Qilizëm

1 month ago 27
Reklamë

Nga Artur Ajazi

Edi Rama, pritet të nisë pas Shtatorit, ndryshimet në kabinetin qeveritar, dhe jo vetëm. Situata më e re e krijuar, si dhe rrethanat e kushtëzojnë kryeministrin Rama, të nisë “qilizmin” në qeveri. Do të largohen natyrisht ata dhe ato ministra dhe ministre, që nuk kanë patur rezultate, që nuk kanë siguruar rendiment në punën e tyre, dhe që janë bërë pengesë për fermomancën e duhur të kabinetit qeveritar.

Askush nuk ka shanse të falet, askush nuk ka shanse të rehabilitohet dhe të justifikohet se “këto ishin mundësitë e mia, mungonte X apo Y gjë”, pasi kanë patur jo vetëm kohën e duhur, por edhe mbështetjen nga Edi Rama, mjetet financiare , burimet njerëzore, për të mos krijuar  ngadalësi të pajustifikueshme. Kryeministri Rama, u ka dhënë mundësi të pakufishme  dhe besimin prej 2013, çdo ministri apo ministreje, të japë maksimumin në postin dhe institucionin që drejton. Por fatkeqsisht faktet dhe realiteti kanë folur ndryshe.

Abuzimi me besimin dhe kredibilitetin e Partisë Socialiste, shpërdorimi i detyrës dhe vjedhja e parave publike, janë vetëm disa prej arsyeve që Edi Rama, ka qenë i ashpër dhe kategorik me ata, kur organet e drejtësisë kanë zbuluar skandale. Dhe fakti është se, askush nga ish-ministrat apo dhe  pasardhësit e tyre në qeveri, nuk ka patur shansin të ketë marrë “mëshirën” e kryeministrit kur ka shkelur ligjin, por ka shkuar në dyert e SPAK-ut, është  hetuar, gjykuar dhe dënuar. Sfida vazhdon, ashtu siç vazhdon ecja përpara, duke lënë pas vemjet e zgërlaqura dhe abuzuesit  e  aferave korruptive.

Ernest Gow ka thënë se “qeveritë dalin më të forta nga beteja me korrupsionin”. Kjo po ndodh mrekullisht edhe me qeverisjen e kryeministrit Rama. Askush nga ata që abuzojnë, vjedhin, që u zbulohen lidhjet me afera korruptive apo edhe me grupet kriminale,  dhe që kanë qenë pjesë e qeverisjes qëndrore apo lokale, nuk ka shansin të marrë  avokati nga Partia Socialiste dhe Edi Rama. Përkundrazi, kryeministri, vazhdimisht  ka  inkurajuar  organet e drejtësisë së re, “të mos kursejnë askënd në rrugëtimin e tyre për zbatimin e ligjit”.

Qilizmi i Shtatorit, padyshim do të largojë nga zyrat e ministrive dhe kabineti qeveritar, dembelët, të paaftët, abuzatorët, mbartësit e mëkateve dhe fajeve të rënda, që deri diku, kanë vënë me veprimet e tyre “shkopinj nën rrota”  në marshimin  dhe misionin e  qeverisë Rama. Ata që  nuk kanë bërë detyrën, ata që nuk kanë bërë “një lek punë” si drejtues dhe ofiqarë  të lartë në kabinetin Rama, ata që kanë treguar se paaftësinë e kanë mbuluar me  paaftësi dhe  abuzime, do të largohen. Ata me tregues të dobët në punë, zbatimin e  ligjit dhe  detyrave të vëna  nga kreu i qeverisë Edi Rama, do të ndjekin fatin e tyre, drejt  përgjegjësive administrative apo dhe penale.

Qilizmi i Ramës në Shtator, pritet të rikompozojë krejt  kabinetin qeveritar, për ti dhënë hovin dhe vrullin e duhur, punëve të shumta që kanë nisur dhe  presin vendin, apo dhe  angazhimeve  në fushën e integrimit europian. Shqipëria e Edi Ramës, është sot vendi i duhur nga ku NATO, SHBA,  dhe Bashkimi Europian, shohin me besim dhe  optimizëm, realizimin e projekteve  bashkëpunuese, rajonale dhe globale.

Prania  e shtuar e takimeve dhe tryezave të përbashkëta  të faktorit ndërkombëtar në Tiranë, është tregues pozitiv për standardin e vendosur nga një qeverisje e përgjegjëshme, e cila luftën ndaj korrupsionit, e ka kthyer në sfidë të saj, deri në fitore.

Read Entire Article