“Wanderlust”: Shqipëria përmes përvojave të komuniteteve lokale që ruajnë dhe trashëgojnë larminë e traditave
Së bashku me bashkëshortin dhe fëmijët e saj, Eva Rrasa më priti në shtëpinë e saj në fshatin Babunjë, brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta të Shqipërisë perëndimore, shkruan Jessica Reid në të përdishmen britanike “Wanderlust” . Vizita ime – dhe leximi i improvizuar i filxhanit të kafesë – ishte pjesë e një përvoje udhëtimi të bazuar në […]
Së bashku me bashkëshortin dhe fëmijët e saj, Eva Rrasa më priti në shtëpinë e saj në fshatin Babunjë, brenda Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta të Shqipërisë perëndimore, shkruan Jessica Reid në të përdishmen britanike “Wanderlust” .
Vizita ime – dhe leximi i improvizuar i filxhanit të kafesë – ishte pjesë e një përvoje udhëtimi të bazuar në komunitet.
Duke qëndruar në qoshet e fshehta të Shqipërisë, po shpresoja të fitoja një kuptim më të thellë të mënyrave të saj tradicionale të jetesës, duke krijuar gjithashtu lidhje dhe kujtime të vërteta me njerëzit që e quajnë këtë vend të bukur “shtëpi”.
Ideja e një burri misterioz që më shikonte nga larg sigurisht që nuk ishte pjesë e planit.
Nxitja për përvoja të turizmit në komunitet si kjo erdhi në një kohë të rëndësishme për Shqipërinë.
Kombi ballkanik ka qenë i mbyllur nga bota gjatë 46 viteve që ishte nën sundimin komunist, por kjo përfundoi në fillim të viteve 1990.
Një numër rekord turistësh – 10 milionë – vizituan vendin në vitin 2023 – më shumë se trefishi i të gjithë popullsisë së tij.
Sot, me shumicën e vizitorëve që dynden në vijën e tij bregdetare të Adriatikut për pushime të lira në plazh, shqetësimet po rriten për ndikimin që kjo do të ketë në mjediset dhe komunitetet bregdetare.
Megjithëse Shqipëria është e etur për ‘të korrur’ përfitimet ekonomike nga turizmi – e dukshme në projektet e planifikuara të infrastrukturës që përfshijnë rrugët, hotelet dhe aeroportet – disponimi mbizotërues politik tani anon drejt ndryshimit të drejtimit të turizmit të saj.
Ideja e re është të inkurajojë udhëtimet që nuk kanë të bëjnë vetëm me diellin, rërën dhe detin, por edhe me eksplorimet në komunitetet më pak të vizituara të vendit, natyrën e mbrojtur dhe kulturën dhe trashëgiminë unike.
Mezi prisja të shihja se si vizitorët e hershëm do ta përjetonin eksperiencën e tyre në këtë Shqipërinë e re.
Përmbysja e piramidës
E nisa udhëtimin tim në kryeqytetin e rrethuar nga mali, Tiranë jo duke parë të ardhmen e vendit, por të kaluarën e tij të afërt.
Gjatë kohës së Shqipërisë nën diktaturën e gjatë të Enver Hoxhës (1941–1985), shumë nga kishat dhe manastiret e qytetit u shkatërruan pasi ateizmi u bë i detyrueshëm për popullsinë.
“Edhe emrat fetarë ishin të ndaluar – kjo është arsyeja pse do të takoni kaq shumë persona me emrin Elvis ose Elton.
“Në vend të kësaj, njerëzit vendosën emra sipas yjeve të rock-ut,” shpjegoi udhërrëfyesi im lokal, Elton Caushi, ndërsa mbërritëm në qendër të qytetit.
I lindur në vitet 1970, Eltoni kishte përjetuar vështirësitë e komunizmit, i pasuar nga lufta civile dhe lufta e Kosovës e viteve 1990.
Por, gjatë 25 viteve të fundit ai kishte parë gjithashtu vendin e tij të dashur të ngrihej nga themeli. I mbetur në vazhdën brutaliste të komunizmit Tirana ishte një qytet me struktura të gri, të stilit sovjetik.
Megjithatë, ndërsa Eltoni më drejtonte nëpër rrugët e Tiranës, vura re se pamja urbane ndryshonte shpejt, ndërsa ndërtesat me piktura të ndezura dhe muralet artistike pushtonin qytetin.
