Putin: Jemi afër pikës pa kthim falë arrogancës së Perëndimit

3 months ago 20
Reklamë

“Egoizmi dhe arroganca e shteteve perëndimore kanë çuar në gjendjen aktuale, bota i është afruar pikës pa kthim”, tha presidenti rus Vladimir Putin në margjinat e një takimi që pati të premten me udhëheqjen e ministrisë së Jashtme ruse.

 “Më lejoni t’ju kujtoj se ishte Uashingtoni që minoi stabilitetin strategjik duke njoftuar tërheqjen e njëanshme nga Traktati i Mbrojtjes së Raketave Anti-Ballistik dhe heqjen e raketave me rreze të mesme dhe të shkurtër. Egoizmi dhe arroganca e shteteve perëndimore çoi në gjendjen aktuale jashtëzakonisht të rrezikshme. Ne kemi ardhur, dhe kjo është e papranueshme, afër pikës pa kthim”, tha Putin.

Sipas tij, thirrjet për t’i shkaktuar një disfatë strategjike Rusisë, e cila ka arsenalin më të madh të armëve bërthamore, demonstrojnë “aventurizmin e tepruar të politikanëve perëndimorë”.

Presidenti rus vendosi gjithashtu kushtet që Moska të ulet në tryezën e bisedimeve me Ukrainën për armëpushimin.

Konkretisht, ai tha se Kievi duhet të tërheqë trupat e tij nga të gjitha rajonet e pushtuara (Zaporizia, Kherson, Donbass dhe Donetsk) për të filluar negociatat.

Ai shtoi gjithashtu se një kusht tjetër duhet të jetë deklarata e Kievit se heq dorë nga synimet e tij për t’u bashkuar me NATO-n.

“Ne jemi gati të ulemi në tryezën e bisedimeve edhe nesër”, tha ndër të tjera Putin.

“Sapo Kievi të deklarojë se është gati për një vendim të tillë dhe të fillojë një tërheqje reale të trupave nga këto zona, si dhe të shpallë zyrtarisht braktisjen e planeve për t’u anëtarësuar në NATO, pala jonë do të ndjekë menjëherë urdhrin për pushimin e zjarrit dhe fillimin e negociatave… E përsëris, këtë do ta bëjmë menjëherë. Kushtet tona janë shumë të thjeshta. Nëse Perëndimi dhe Kievi refuzojnë, do të bëhet përgjegjësia e tyre për gjakderdhjen”.

Duke komentuar marrëveshjen dhjetëvjeçare të sigurisë të nënshkruar nga SHBA-ja dhe Ukraina në samitin e G7, Putin e quajti atë një “bllof”, një marrëveshje e parëndësishme që mund të shembet në çdo kohë. /vizionplus.tv

Read Entire Article