Rindërtohet shkolla “Pjetër Budi”, kryebashkiaku Veliaj ironizon aksionin e opozitës

1 month ago 27

Bashkia e Tiranës nisi rindërtimin e shkollës “Pjetër Budi”, që do të jetë tre herë më e madhe se ajo ekzistuese. Godina do të përbëhet nga 28 klasa për nxënësit e ciklit 9-vjeçar dhe 2 klasa për ciklin parashkollor, duke eliminuar mesimin me turne. Teksa ndoqi nisjen e punimeve kryebashkiaku Erion Veliaj, tha se shkolla e re do të jetë gati për vitin e ri arsimor.

“Sot hapim një faqe të re! Një falenderim prindërve që janë treguar bashkëpunues. Ne do të shmangemi vetëm një vit nga “Pjetër Budi”, për të shkuar te “Vasil Shanto” dhe te “Sabaudin Gabrani”. E kemi afatin 12 muaj, do të mundohemi ta bëjmë për 10 muaj, që ta kapim shtatorin tjetër”, theksoi Veliaj.

Veliaj irinizoi edhe protestat e opozitës me bllokime rrugësh, duke thënë se përgjigjja më e mirë janë shkollat e reja.

“Kjo është shkolla e 46-të që ndërtojmë. Kur njerëzit më thonë ç’është ky fiksim me shkollat, u them se i vetmi antidot për dhunën, janë shkollat. Ata digj goma, ne ndërto shkolla; ata shty policinë, ne ndërto shkolla. Ata blloko rrugët, ne ndërto shkolla. Shkolla është ilaçi për çdo problem të shoqërisë. Nëse kemi çuna e goca të arsimuar, nëse janë përgatitur për punët e së ardhmes, të gjitha cic-micet, zhurmat e budallaqet e politikës së ditës nuk do i mbajë mend njeri, por shkolla do të ngelet këtu. Me shkollën e 46-të kemi ambicie ta përfundojmë punën në Bashkinë e Tiranës me 55 shkolla të reja në total”, tha ai.

Ndërkaq, pas nisjes së punimeve për rindërtimin e shkollës “Pjetër Budi”, Bashkia e Tiranës do të vijojë me shkollat e reja në lagjen ‘Rilindja’, pranë Unazës së Madhe. /vizionplus.tv

Read Entire Article