“Tirana po bëhej një qytet blloqe betoni. Por kryeministri ynë Edi Rama është një ish-profesor i arteve dhe ai riktheu ngjyrën në qytetin tonë”, tha Eltoni me krenari.
Mund të shihja ndikimin krijues të Ramës teksa hulumtonim më thellë në Tiranë.
Ndërtesat e larta morën forma dhe stile unike dhe shumë nga bunkerët e qytetit (Hoxha urdhëroi ndërtimin e qindra mijërave në të gjithë Shqipërinë) janë ripërdorur në muze, si galeria Bunk’Art.
Më pas arritëm në qendër, ku sheshi modern Skënderbej është tani zemra e zhurmshme e një kryeqyteti të ri të guximshëm.
Por, nëse ka një simbol të qëndrueshëm të këtij rinovimi, ai është Piramida e Tiranës.
Një ish-monument dhe muze i brutalizmit dedikuar Hoxhës, prej vitesh u la të kalbej.
Tani struktura 21 metra e lartë është restauruar në një vend të shndritshëm për të cilin vendasit mund të krenohen – dhe madje mund të shijojnë ambientet e saj.
“Ne jemi një komb ëndërrimtarësh të mëdhenj – nuk duam të jemi në nivelin mesatar”, shpjegoi Eltoni ndërsa shikonim qytetin nga maja e Piramidës.
Një frymëmarrje në ajër të pastër
E shijove shumë njohjen me kryeqytetin modern, që po ndryshon shpejt, por mezi po prisja përvojën time të parë të Shqipërisë rurale.
Sapo mbërrita në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta, 90 minuta me makinë nga Tirana, u prita menjëherë nga Gjoni dhe Vlashi, dy pelikanë të shpëtuar që ishin vendosur në nj shtëpi pranë qendrës së vizitorëve brenda pyjeve me pisha të parkut.
Parku Divjakë-Karavasta është një nga habitatet më të rëndësishme të Evropës për pelikanin dalmat të rrezikuar, si dhe është shtëpia e mbi 260 llojeve të tjera shpendësh.
Me ndihmën e qeverisë, përpjekjet për ruajtjen e tyre këtu janë rritur vitet e fundit, me qendrën e saj informative që rrit ndërgjegjësimin për ekosistemin e brishtë, ndërsa rojet e parkut tani ruajnë kafshët kundër gjuetarëve pa leje.
Kohët e fundit, u ndërtua një qendër rehabilitimi për shpendët e egra dhe tashmë trajtohen pelikanë, çafka dhe shqiponja që nga hapja e saj në 2023.
Ervini, një nga rojet më tha se pelikanët mund të gjendeshin duke u shumuar në një ishull në park midis janarit dhe prillit.
Për pjesën tjetër të vitit, ata prireshin të shpërndaheshin në të gjithë rajonin, kështu që pamjet e tyre nuk ishin të garantuara gjatë vizitës sonë në shtator.
Megjithatë, isha ende e emocionuar për atë që do të gjeja në ekspeditën e vëzhgimit të zogjve në mëngjesin pasardhës.
Pas zgjimit në orën 5 të mëngjesit, dolëm jashtë dhe duke pirë kafenë, pashë në heshtje, por me gëzim, çafkat, peshkatarët dhe tufat e flamingove fluturues.
Në distancë mund të dallonim formën e dy pelikanëve që qëndronin të ngurtë në lagunë, ujin e palëvizshëm që i rrethonte, dhe qiellin e zjarrtë portokalli që reflektonte në sipërfaqe.
Ky mëngjes magjik më përgatiti për një ecje 25 kilometra me biçikletë elektrike për të eksploruar më shumë pyjet, ligatinat dhe dunat ranore të parkut kombëtar.
Unë dhe Eltoni ishim rrugës për në shtëpinë e familjes Rrasa, ku ishim të ftuar për të ngrënë një drekë të gatuar në shtëpi.
Eva, bashkëshorti i saj Adriatik dhe fëmijët e tyre na pritën ngrohtësisht me buzëqeshje te porta e tyre e përparme, pavarësisht se mbërritëm më vonë se sa pritej.
Sapo hyra në pronën e tyre, më tërhoqën vëmendjen gdhendjet dhe skulpturat në gurë që ishin shpërndarë në oborrin dekorativ.
