Tekniku i Kombëtares U-21 të futbollit, Alban Bushi ka publikuar këtë të enjte listën e lojtarëve të përzgjedhur prej tij për të luajtur takimin e vlefshëm për kualifikueset e Kampionatit Europian përballë Zvicrës U-21.
Për ndeshjen që do të luhet më 6 shtator në stadiumin “Stade de la Tuilière”, Bushi ka ftuar 23 futbollistë, ku nuk mungojnë emra të njohur si portieri Simon Simoni dhe vëllezërit sulmues Cristian dhe Stiven Shpendi.
13 nga lojtarët aktivizohen në kampionate jashtë vendit, ndërsa një vëmendje e shtuar duket se është treguar nga Bushi këtë herë për Superligën shqiptare. Kjo pasi 10 prej futbollistëve të grumbulluar vijnë nga kampionati vendas.
Shqipëria U-21 bën pjesë në Grupin E bashkë me Zvicrën, Finlandën, Rumaninë, Armeninë dhe Malin e Zi. Aktualisht kuqezinjtë e vegjël renditen të katërtit me 10 pikë.
/a.r