Partia Demokratike duhet të lerë një shteg…

3 hours ago 21

Nga Ben Andoni
Cili e mban mënd periudhën e njohur të “Tendës”, një kohë izolimi e Partisë Demokratike nën drejtimin e z. Basha, do të kujtojë shumë mirë dhe logjikën e këtij shkrimi! U tha dhe çfarë nuk u tha, paçka se shumë prej syreshëve atje tashmë janë transformuar?! U deklarua, çfarë të mundej! Rradha për protagonizëm nuk mbaronte. U premtua aq shumë nga Basha dhe asokohe shpura e tij, tashmë në garë për ta denigruar! Nuk do kishte tërheqje, ishte lejtmotivi i të gjithëve, që futeshin në “Tendë” dhe dilnin të mesmerizuar nga fryma anti-Ramë. Pak javë më vonë, me një lëvizje rrufe, Basha përshkoi më pak se 100 metra udhë dhe në Kuvendin e Shqipërisë, një mbrëmje Maji të vitit 2017 bëri paktin me Ramën dhe që atëherë, e deri sot e kësaj dite, pak di se çfarë kanë folur. Protagonistët e atëhershëm i nxorën, sikur të mos ishin asgjë. Pasojat: Rama mbeti në pushtet dhe dy mandate të tjera. Dhimbja e militantëve ishte e pamatë, e para se pse ishin përdorur aq shumë për një gjë që e dinin në nënvetëdije se do të shkonte ashtu; e dyta pse kauzat e tyre nuk lënë një shteg. Nga kjo e fundit, kemi marrë dhe fijen e logjikës, pasi pak vite më vonë, PD-ja dhe LSI-ja do të betoheshin se me Ramën dhe Gjiknurin nuk kishte zgjidhje. Në fakt, dëshmitë që dolën më vonë dhe argumentet e mbledhura nga opozita, vërtetë u jepnin të drejtë. Mjaftoi një telefon nga zyrat e ambasadave dhe u futën në tryezën zgjedhore, pa bërë as gëk e as mëk. Të huajt, që luanin fijet, i morën përfaqësuesit e partive (këta të fundit nuk kishin lënë pa thënë as edhe një fjalë sesi mund të dilej nga kriza e zgjedhjeve), sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Më i përfoluri, Gjiknuri ishte i qetë dhe përfaqësuesi fuqiplotë i Socialistëve. Ascili nga PD-ja dhe më pak LSI-ja nuk kishte lënë një shteg të fliste për gjërat ndryshe, se çfarë mund të bënin në atë ngërç që e futën demokracinë shqiptare dhe sesi mund të vepronin, nëse PS-ja nuk do të plotësonte kërkesat e tyre themelore. Ka disa raste të tilla, por këtë po e mbyllim me momentin e tanishëm dhe ngazëllimin për presidencën e z.Tramp. Askush nuk e di, derisa administrata e re amerikane të shpalosë prioritetet, logjikën e saj drejtuese. Derisa emrat e kësaj administrate të tregojnë logjikën e tyre dhe mënyrën sesi do të drejtojnë disa nga institucionet, ku vende të vogla si ne presin shumë, do ketë ende shumë hamendësime. Anipse, te PD-ja ndërkohë ka filluar ngazëllimi për administratën e re, paçka disa emra të përzgjedhur të z. Tramp do të kenë probleme në Senat nga vetë Republikanët. Veçse tek ne, mjafton të jenë “anti-Biden” dhe të besohet se do t’i heqë non-gratën Berishës dhe mjafton. Mjafton edhe sikur të vij propozimi për ndarjen e Kosovës dhe problematikat e tjera. Mjafton edhe sikur administrata Tramp as të mos e ketë në prioritete fare Shqipërinë, përveç se të heqë non-gratën e kryetarit!
E, në rast të kundërt?!-vijon pyetja disa vjeçare. Ku është shtegu i ri i PD-së nëse administrata e re amerikane nuk e përfill?! Përgjigja: Mbase, aty ku nuk ua vlen t’ua kujtosh, lënien e lirë edhe të një mandati Ramës, për të na treguar sërish miopinë politike dhe një klasë, që e ka kalcifikuar frikshëm vendin me dritëshkurtësinë. (Javanews)

Read Entire Article