Të strehuar nga një tendë hardhie, shumë skulpture përshkruanin figura nga perandoria bizantine që dikur sundonte Shqipërinë.
Disa ishin mbledhur nga Adriatik; shumica prej tyre ishin gdhendur nga ai dhe djali i tij i madh, Euro, i cili kishte studiuar në Universitetin e Arteve në Tiranë.
Gati për drekë, ndoqa aromën e ushqimit të bërë vetë në dhomën e ngrënies së familjes.
Eva kishte nisur të gatuante që nga ora 08:00.
“Ne kemi tokë pjellore këtu, kështu që gjithçka që na nevojitet mund ta rritim vetë ose ta marrim nga fqinjët tanë – komuniteti ynë ka një vëllazëri të mirë”, tha Adriatiku.
Nisa të ha me uri pulën e freskët, rosën, domatet dhe vezët, dhe ndoshta e mbylla me verën paksa shumë shpejt.
“Herën tjetër që do të vini, unë do t’ia heq verën fqinjit tim – e atyre është edhe më e mirë!”, tha Adriatiku.
Pas drekës, Eva përdori aftësitë e saj për të lexuar filxhanin e kafesë.
Gjire të shumtë
Duke udhëtuar në jug, ndalesa jonë e radhës ishte në Gjirin e Vlorës, ku arrita të kuptoj anën tjetër të turizmit këtu.
Vija e saj bregdetare piktoreske – e quajtur “Riviera Shqiptare” – ishte e mbushur me turistë.
Falangat me shezlong dhe çadra shumëngjyrëshe ishin grumbulluar në breg.
Eltoni më tregoi për aeroportin e diskutueshëm që po ndërtohet në Vlorë, i cili do të hapet në vitin 2025.
Gjiri është shtëpia e Parkut Kombëtar Detar të Karaburun-Sazanit, për të cilin mësova më shumë në qendrën e vizitorëve të bregdetit, një strukturë e rëndësishme për edukimin e udhëtarëve rreth ekosistemit të çmuar këtu.
Mësova se ujërat fshehin një larmi të madhe speciesh dhe habitatesh: koralet, shtretërit e barit të detit, tre lloje breshkash detare, delfinët e zakonshëm dhe madje edhe fokën e rrallë mesdhetare.
Më pas ishte koha për të shkuar në gji për të eksploruar gadishullin e Karaburunit në një turne me varkë.
Pika kryesore ishte një udhëtim në shpellën mistike të Haxhi Aliut, një shpellë e madhe detare e veshur me stalaktite që fsheh ujërat e kaltra aq verbuese sa nuk mund t’i rezistoja zhytjes.
Nuk ka dyshim se bukuria natyrore e Vlorës është mahnitëse, por historia e saj e lashtë është ndoshta edhe më madhështore.
Parku arkeologjik i Orikumit ndodhet në cepin jugperëndimor të gjirit.
I vendosur brenda një baze ushtarake aktive, Eltoni arriti të na siguronte akses në rrënojat që ishin një port strategjik për perandoritë sunduese të Shqipërisë përgjatë mijëvjeçarëve.
Vendi u zhvillua për herë të parë nga grekët në shekullin e V para Krishtit, megjithëse më vonë u pushtua nga Jul Çezari në vitin 48 para Krishtit, gjatë luftës civile romake, pasi ai u përpoq të mposhtte Pompeun dhe të merrte Republikën në dorë.
Njohja me këtë histori ishte emocionuese duke imagjinuar kishat dhe teatrot – të gdhendura nga shkëmbi gëlqeror lokal – të cilat qëndronin në vend të këtyre rrënojave.
Ndërkohë, puna e gërmimit në vend vazhdon, ku janë zbuluar më shumë histori dhe mistere rreth historisë së Shqipërisë.
Ndërsa ora e artë po afrohej, Eltoni më udhëhoqi në këmbë në shpatin e malit, ndërsa ne ndoqëm një shteg guri dhe më pas dolëm nga rruga përmes barit të gjatë dhe korijeve të lisit.
Së shpejti, shtëpia e bariut Sofo dhe bashkëshortes së tij, Dhurata, u shfaq menjëherë.
Në distancë, Gjiri i Vlorës dhe fshati fantazmë i Tragjasit – i bombarduar dhe i braktisur gjatë Luftës së Dytë Botërore – ndriçoheshin nga perëndimi i diellit me ngjyrë portokalli fluoreshente.
