“Vulgaritet dhe..”/ Sociologu më i njohur në vend pyetet për “vipat e Big Brother”, ja përgjigja që jep
I kërkuam Prof. Tarifës të shprehë për gazetën DITA mendimin e tij për emisionin “Big Brother VIP”, që po transmetohet në Top Channel. Kuptuam se është një subjekt i papëlqyer për të, me të cilin nuk deshiron të humbasë kohë. Por sociologu dhe diplomati më i njohur në vend ka përkufizimin e tij për personat […]
I kërkuam Prof. Tarifës të shprehë për gazetën DITA mendimin e tij për emisionin “Big Brother VIP”, që po transmetohet në Top Channel. Kuptuam se është një subjekt i papëlqyer për të, me të cilin nuk deshiron të humbasë kohë.
Por sociologu dhe diplomati më i njohur në vend ka përkufizimin e tij për personat që këto lloj emisionesh ua servirin publikut si persona VIP. Për Tarifën janë persona krejt të parëndësishëm, pa asnjë ndikim real në jetën e shumicës së shqiptarëve.
Sidoqoftë, akademiku i njohur autorizoi të botojmë një shënim nga ditari i tij, shkruar në 13 prill të vitit të shkoi, për një tjetër “reality show” që tashmë është transmetuar në televizionin Klan. Për Prof. Tarifën, si njëri dhe tjetri janë njëlloj, pra “për’puthen” – u shpreh ai duke qeshur.
E botojmë më poshtë për herë të parë shënimin nga ditari i tij me pëlqimin e autorit.
—–
13 prill 2023 – Vulgaritet jetësor si “realitet artistik”
Mësova sot nga TV Klan se Shqipëria do u bashkohet 17 vendeve të BE-së dhe dy vendeve afrikane (Afrikës së Jugut dhe Nigerisë) me versionin e saj shqiptar të një tjetër “reality show”—Love Island.
Pse jo? Ketë show, britanik në origjinë, e kanë adoptuar edhe Shtetet e Bashkuara, Australia, Zelanda e Re dhe provinca frëngjishtfolëse e Kebekut në Kanada (L’île de l’amour). Ç’dallim kanë këto vende nga vendi ynë? A nuk jemi edhe ne, shqiptarët, qytetarë kozmopolitë të këtij planeti kaq të globalizuar.
Ne shquhemi për aftësitë tona si të majmunit për të imituar të tjerët. E kopjuam dhe vazhdojmë ta kemi një “Big Brother” (këtë herë me persona VIP, të cilët unë i konsideroj si persona krejt të parëndësishëm për shumicën e njerëzve). Por ishte pak. Ne duam më shumë. Ne s’ngopemi me shows që s’kanë asgjë të përbashkët ose të ngjashme me realitetin.
Shpikëm edhe një reality show tonin, puro shqiptar, që e quajtëm “Për’puthen”. Zgjati plot katër sezone dhe dhjetra mijëra gra, vajza e gjyshe, por edhe djem e burra, shumica të frustruar seksualisht, u mbërthyen pas ekranit të televizionit për të ndjekur mbi 490 episodet e atij show.
Tani po behemi gati të nisim një tjetër reality show franchise, që krijuesit anglezë e kanë quajtur “Love Island” dhe po kështu do ta quajmë edhe ne.
Shqiptarët do të kenë këtej e tutje një tjetër mundësi ta shohin realitetin e jetës së tyre në sy. Ballë për ballë me ekranin e televizorit. Realitetin e tyre siç është. Në një vilë luksoze buzë detit. Një jetë në mirëqenie, pa punë, plot dashuri dhe seks dhe pa andralla të tjera veç atyre që mund të shkaktojnë xhelozitë, pritshmëritë e papërmbushura dhe paaftësitë e çdo lloji.
Për kush e di se sa stinë dhe në sa episode dhjetra mijëra gra, vajza e gjyshe, por edhe djem e burra, do i mbërthejnë sytë pas ekranit të televizorit. Këtë herë jo në Top Channel, por në Klan.
Nëse kemi një “Big Brother”, nëse disa dhjetra njerëz “Për’puthen” dhe nëse disa të tjerë provojnë si lojë “realitetin” e ëndërruar të një jete ishullore, të lumtur e të patrazuar, në një ishull utopik, që grekët e lashtë do e quanin ou topos, vend që s’ekziston, përse duhet të shqetësohemi për të mirat që na mugojnë, për çmimet që rriten, për shërbimet që s’na ofrohen, për djemtë dhe vajzat që largohen nga Shqipëria, për pagat dhe pensionet që nuk i mundësojnë një jetë dinjitoze pjesës dërrmuese të shqiptarëve, për krimet dhe aksidentet në rrugë, për zgjedhjet që vijnë dhe ata që do të zgjidhen?
Përse të shqetësohemi për të gjitha këto gjëra të parëndësishme kur televizionet tona kombëtare na mundësojnë të shohim një “realitet” tjetër, ku disa dhjetra vajza e djem, edhe ata shqiptarë si ne, nuk kanë asnjë prej halleve dhe shqetësimeve tona të përditshme.
A nuk janë ata motrat, vēllezërit apo fëmijët tanë? A nuk duhet të gëzohemi për jetën që ata do të bëjnë këtej e tutje në “ishullin e dashurisë”?
Ne, përkundrazi, duhet të ndihemi të kënaqur që, fatmirësisht, të paktën dritat nuk ndërpriten më, kështu që askush nuk do humbasë asnjë episod pa parë.
Në Angli, katër ndër pjesëmarrësit në këtë reality show kanë përfunduar në vetvrasje. Por ne shqiptarët jemi ndryshe. Për dashuri ne vrasim, nuk vetëvritemi.
Prisni dhe shumë shpejt do të keni një “ishull dashurie” në ekranin e televizorit tuaj dhe dhjetëra mijëra njerëzve, edhe këtë herë, do u ngjiten syye, veshët dhe trutë pas ekranit.
Dhe, si edhe herë të tjera, do të keni mundësi të shihni se sa të paditur e të patalentuar janë ata që zgjidhen për t’i moderuar këto programe./dita
What's Your Reaction?