjet e tyre ishin elementët kyçë në seancën publike që u zhvillua KPK. Në rekomandim, vëzhguesit evidentuan se shumica në KPK dështoi të kryente hetim të plotë dhe po ashtu edhe të arsyetojë apo argumentojë vendimin e saj për të konfirmuar Mërtirin. Bazuar në këtë rekomandim, Komisionerja Publike, Irena Nino ushtroi ankim në Kolegj duke kërkuar shkarkimin e Mërtirit.
What's Your Reaction?