Nuk isha e sigurt nëse ishte peizazhi i jashtëzakonshëm, zhurma qetësuese e tingëllimit të këmbanave të dhisë apo ngrohtësia e rakisë në fyt, por pikërisht në këtë moment e kuptova se po më pëlqenin bukuritë e Shqipërisë.
U ktheva në fermë, ku Sofo nxori një flaut druri dhe na ofroi një serenatë me një melodi të këndshme.
Më pas më drejtuan në një vend në tavolinë, ndërsa u shtrua një darkë e shijshme.
Bukë, byrek, djathë rikota të freskët dhe patate, më magjepsën teknikat tradicionale që përdoren ende për të ruajtur dhe gatuar këto produkte.
U ndjeva e nderuar që çifti jo vetëm që ndau ushqimin me ne, por më dhanë një pamje të një stili jetese më tradicionale shqiptare.
Sigurisht, vija bregdetare e Vlorës duket e bukur në foto, por ishte ndërveprimi me njerëzit si Sofo dhe Dhurata që më ngeli në mendje.
Një dritare në botë
Ndalesa e fundit e udhëtimit tim ishte qendra historike e Beratit. Ky qytet i fortifikuar në majë të kodrës, i rrethuar nga mali i Tomorrit, është një vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 2008.
Kjo është kryesisht për shkak të pranisë së një labirinti të arkitekturës otomane me gurë të bardhë që gjarpëron nëpër lagjen Mangalem të qytetit dhe kështjellës së shekullit të XIII, e njohur si Kala.
Por, origjina e saj thuhet se daton shumë më larg se fortifikimet e saj mesjetare.
Berati u themelua si polisi i lashtë grek i Antipatresë në vitin 314 para Krishtit nga Kasandri, i cili së shpejti do të kurorëzohej mbret i Maqedonisë.
Ka gjithashtu dëshmi të pushtimit ilir, romak dhe bizantin në të gjithë qytetin historik, duke e bërë Beratin një udhëkryq magjepsës kulturash dhe besimesh.
Eltoni më bëri një xhiro në këmbë në qytet, duke më ofruar një përmbledhje të shkëlqyer të historisë së tij.
Duke filluar nga akomodimi ynë në majë të kodrës – i quajtur Hotel Kalaja e Beratit – ne endëm rrugët me kalldrëm, të pjerrëta, duke admiruar monumentet e çmuara të qytetit të vjetër.
Kapela të saj bizantine ishin të mbushura me afreske që përshkruanin figura fetare, nga Gjon Pagëzori deri te Shën Nikolla.
Gjatë periudhës së gjatë të Shqipërisë nën sundimin osman, këtu u ndërtuan edhe disa xhami.
Mjerisht, tani kanë mbetur vetëm rrënoja nga Xhamia e Kuqe e shekullit të XV, më e vjetra në Berat, e cila u shpall Monument Kulture e Shqipërisë në vitin 1961.
Edhe pse qyteti është një nga pikat më të ngarkuara me vizitorë në vend, isha e kënaqur që ende kishte shenja të jetës dhe kulturës lokale në rrugët e tij.
“Shkallët e gurta jashtë dyerve të hyrjes quhen pragje dhe vendasit uleshin mbi to me një filxhan kafe ose raki dhe shoqëroheshin me fqinjët e tyre”, më tha Eltoni.
“Banorët e moshuar ende e bëjnë këtë, por zakonisht në mëngjes ose në mbrëmje, kur ka më pak turistë”, shtoi ai.
Kur më në fund arritëm në luginë dhe qëndruam buzë lumit të lashtë Osum, hodha një vështrim prapa për të admiruar spektaklin arkitekturor që i dha Beratit pseudonimin: “Qyteti i një mijë dritareve”.
Më dukej një simbol i përshtatshëm për një udhëtim ku në vend që të shikoja nga jashtë, më mirëpritën dhe më treguan një pamje më tradicionale të jetës shqiptare.
Unë u njoha me të gjithë ‘gjatësinë dhe gjerësinë’ e trashëgimisë kulturore të Shqipërisë dhe mrekullitë natyrore në shoqërinë e një të huaji të sjellshëm dhe vigjilent.
What's Your Reaction?