VMRO prin në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut
Kandidatja e partisë opozitare, Gordana Silanovska-Davkova, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në Maqedoninë e Veriut më 8 maj, përderisa kundërkandidati
Kandidatja e partisë opozitare, Gordana Silanovska-Davkova, shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në Maqedoninë e Veriut më 8 maj, përderisa kundërkandidati i saj, Stevo Pendarovski, pranoi humbjen.
Më 8 maj, Maqedonia e Veriut mbajti zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, në të cilat të drejtë vote kishin 1.8 milion qytetarë.
Sipas rezultateve paraprake të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Davkova ka fituar mbi 65 për qind të votave, ndërkaq Pendarovski ka arritur të marrë rreth 30 për qind të votave.
Bazuar në rezultatet e KSHZ-së për Davkovkën kanë votuar mbi 65 për qind e votuesve ndërsa Pendarovski ka arritur të merr rreth 30 për qind të votave.
VMRO-ja po ashtu po prin në zgjedhjet parlamentare, që po ashtu u mbajtën të mërkurën.
“Qytetarët bënë zgjedhjen e duhur. Duhet të përpiqemi t’i japim fund vullkanizimit, të ndihmojmë njëri-tjetrin. Do të bëj gjithçka për të mbrojtur interesat shtetërore dhe kombëtare”, tha ajo në adresimin e parë pas zgjedhjeve.
Presidenti aktual, Stevo Pendarovski, ndërkaq, tha se rezultatet janë të qarta, duke i uruar fitoren kundërkandidates së tij.
“Koncepti im për një Maqedoni multietnike, plotësisht të integruar në strukturat euroatlantike, fatkeqësisht nuk mori mbështetjen e shumicës nga qytetarët. Megjithatë, jam thellësisht i bindur se vetëm një Maqedoni e tillë mund të jetë një shtet i begatë dhe demokratik”, tha Pendarovski.
Dalja në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ishte 46.31 për qind e trupit votues.
Sa i përket zgjedhjeve parlamentare, sipas rezultateve paraprake, VMRO po udhëheq e me rreth 40 për qind të votave të fituara.
Në vend të dytë është radhitur Fronti Evropian që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) me rreth 17 për qind të votave, ndërsa në vend të tretë radhitet koalicioni i opozitës shqiptare VLEN, i cili ka fituar mbi 14 për qind të votave.
Koalicioni i udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate, që aktualisht është në pushtet, radhitet në vendin e katërt me mbi 13 për qind të votave.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dalja në zgjedhjet parlamentare ishte 53.15 për qind, ndërsa qytetarët votuan për 17 parti dhe koalicione të cilat garonin për deputetë të Parlamentit të ri prej 120 ulëseve.
Në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, që u mbajt më 24 prill, Davkova udhëhoqi bindshëm me një diferencë prej 20 për qind të votave në krahasim me kundërkandidatin e saj socialdemokrat Pendarovski.
VMRO DPMNE-ja në paraqitjen e parë pas mbylljes së vendvotimeve në orën 19:00 tha se “të mërkurën ka dështuar skenari i Bashkimit Demokratik për Integrim [BDI] për dështimin e zgjedhjeve presidenciale”.
Timço Musunski nga VMRO-ja tha “fituese e zgjedhjeve është VMRO DPMNE-ja ndërsa BDI-ja do të shkojë në opozitë”.
Zëdhënësi i shtabit zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, tha se procesi zgjedhor ka qenë demokratik dhe se fitues i zgjedhjes është Fronti Evropian që udhëhiqej nga BDI-ja.
Zëdhënësja e Lidhjes Social Demokrate, që aktualisht është në pushtet, Bogdanka Kuzeska tha se zgjedhdjet “ishin të suksesshme, paqësore dhe dinjitoze, siç i ka hije një vendi anëtar të NATO-s dhe një vendi që ka filluar negociatat me Bashkimin Evropian”.
Procesi zgjedhor u zhvillua në 3.480 vendvotime, ndërsa mbarëvajtja e tyre u monitorua nga 1.300 vëzhgues vendorë dhe 860 të huaj.
“Misioni i ODIHR-së do të shpallë rezultatet fillestare të vëzhgimit ditën e enjte. Ne do t’i shqyrtojmë rezultatet e tjera kur ato vijnë nga i gjithë vendi dhe më pas do të nxjerrim përfundimet tona bazuar në vëzhgimet e dhëna nga vëzhguesit tanë të shumtë”, ka deklaruar më herët gjatë 8 majit shefja e misionit të ODIHR-së, Jilian Stirk.
Këto ishin zgjedhjet e para të dyfishta që u mbajtën në Maqedoninë e Veriut që nga vendosja e demokracisë në vitet ‘90.
Në garën për Parlamentin e ri morën pjesë 17 parti dhe koalicione. Beteja kryesore u zhvillua mes VMRO DPMNE-së dhe LSDM-së në kampin maqedonas, ndërsa në atë shqiptar mes Frontit Evropian, të kryesuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, dhe koalicionit opozitar VLEN.
Në radhët e Frontit Evropian garuan edhe pesë parti politike të bashkësive etnike turke, rome dhe boshnjake.
Zgjedhjet parlamentare u mbajtën me lista të mbyllura, sipas sistemit proporcional në gjashtë njësi zgjedhore dhe, në çdonjërën prej tyre, zgjidhen nga 20 deputetë.
Parlamenti i Maqedonisë së Veriut i ka 120 ulëse.
Beteja kryesore për partitë shqiptare pritet të jetë në njësitë zgjedhore një, dy dhe gjashtë, ku edhe jeton popullata shqiptare.
Ndërkaq, që zgjedhjet presidenciale të ishin të suksesshme, përveç se njëri nga dy kandidatët duhet t’i fitojë shumicën e votave të qytetarëve, sipas legjislacionit, duhet që dalja të jetë së paku 40 për qind.
Tani, Parlamenti duhet të mbajë seancën për inaugurimin e presidentit të ri të Republikës deri të dielën, më 12 maj.
Në këtë rast, seanca ceremoniale për inaugurimin e presidentit të ri do të mbahej nga deputetët në largim.
Mirëpo, sipas kryetarit të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), këto afate deri më 12 maj mund të respektohen vetëm pasi KSHZ-ja t’i ketë shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve presidenciale, përkatësisht nëse nuk ka ankesa për procesin zgjedhor.
“Kandidati për president që fiton zgjedhjet, duhet të bëjë një deklaratë solemne para Kuvendit dhe, sipas Kushtetutës, mund të bëhet edhe para përbërjes së vjetër parlamentare. Përbërja e vjetër parlamentare e ka një të drejtë të tillë, duke qenë se kemi edhe zgjedhje parlamentare. Pastaj, presidenti i ri do ta caktojë mandatin për të formuar një Qeveri të re”, thotë Novakovski.
Rezultatet përfundimtare të KSHZ-së zakonisht vijnë më shpejt nëse nuk ka ankesa nga kandidatët dhe partitë politike. Nëse ka kundërshtime, rezultatet përfundimtare publikohen pasi të jenë shterur të gjithë mekanizmat ligjorë për këtë rast.
Parlamenti i ri i Maqedonisë së Veriut duhet të konstituohet brenda 21 ditëve nga shpallja e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.
Zgjedhjet e të 8 majit janë të 11-at që nga shpallja e pavarësisë së vendit dhe zgjedhjet e shtata presidenciale në përgjithësi. Procesi zgjedhor zhvillohet në 3.480 vendvotime, ndërsa mbarëvajtja e tyre monitorohen nga 1.300 vëzhgues vendorë dhe 860 të huaj./REL
What's Your Reaction?