Rama e la në listë të hapur, Etjen Xhafaj paralajmëron garë të ndezur në 11 maj, ja çfarë deklaron për mungesën e Veliajt në fushatë

1 month ago 33

Deputeti i Partisë Socialiste, Etjen Xhafaj, i cili do të kandidojë në zgjedhjet e 11 majit në listë të hapur për Qarkun e Tiranëstha se gara mes njëri-tjetrit do të prodhojë më shumë përpjekje për të arritur dhe për të komunikuar me qytetarët.

Në edicionin qendror të lajmeve të orës 19:00 në Vizion Plus me Roland Zilin, Xhafaj e cilësoi betejën në listë të hapur si një plus, pasi më shumë qytetarë do të bëhen pjesë e fushatës.

Sa i përket arrestimit të Veliajt, deputeti i PS-së u shpreh se në fushatën elektorale, mazhoranca do të jetë me minus, sepse një nga lojtarët më të mirë nuk do të jetë në fushë.

Intervista e plotë:

Një vlerësim tuajin në lidhje me garën në listën e hapur. Si e shikoni, do të ketë efekte pozitive apo negative në përgjithësi procesi?

Xhafaj: Do të jetë pozitive, sepse gara mes njëri-tjetrit do të prodhojë më shumë përpjekje për të arritur dhe për të komunikuar me qytetarët, së pari për t’u treguar programin e partisë dhe rekordin e të gjitha punëve të bëra deri tani. Dhe nga ana tjetër do të kemi mundësinë të komunikojmë me shumë më shumë qytetarë, dhe nëse këtë e bëjnë 37 kandidatë, siç do të jetë në Tiranë, kjo është një plus që edhe më shumë qytetarë të bëhen pjesë e fushatës.

Mund të ketë edhe një efekt negativ, sepse ju do të garoni brenda grupit. A rrezikohet kjo të ketë përplasje që mund ta dekurajojë votuesin socialist?

Xhafaj: Efekti do të jetë pozitiv, sepse në fund të ditës është një garë, një garë që secili, çdo anëtar i ekipit do të bëjë përpjekjet e veta, së pari për partinë. Qëllimi ynë është që brenda vitit 2027 të mbyllim negociatat për 6 grup kapitujsh, dhe më pas të vijojmë me votimin nëpër parlamentet e vendeve anëtare. Dhe kjo vjen duke votuar numrin 5, Partinë Socialiste. Gara do të jetë e ndezur, nuk besoj se do të ketë përplasje dhe besoj që efekti që do të kemi do të jetë tërësisht pozitiv.

Në kushtet kur Veliaj është në burg, a jeni ju me një minus? Si e shikoni këtë fushatë?

Xhafaj: Jemi me minus, sepse një nga lojtarët më të mirë nuk do të jetë në fushë, si pasojë e kësaj situate, pra që është i ndaluar ndërkohë që hetimet vazhdojnë. Por, në të gjitha rastet kur ai lojtar i madh mungon, ne do të bëjmë pak më tepër që të plotësojmë atë boshllëk që Erioni lë në qarkun e Tiranës. Do të përpiqemi më tepër.

Si e shikoni ju hetimin ndaj Veliajt, ku sot është njohur me një tjetër akuzë?

Xhafaj: Nuk mund të komentoj për çështje të drejtësisë, por ajo që mund të themi është që Veliaj ka transformuar plotësisht Tiranën, bilanci i një pune të paimagjinueshme. Kemi një rekord pune. Na mungon energjia e tij pozitive, por ne jemi të gatshëm të bëjmë të gjithë më tepër që të mundësojmë që ky rrugëtim i Shqipërisë drejt BE-së të vijojë i pandërprerë.

/vizionplus.tv

Read Entire Article